Braziliani Silvinjo e merr seriozisht, Skuka kandidat për sulmin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 22:23

Braziliani Silvinjo e merr seriozisht, Skuka kandidat për sulmin e Kombëtares

Silvinjo duket se e ka marrë me vrull punën e re në Kombëtaren shqiptare. Trajneri brazilian është në fazën kur po vëzhgon me detaje të gjithë futbollistët kuqezinj dhe këtë po e bën në mënyrë intensive. Bashkë me stafin e tij, ai ka ndjekur shumë ndeshje gjatë kësaj kohe, si në Turqi për Lenjanin apo në Portugali për Enea Mihajn.

silvinjo duka zabaleta doriva

Një vëmendje të veçantë ai i ka dhënë edhe lojtarëve që janë në Serinë A, duke qenë se largësia është më e vogël dhe numri i tyre është më i lartë në këtë kampionat, duke i ndjekur edhe më shumë se njëherë. Përveç futbollistëve ekzistues në listën e Edi Rejës, nuk dihet nëse Silvinjo ka pikasur ndonjë element të ri që do të afrojë dhe kjo mbetet për t’u parë.

SILVINJO

Gjatë këtij viti që kaloi ka pasur disa elementë të cilëve nuk iu është dhënë shansi me fanellën kuqezi, ndërkohë që pritet nëse kjo gjë mund të ndryshojë me ardhjen e stafit të ri, edhe pse puna e tyre do të fokusohet më shumë te strategjia për të kualifikuar Shqipërinë në Europianin e Gjermanisë në vitin 2024.

MIQËSORE E DETYRUAR- Një ndeshje miqësore për Silvinjon patjetër që do të jetë një bonus, përpara se të debutojë në një fushatë kualifikuese me Poloninë në transfertë. Aktualisht Federata Shqiptare e Futbollit po diskuton për të vendosur një miqësore, e cila do të luhet katër ditë përpara ndeshjes me Poloninë.

Ky është edhe një detyrim nga UEFA për të luajtur një miqësore, duke qenë se është një grup me pesë skuadra, ndërkohë që të tjerët janë në një grup me gjashtë skuadra. Kjo miqësore që ende nuk është zyrtarizuar, do të luhet më datën 23 mars, katër ditë përpara nisjes së eliminatoreve të “Euro 2024”.

SKUKA KANDIDAT PËR SULMIN- Në ndeshjet e fundit të Edi Rejës në krye të stolit të Shqipërisë, iu dha shansi disa lojtarëve të rinj nga Superiorja që të debutonin, si Skuka, Cara apo Hadroj, më parë gjatë miqësoreve me Katarin dhe Arabinë, kishte edhe elementë të tjerë si Xhixha, Gurishta, Bitri dhe shumë emra të tjerë.

Foto: F. Hazisllari

Foto: F. Hazisllari

Ndërkaq, edhe pse nuk ka kaluar shumë kohë, kanë ndodhur zhvillime të reja te Shqipëria. Reja nuk është më trajner dhe tashmë këta lojtarë i kanë llogaritë me Silvinjon. Tre lojtarë janë transferuar në dy ditët e fundit jashtë Shqipërisë dhe mes tyre edhe Xhuliano Skuka, i cili shkëlqeu edhe në ndeshjen e fundit të përfaqësueses ndaj Armenisë ku shënoi edhe gol.

skuka

Sulmuesi që u transferua te Metzi në Francë, tashmë i ka rritur kuotat në ekipin kombëtar, pasi bëhet një kandidat për sulmin e Shqipërisë në kualifikueset e radhës. Duke parë që mungesa e Brojës tashmë dihet, dëmtimet e shpeshta të Rei Manajt apo largësia e Xhakomo Vrionit, i jep Skukës një avantazh në këtë pjesë, pa dyshim që kjo do të mbështetet edhe me performancën që do të ketë Xhuliano në Francë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"