Braziliani i Kastriotit: Me Nicën prodhojmë lojë, mbijetesa një mision i mundshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 17:47

Braziliani i Kastriotit: Me Nicën prodhojmë lojë, mbijetesa një mision i mundshëm

Kastrioti arriti të merrte një fitore të rëndësishme të dielën ndaj Kamzës, trepikësh që i jep shpresa për mbijetesë. Roxher Xhunior, ishte protagonist te goli i parë, por edhe arriti që të shënonte edhe golin e tretë të ndeshjes, i cili vulosi takimin 3- 0. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon këtë 90-minutësh, si edhe tregon se kjo fitore është fryt i punës së palodhshme të trajnerit dhe lojtarëve në çdo seancë stërvitore. Xhunior deri më tani ka të shënojë 4 gola me krutanët, ndërsa synon që të shënojë më shumë, në mënyrë që të ndihmojë skuadrën në vazhdim.

roxher zhunior

“Jam shumë i lumtur që skuadra u rikthye te fitorja. Kishim disa ndeshje që ishim shumë pranë marrjes së pikëve, pasi po zhvillonim lojëra të mira, por nuk kishim fat. Por më në fund na buzëqeshi me këtë fitore, e cila na rrit edhe moralin. Ky triumf është fryt i punës së skuadrës, por edhe trajnerit të ri, i cili ka futur një frymë tjetër. Gjithkush e ka parë që me Nicën, loja ka ndryshuar. Jam shumë i kënaqur me kthesën dhe besoj që nëse do vazhdojmë të luajmë kështu, nuk do të jetë çudi të marrim pikë edhe jashtë fushës sonë”, tha fillimisht Roxher.

Pyetjen nëse Kukësi është bërë “pishman” që e huazoi, sulmuesi preferoi që ta shmangë: “Nuk kam dëshirë të flas për këtë pjesë”. Braziliani u ndal edhe tek objektivat, ndërsa theksoi se mjaftohet vetëm me mbijetesën e Kastriotit. “Nuk është se kam një objektiv personal për t’u bërë golashënues. Synimi i vetëm është të jap maksimumin, në mënyrë që të arrijmë të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të qëndrojmë në kategori. Besoj se kjo gjë është e mundur, pasi me përjashtim të skuadrave të kreut, pjesa tjetër është e të njëjtit nivel dhe, siç e thashë më lart, mund të marrësh pikë në çdo fushë”, përfundoi Roxher Xhunior.

PLANI – Pas pushimit, Kastrioti do t’u rikthehet sot seancave stërvitore. Duke përfituar nga pauza e kampionatit, krutanët me shumë mundësi do të grumbullohen disa ditë në Krujë, pasi tekniku Stavri Nica ka programuar një minifazë disaditore.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"