“Brdariç i rreptë”, Kruja “skanon” ekipin: Kemi ndryshuar, do luajmë për objektiva të mëdhenj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 21:26

“Brdariç i rreptë”, Kruja “skanon” ekipin: Kemi ndryshuar, do luajmë për objektiva të mëdhenj

Arsid Kruja po kthehet në një lider për mesfushën e Vllaznisë. Nëse një sezon më parë ka luajtur me “hope” (1949 minuta të shpërndara në 30 ndeshje), këtë vit e ka fituar direkt besimin e trajnerit të ri. Dhe për ta vërtetuar këtë, mjafton të shohësh që ai është përfshirë si titullar në të gjitha miqësoret e zhvilluara.

arsid kruja

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari analizon fazën përgatitore, merkaton, por edhe risitë që ka sjellë Tomas Brdariç në ekip. Shkodrani evidenton rreptësinë e gjermanit, ndërsa paralajmëron se do ta nisin kampionatin me synime të mëdha.

Arsid si ju duket kjo Vllazni, krahasuar me atë të sezonit të fundit?

Skuadra duket më ndryshe nga një vit më parë. Këtë e them duke iu referuar edhe faktit që shumica e lojtarëve janë afruar rishtas, e megjithatë po përshtaten shumë shpejt me grupin.

A është gjë e mirë që skuadra është formatuar thuajse nga fillimi?

Ndryshimet e mëdha ndonjëherë janë të mira, por ka raste që rezulton edhe e kundërta. Te ne nuk mendoj se do të ndikojë për keq, pasi lojtarët që kanë ardhur kanë cilësi dhe kjo do të na ndihmojë shumë për sezonin 2020-2021.

Jeni gati për ta nisur me pretendime të mëdha këtë sezon?

Normalisht që jemi të gatshëm, pasi edhe stafi po bën një punë shumë të mirë. Po stërvitemi intensivisht çdo ditë, në mënyrë që të përballemi me çdo ekip të Kategorisë Superiore në mënyrë dinjitoze.

Çfarë objektivash ju kanë vendosur drejtuesit?

Objektivi është zona “Euro”. Ky kompeticion i mungon Shkodrës me vite dhe ka ardhur koha që të rikthehemi edhe ne. Me ardhjen e sponsorit të ri dhe mbi të gjithë me punë e përkushtim, do ia dalim.

Mendoni se skuadra ka ende nevojë për përforcime?

E mira është që të ketë sa më shumë lojtarë, pasi konkurrenca i bën mirë çdo ekipi.

Cila është risia që ka sjellë trajneri Brdariç në Shkodër?

Stërvitje të fortë dhe intensive. Brdariç dallohet edhe për rregullin e disiplinën e lartë, është shumë i rreptë.

Kampionati është shtyrë pa afat, çfarë ndikimi ka kjo te Vllaznia?

Ne na ndihmon, pasi u jep kohë lojtarëve të ardhur që të kapin formën fizike dhe bëhen njësh me ekipin. Do të kemi më shumë mundësi që ta njohim njëri-tjetrin në lojë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"