Brazili, një ekip i pamëshirshëm/ Jo vetëm fitojnë, por prej dy ndeshjesh nuk pësojnë asnjë goditje në portën e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2022 | 21:40

Brazili, një ekip i pamëshirshëm/ Jo vetëm fitojnë, por prej dy ndeshjesh nuk pësojnë asnjë goditje në portën e tyre

Sigurisht që dëmtimi i Nejmarit është një dramë më vete, një lajm që të gjithë do të donin ta kishin shmangur, sepse shifrat flasin qartë që kur sulmuesi është pjesë e “Seleçaos”: Me atë në fushë amerikano-jugorët fitojnë 81 për qind të ndeshjeve.

BRAZIL

Nëse nuk është garanci kjo… Por ky Brazil është më shumë sesa thjesht Nejmar, është më shumë sesa driblime e spektakël, siç tregoi edhe ndeshja me Zvicrën, pas fitores së lehtë në debutim ndaj Serbisë, ndonëse pikërisht loja e mirë që bënë tërboi dhe dërgoi në ashpërsi të tepruar ballkanasit që të çonin në goditjet e ashpra dhe të dëmtonin si Nejmarin, ashtu sikurse Danilon.

Gjithsesi, e rëndësishme tani është që dy titullarët janë në fazë riaftësimi dhe ndoshta mund të rishihen në fushën e lojës me rastin e 1/8-ave, pikërisht atëherë kur gjërat do të nisin të bëhen edhe më serioze sesa kaq. Por deri atëherë, ato mund të vazhdojnë që të fitojnë, të mësojnë të luajnë edhe pa Nejmarin dhe të rrisin përqindjen e fitoreve pa liderin e sulmit përtej 63 përqindëshit. Prandaj, kush mendonte se ky formacion nuk dinte që të luante pa Nejmarin, atëherë e mori përgjigjen…

REKORD ABSOLUT – Në sfidën e dytë të grupit, Brazili luante jo vetëm për biletën e 1/8-ave të “Katar 2022”, por kërkonte dhe arriti të vendosë një rekord absolut të historisë së Kupës së Botës. Kjo, pasi ndaj Zvicrës erdhi ndeshja e tyre e 17-të radhazi, në të cilën nuk njohin “shijen” e humbjes në fazën e grupeve dhe diçka e tillë nuk është pak (e fundit, 2-1 ndaj Norvegjisë, në Botërorin “Francë ‘98″).

MBROJTJE E HEKURT – Dhe nëse Nejmari shënon dhe sulmi ndoshta ka më pak fuqi goditëse, cili është sekreti për t’i lehtësuar punën Viniciusit me shokë? Shumë e thjeshtë, mbrojtja…

Ky repart shpesh i është kritikuar Tites, duke qenë se ai këmbëngul ende te një si Tiago Silva që përgatitet shpejt të prekë të 40-at. Por edhe në këtë rast të gjithë kritikëve u është dashur që të heshtin, të fshihen, sepse në të njëjtën ndeshje, sërish kundër Zvicrës, “Seleçao” barazoi rekordin e Francës në shtëpi, në 1998-ën, si të vetmet skuadra që në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve nuk kanë pësuar ende goditjen e parë në kuadrat.

Por a mjafton vetëm kaq për të treguar se janë vërtet pretendentë? Nëse nuk ju mjaftojnë dy fakte, ja tek vjen edhe një i tretë që blindon premisat dhe parashikimet se është Brazili favoriti absolut për fitoren në Katar: Për herë të parë në historinë e tyre, verdhegjelbrit e nisin fazën e grupeve duke mundur dy kombëtare europiane në dy ndeshjet e para të grupit.

Dhe kaq duhet për ta quajtur Brazilin, të paktën deri tani, një makineri perfekte, një skuadër të pamëshirshme, e cila ndoshta do të kërkojë dhe provojë që të zgjerojë edhe më shumë rekordet e saj në ndeshjen e fundit në grup, kundër Kamerunit, të premten.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"