“Brdariç, gjetja e Vllaznisë”, Xhahysa: Ja çfarë i favorizoi shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 21:09

“Brdariç, gjetja e Vllaznisë”, Xhahysa: Ja çfarë i favorizoi shkodranët

Ish-futbollistët kampionë të Vllaznisë para 20 viteve, janë të mendimit se tani kjo skuadër e dy dekadave më pas, është e denjë për të kthyer trofeun në Shkodër. Megjithatë, ata kërkojnë që skuadra të jetë me këmbë në tokë dhe të vijojë me këtë ritëm. Një prej tyre është edhe ish-sulmuesi, Altin Xhahysa. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai beson te puna që ky grup me stafin teknik me në krye teknikun Brdariç po bën pa u ndalur.

Xhahysa

Vllaznia duket se e nisi aty ku e la…

Vllaznia ka arritur që jo vetëm të na kënaqte në pjesën e parë të sezonit deri në fund të vitit, po më vjen mirë që ekipi e nisi pikërisht aty ku e la, duke marrë një fitore dhe për më tepër me lojë bindëse përballë Teutës.

Si i shikoni veprimet e teknikut edhe në takimin e fundit ndaj Teutës?

Fitorja ndaj Teutës ishte shumë e rëndësishme në shumë aspekte. Por mendoj se Vllaznia fitoi edhe në aspektin taktik të gjërave. Trajneri Brdariç e shikon me shumë vëmendje takimin dhe ajo që konstatoi është se ai gjithmonë di që të organizojë ekipin. Në takimin e fundit, nuk u kuptua nëse ishte Teuta me 10 lojtarë apo ishte ekipi ynë. Dhe këtu është merita e padiskutueshme e trajnerit. Ardhja e këtij trajneri ka qenë gjetja më e mirë e kësaj Vllaznie.

Tekniku Bradriç ka shumë besim te formacioni i parë, por në veçanti edhe te portierët…

Kjo është e drejtë, pasi rezultatet ta japin atë besim. Bën mirë tekniku që jep një mbështetje edhe për portierin. Ai ka nevojë për këtë mbështetje. Duhet thënë se edhe portieri po bën mirë punën e tij. Mbrojtja fillon që në sulm dhe mbaron te portieri, e kundërta thuhet për sulmin.

Pozitive që u ndërpre kampionati në verë?

Fillimi i kampionatit me vonesë ishte një gjë pozitive për Vllazninë. Ne duhet që të shfrytëzojmë edhe problemet e ekipeve të tjera. Nëse Vllaznia vijon me këtë harmoni brenda saj, edhe e ardhmja do të jetë pozitive.

Vllaznia përgjatë gjithë ndeshjeve është sa në sulm në mbrojtje, cili është çelësi i suksesit?

Ajo që shikoj te kjo Vllazni është freskia fizike. Për më tepër, trajneri Brdariç i kërkon ekipit të tij që më tepër të lodhin topin, sesa të lodhen vetë. Topi është në këmbët e kuqebluve përgjatë gjithë kohës. Lojtarët nuk lodhen me topin në këmbë, njëkohësisht po lodhin kundërshtarët.

vllaznia (1)

Si i shikoni sulmuesit e Vllaznisë?

Mund të them se të gjitha afrimet janë shumë pozitive. Këtë mund të them edhe për sulmin. Pozitivja te Vllaznia është grupi dhe jo individi.

Kukësi nuk është në momentin më të mirë, duhet të përfitojë Vllaznia?

Kjo nuk ka lidhje, pasi ishte Vllaznia në momentin më të mirë të saj dhe u mund në Shkodër nga Kukësi. Do të ketë edhe Vllaznia një moment jo të mirë. Por pikët e grumbulluara deri tani, të japin të drejtën edhe për të gabuar. Por ne kemi pikët në dispozicion, që na lejojnë që të luajmë më lirshëm se Kukësi. Nëse atyre u duhet vetëm fitorja, ne edhe barazimi nuk na prish aq shumë punë. Duhet që të vazhdojmë me këtë qetësi.

Më mirë një Vllazni me tifozë apo pa tifozë?

Tifozët e Vllaznisë kanë një gjë tejet pozitive, se nëse luan mirë, ata të mbështesin. Këtë Vllaznia, edhe nëse nuk do të ishin të gjithë këto rezultate pozitive, mund të them se kjo skuadër do të ishte duartrokitur dhe mbështetur shumë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"