Braziliani Xhekson plot besim: Prisni një Luftëtar super, vazhdojmë me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 17:32

Braziliani Xhekson plot besim: Prisni një Luftëtar super, vazhdojmë me fitore

Nuk ka probleme për Xhekson Ferreirën. Edhe pse u dëmtua në sfidën me Teutën, braziliani pritet të jetë në fushën e lojës fundjavën e ardhshme. Problemet që ka në këmbë janë minimale dhe trajneri Mezani e ka ndryshuar gjendjen në ekip. Luftëtari pas pesë javësh “shijoi aromën” e fitores së parë sezonale, falë shpirtit të garës dhe përqendrimit maksimal në fraksionin e 90 minutave në ndeshjen me Teutën.

xhekson

Fitorja 3-1 e arritur nga Luftëtari përballë Teutës të shtunën, pati brenda saj kontributin, luftën e fortë sportive të të besuarve të Gentian Mezanit. Protagonist i fitores së Luftëtarit ishte dhe braziliani Xhekson Ferreira, të cilit në minutën e 79- të iu desh t’i linte vendin Aurel Demos, pas dëmtimit të pësuar gjatë lojës. I pyetur nga “Panorama Sport” për shkallën e dëmtimit dhe për fitoren pas ndeshjes tha: “Nuk mund të luaja dot kur u dëmtova. Tani (në orët e vona të së shtunës) kam pak dhimbje, por s’kam problem. Kam një shembje të lehtë në këmbën e djathtë, e cila nuk më pengon për të qenë i gatshëm në ndeshjen me Kukësin”, tha në fillim Xhekson. Braziliani foli edhe për të ardhmen e ekipit dhe çfarë e pret Luftëtarin në javët në vazhdim.

Sipas tij, atmosfera në ekip ka ndryshuar për mirë dhe kjo është gjë pozitive. “Besoj se tashmë gjërat do të shkojnë për mirë. Me trajnerin e ri do të jemi më të fortë dhe ndeshje pas ndeshje do të ngremë nivelin e lojës dhe do marrim të tjera rezultate pozitive”, u shpreh braziliani. Sot gjirokastritët do të rinisin përgatitjet për Kupën. Fitorja e thellë 4-0 e sigluar në takimin e luajtur në Vorë do t’i shërbejë trajnerit Mezani për të “karikuar” bateritë për transfertën kuksiane. Në ndeshjen e javës së gjashtë Luftëtari do të jetë më i kompletuar në organikë, teksa rikthehet pas skualifikimit qendërmbrojtësi Nemanja Janiçiç.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"