Brazilianët: Nuk na japin më penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2014 | 17:11

Brazilianët: Nuk na japin më penallti

BraziliTe Brazili ka shumë indinjatë për një penallti të mohuar në përballjen ndaj Meksikës. Në një zë, trajneri i “seleçao”-s dhe lojtarët verdhejeshilë shfaqin pakënaqësinë për vendimin penalizues ndaj tyre në takimin e dytë, i cili ka ardhur i ndikuar nga debati për favorizim në sfidën hapëse ndaj Kroacisë. Shumë kritika erdhën anembanë botës nga tifozët, pasi Fred mori një penallti që u konsiderua e paqenë. Pas përfundimit të takimit ndaj Meksikës, një gazetar meksikan e pyet trajnerin e Brazilit se çfarë mendon për heroin e ndeshjes, portierin Oçoa. “Unë nuk e kam shumë qejf atë për momentin. Por kam edhe unë një pyetje për ju (gazetarët): Tani nuk ka më penallti për Brazilin? Po ju pyes, se ju, e vetmja gjë që keni bërë, ka qenë të kritikoni Fredin”. Skolari iu referua një rasti që ka të bëjë me një ndërhyrje brenda zonës së rreptësisë ndaj Marselos nga Raul Jimenezi, që sipas verdhejeshilëve duhej dhënë penallti. Ai foli gjithashtu edhe për Nejmarin. “Ai nuk mundet t’i fitojë dhe as t’i humbasë takimet i vetëm. Është pjesë e grupit”.
Tiago Silva – Kapiteni i “seleçao”-s pretendon se kombëtares së tij i është mohuar një penallti ndaj Meksikës. “Kundër Kroacisë, pyetjet e para ishin për arbitrin. Kurse këtë herë, një pyetje e tillë erdhi pasi ishin bërë 10 më parë. Në pozicionimin ku unë isha, vërejta që penalltia ishte ndaj Marselos. Megjithatë, nuk më pëlqen që të flas për këto gjëra. Edhe pse është diçka e mirë që ju e përmendët paksa, sepse nëse e mendoni, jehona e penalltisë së Fredit mund të ketë ndikuar. S’kam dyshim se nëse s’do ishte folur kaq shumë sa këtë rast, ndaj Meksikës, ne do ne jepej penalltia”.
Marselo – Edhe protagonisti i takimit këmbënguli se arbitri i mohoi atij penalltinë. “Kur unë kontrollova topin, kundërshtari kapi shpatullën time. Dhe përderisa më tërhoqi brenda zonës së rreptësisë, atëherë ishte penallti. Ai më tërhoqi, nëse nuk do ta bënte, unë do ta kisha marrë topin dhe më pas do ta krosoja te një nga shokët e ekipit”, deklaroi mbrojtësi i majtë i “seleçao”-s.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"