Brdariç me “dhimbje koke”, Vllaznia pa katër titullarë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 9:34

Brdariç me “dhimbje koke”, Vllaznia pa katër titullarë ndaj Kastriotit

Vllaznia të dielën do të jetë mysafire e Kastriotit në stadiumin e Kamzës për të luajtur ndeshjen e fundit të fazës së dytë. Shkodranët vijnë në këtë përballje pas dy barazimeve të arritura në dy ndeshjet e para të luajtuara në këtë vit të ri në kampionat, ndaj Tiranës dhe Egnatias.

VLLAZNIA

Ndërsa krutanët janë transformuar totalisht në 2022-shin, pasi në dy ndeshjet e para kanë grumbulluar 4 pikë, ku kanë mposhtur kampionët e Teutës, si dhe kanë barazuar me Partizanin.

Në dukje Kastrioti vjen në këtë takim me moral më të lartë se kuqeblutë. Por, si të mos mjaftonte kjo, Vllaznia në përballjen ndaj Kastriotit do të jetë me shumë mungesa.

Mbrojtja do të jetë një nga repartet që do të ketë mungesat më të shumta. Pas dhënies së lejes nga klubi për mbrojtësin Fallou Dianje, mësohet se edhe Mevlan Adili është në pikëpyetje për të qenë i gatshëm në këtë takim.

Me sa duket Vllaznia do të besojë në një tjetër dyshe në qendër të mbrojtjes, ashtu siç bëri në Kupë ndaj Flamurtarit. Mungesë e sigurt për Kastriotin është edhe Viktor da Silva, pasi braziliani është i pezulluar këtë javë nga plotësimi i numrit katër të kartonëve të verdhë.

Edhe mesfushori me tipare sulmuese Ardit Hoxhaj, vlerat e të cilit dihen te kuqeblutë, nuk llogaritet nga trajneri për arsye dëmtimi.

Nisur nga kjo, trajneri Brdariç nuk do të ketë tre nga lojtarët bazë të formacionit për takimin e së dielës.

FORMACIONI- Dianje, Adili dhe Da Silva janë mungesa të rëndësishme për ekipin shkodran. Nisur nga ky boshllëk trajneri Tomas Brdariç është i detyruar të bëjë ndryshme dhe lëvizje pozicionesh për lojtarë të caktuar, kryesisht në repartin e mbrojtjes, ku dyshja e qendrës duhet formuar nga fillimi.

Nisur nga ndeshja e Kupës me Flamurtarin, katërshja e mbrojtjes për Kastriotin mund të përbëhet nga Fangaj dhe Hakaj në krahë, si dhe Gurishta e Bulatoviç në qendër.

Në mesin e fushës nga minuta e parë pritet të rreshtohen Krymi, Jonuzi dhe Kruja. Në sulm, trajneri Brdariç parashikohet që t’i besojë sërish Aralicës në majë, i cili nga krahët do të ndihmohet nga Latifi dhe Gjurgjeviç.

Pavarësisht se vetëm dje ka nisur puna për takimin ndaj krutanëve, gjasat janë që stafi teknik të përdorë formacionin e mësipërm për ndeshjen e javës së 18-të me Kastriotin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"