Brdariç: E kemi studiuar Tiranën, s’ndikohemi nga përplasjet në klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 10:11

Brdariç: E kemi studiuar Tiranën, s’ndikohemi nga përplasjet në klub

Vllaznia e trajnerit Tomas Brdariç vijon rrugën e suksesit edhe në ndeshje miqësore. Në kuadër të përgatitjeve për klasiken e së shtunës me Tiranën, që do të luhet në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë zhvilluar dje një ndeshje miqësore me kosovarët e Drenicës në Kamzë. Trajneri Brdariç ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e të tijve dhe testin e pa të arsyeshme që të luajnë në transfertë, pasi në Shkodër kushtet stërvitore janë të këqija. Sipas trajnerit gjermano-kroat, Vllaznia është gati për Tiranën dhe ata e kanë studiuar kundërshtarin, i cili së fundmi ka ndryshuar trajnerin. Brdariç pohoi se përplasjet administrative nuk ndikojnë te ekipi, që sipas tij është i bashkuar dhe në formë, ndaj pret rezultat pozitiv edhe ndaj kryeqytetasve.

brdaric

A jeni i kënaqur me paraqitjen që bëri skuadra në këtë miqësore, përpos rezultatit që ishte në favorin e Vllaznisë?

Për ne ishte një mundësi e mirë për t’u stërvitur, pasi në Shkodër nuk kemi kushte të mira për të punuar. Kështu që e shfrytëzuam këtë test për zhvillimin tonë dhe kushdo që është i gatshëm të marrë minuta duke luajtur dhe për të bërë hapa përpara.

Ndeshjen e radhës e keni me Tiranën në kampionat. A e keni skuadrën gati për këtë takim?

Besoj që po. Jemi në krye të renditjes, por kjo nuk do të thotë asgjë. Duhet të jemi të lirshëm, të ruajmë qetësinë, të punojmë fort për suksesin dhe do ta bëjmë këtë gjë në fund.

Keni njohuri për kundërshtarin sesi luan?

Sigurisht që kemi. Kam parë të gjitha videot e ndeshjeve të tyre të fundit. I kemi analizuar ato, por Tirana ka ndryshuar trajnerin tani dhe ndoshta tekniku i ri do ta nisë me ndryshime në formacion ndaj nesh. Gjithsesi, ne do të jemi të përgatitur për çdo gjë.

Përplasjet e lindura mes drejtuesve të lartë të klubit mund të ndikojnë te skuadra juaj para ndeshjes së radhës?

Jo, jo. Është një çështje që ka ndodhur jashtë skuadrës, pasi brenda ekipit jemi shumë të fortë, jemi skuadër fituese dhe do të ecim përpara.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"