Brazilianët, jetike siguria në prapavijë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 16:08

Brazilianët, jetike siguria në prapavijë

BraziliBrazili është dalluar për sulmin dehës përgjatë historisë, por në këtë kampionat botëror gjendja është përmbysur. Një rol kyç në sukseset e “Seleçao”- s luan mbrojtja e përbërë nga dyshja e qendrës Tiago Silva – Daivd Luiz, dhe Paulinjo e Luiz Gustavo në krahë. Një ndryshim i tillë në mënyrën e të perceptuarit të lojës ka bërë që verdhejeshilët ta mbajnë portën e paprekur në shtatë nga 9 takimet e fundit. Tashmë “Seleçao” funksionon si një grup i bashkuar dhe i përkushtuar në çështjen që zgjedh të ndjekë. Dhe, pavarësisht asaj që mund të ndodhë me verdhejeshilët përballë portës kundërshtare, e sigurt është që garancia në mbrojtje nuk do të mungojë, derisa në stol të kenë një trajner si Felipe Skolari.
Nejmar – Ylli i ekipit, Nejmar, e ka cilësuar si vital repartin mbrojtës, pas barazimit të fundit ndaj Meksikës. Ylli i verdhejeshilëve gjykon se pikërisht ky repart do të jetë thelbësor jo vetëm në sigurimin e kualifikimit për në 1/ 8-at, por edhe në fazat pasardhëse. “Për ne mbrojtja është kthyer në një karakteristikë jetike. Kemi treguar se jemi shumë të fortë në prapavijë që nga koha e Kupës së Konfederatave”. Lojtari i Barçës thekson se saktësia në mbrojtje i ndihmon ata të jenë më sulmues. “Edhe nëse nuk arrijmë të shënojmë në ndonjë takim, nuk mund të bëjmë ndryshime në prapavijë. Kjo na jep neve gjithashtu më shumë shanse që të bëjmë më shumë sulme. Nëse ne gjatë gjithë kohës jemi në gatishmëri, mund të përpiqemi që të fitojmë topin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ylli brazilian.
David Luiz – Mbrojtësi i qendrës, David Luiz, ka vlerësuar nga ana tjetër Nejmarin dhe Oskarin për përmirësimin që kanë bërë në aspektin mbrojtës. Sipas lojtarit të ri të PSG-së, një ndikim të madh ka pasur eksperienca e tyre në Europë. Sipas tij, kjo mënyrë e të luajturit është thelbësore, nëse ekipi ndodhet në një ditë kur topi nuk do të hyjë në portë. “Është pjesë e imazhit tonë tani. Të jesh i fortë në mbrojtje është një tipar i futbollit modern dhe është diçka që skuadra jonë e bën shumë mirë. Çdokush sulmon dhe çdokush humbet. Dhe një karakteristikë e tillë ka evoluar gjatë kohës te ne dhe lojtarë si Nejmari dhe Oskar, që luajë në Europë, kanë arritur të përshtaten mirë. Ka ditë kur topi s’do të hyjë në punë. Nëse ne nuk e lëmë rivalin të shënojë, kemi bërë një hap përpara drejt fitimit të lojës”.
Bernard – Sulmuesi i krahut të majtë, Bernard, gjykon se filozofia e re e përcjellë nga trajneri Skolari i shërben Brazilit. “Gjatë një loje, Skolari është i aftë të shikojë situata ku ne kemi mundësi që të përfitojmë nga rivalët tanë. Ai na kërkon ne që të ndryshojmë pozicionet për pak, ose të përpiqemi të krijojmë më shumë aksione sulmuese. Dhe diçka e tillë, e sigurt që funksionon. Ishte në të majtë kur unë furnizova me një krosim që u godit nga Tiago Silva me kokë dhe që për pak përfundoi në rrjetë, nëse s’do ishte për portierin meksikan”. Një nga detyrat që tekniku u ka dhënë lojtarëve të tij, është që të rimarrin topin. “Në futbollin e kohëve të sotme, të bësh presion e të rifitosh topin është diçka që pritet nga çdo futbollist. Nuk përbën asnjë diferencë për sulmues krahu siç jam unë, pavarësisht se në cilin krah je i pozicionuar”.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"