Braziliani u dha trofeun e 14-të spanjollëve në finalen e Parisit, Vinicius: Dua 5-6 Champions me Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 12:17

Braziliani u dha trofeun e 14-të spanjollëve në finalen e Parisit, Vinicius: Dua 5-6 Champions me Realin

Vinicius Zhunior është kthyer një ndër figurat qendrore të Realit të Madridit falë paraqitjes së bërë në sezonin e kaluar me ekipin e Ançelotit. Braziliani shpërtheu, duke qenë ai që i dha dhe Ligën e Kampioneve skuadrës madrilene me golin në finalen e Parisit kundër Liverpulit. Ai pritet të jetë figurë kryesore edhe në finalen e Superkupës së Europës që Reali do të zhvillojë të mërkurën në Helsinki përballë Eintrahtit të Frankfurtit, fitues i Ligës së Europës. Si një nga lojtarët që ka shkruar emrin e tij në listën e golashënuesve në finalen e Ligës së Kampioneve, Vinicius ka dhënë një intervistë për “UEFA.com”, duke u ndalur në një sërë temash dhe natyrisht dëshirën për të triumfuar në Finlandë.

VIniciusJr - cropped

SUPERKUPA E EUROPËS

“Objektivi ynë është të fitojmë sa më shumë ndeshje. Kështu do të shtonim shanset për të fituar trofe. Një ndër to është dhe Superkupa e Europës. Mendoj se jemi plotësisht të përgatitur për të fituar trofeun e parë të sezonit. Do të ishte një shtysë për ne nëse e nisim me një kupë”.

MOMENTI I PREFERUAR

“Do të thosha ndeshja kundër Mançester Sitit në ‘Bernabeu’. Për dy minuta u fut Rodrigo dhe shënoi dy gola që na çuan në finale. Unë mendoj se ai ishte momenti kyç i sezonit në Ligën e Kampioneve”.

LIGA E KAMPIONEVE

“Ishte një moment shumë i rëndësishëm, i veçantë për ne, për mua personalisht dhe për të gjithë skuadrën. Kishim zhvilluar një sezon mbresëlënës deri në atë moment. Dhe natyrisht te të gjithë mbizotëronte dëshira për ta mbyllur me qershinë mbi tortë, Ligën e Kampioneve. Sa për mua, gjithnjë e them se kam edhe 15 vjet karrierë përpara dhe nuk e di se kur do të jetë finalja e ardhshme për mua. Ndaj, çdo finale duhet shfrytëzuar plotësisht. Pastaj shënimi i golit të fitores më ka dhënë një ndjesi të papërsëritshme. Është e pamundur ta përshkruar me fjalë. Vetëm ata që i kanë jetuar finale të tilla, vetëm ata që e kanë përjetuar futbollin sikurse ne në sezonin e kaluar, e kuptojnë rëndësinë dhe lumturinë e atyre momenteve”.

ANÇELOTI

“Ai ka ditur të marrë më të mirën nga të gjithë. Na trajton si të ishim fëmijët e tij, na përçon besim e qetësi”.

E ARDHMJA

“I admiroj të gjithë lojtarët që kanë luajtur në klubin më të madh në botë. Ndaj dua t’u ngjasoj atyre, të fitoj sa më shumë. Dua të fitoj 5-6 herë të tjera Ligën e Kampioneve si disa prej legjendave të këtij klubi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"