Brazili rigjen Nejmarin, Tite: Ndaj Koresë së Jugut do të luajë ai dhe 10 të tjerë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 11:28

Brazili rigjen Nejmarin, Tite: Ndaj Koresë së Jugut do të luajë ai dhe 10 të tjerë!

Ashtu siç ishte menduar, pavarësisht përgënjeshtrimit të të atit të tij, se do të ishte gati vetëm për finalen, trajneri i Brazilit, Tite, do t’i besojë Nejmarit që të udhëheqë sulmin ndaj Koresë së Jugut, mbrëmjen e sotme. Madje, në konferencën për shtyp ai ishte aq i lumtur për të dhënë këtë lajm, sa në një moment vuri në turp edhe Tiago Silvën që e shoqëronte në konferencën për shty:

NEJMAR 1

“A do të luajnë Tiago dhe Nejmar ndaj Koresë? E sigurt është që Nejmar do të jetë në fushë nga minuta e parë, ndërsa 10 të tjerët nuk mund t’i them dot, – bëri Tite hyrjen e tij, ndërsa Tiago Silva që po e shihte në sy, lëvizi, uli menjëherë kokën, pasi këtij konstatimi. – Nejmar është stërvitur shumë mirë ditën e sotme (dje), por nëse do ta bëjë mirë këtë gjë edhe mëngjesin e nesërm (sot), atëherë do të jetë normalisht në fushë. Ndërkohë, ka rikuperuar edhe Danilo, ndërsa Aleks Sandro jo”.

Kështu, lidhur me kundërshtarin, trajneri i Brazilit kërkon përqendrim maksimal: “Tani është momenti që nuk tolerohen më gabime, siç bëmë ndaj Kamerunit. Koreja e Jugut u kualifikua në një grup shumë të fortë dhe kjo bën që ta respektojmë maksimalisht kundërshtarin.

Nuk dua të shoh më gabime në fazën sulmuese, por të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje, pasi koreanët janë shumë të shpejtë në kundër sulm, siç treguan ndaj Portugalisë.

Gjithsesi, unë kam shumë besim te futbollistët e mi dhe jam i sigurt se pas humbjes me Kamerunin e kemi kuptuar se çfarë shkon dhe jo. Pastaj, në sfida si këto me eliminim direkt ne dimë të ekzaltohemi. Ka ardhur momenti të tregojmë forcën tonë të vërtetë”, përfundoi Tite.

KURAT PËR NEJMARIN – Lidhur me prezencën e numrit 10 të “Seleçaos” si titullar në sfidën e mbrëmjes së sotme, Nejmar do të ketë të gjithë stafin e tij mjekësor në dispozicion dhe në regjim të plotë gatishmërie.

Arsyeja është se sulmuesi do të mbajë një fashaturë të lehtë në kavilje, e cila edhe mund të ndërrohet mes pjesëve të lojës, por gjithashtu në momente të ndryshme ai do të trajtohet edhe me një sprucues, me një spraj antidhimbje, për të luajtur i qetë ndaj Koresë.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"