Brazili marshon drejt gjysmëfinales falë… mbrojtjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2014 | 8:45

Brazili marshon drejt gjysmëfinales falë… mbrojtjes

David Luiz gooolBRAZIL – KOLUMBI  2-1
Golat: T.Silva 7′, D.Luiz 69′ / Rodrigez 80′ (P)
BRAZIL (4-2-3-1): Hulio Sezar, Maikon, Tiago Silva, David Luiz, Marselo, Paulinjo (Hernanes 86′), Fernandinjo, Hulk (Ramirez 83′), Oskar, Nejmar, Fred Trajner: Luiz Felipe Skolari.
KOLUMBIA (4-4-2): Ospina, Zuniga, Jepes, Zapata, Armero, Kuadrado (Kuintero 80′), Sançez, Guarin, Ibarbo (Ramos 46′), Rodrigez, Gutierrez (Baka 70′) Trajner: Hoze Pekerman
KARTONË TË VERDHË: H.Sezar, T.Silva / Jepes, Rodrigez
GJYQTAR: Karlos Velasko

Skuadrat e mëdha dallohen sepse japin maksimumin në ndeshjen më të rëndësishme. Ndaj, nuk është aspak surprizë që Brazili realizon paraqitjen e tij më të mirë në Kupën e Botës sivjet, duke mundur Kolumbinë me rezultatin 2-1. Skuadra e Pekermanit nuk arrin të ngjisë një shkallë më shumë, duke u shndërruar nga ekipi i bukur me shumë talent, te një skuadër triumfuese. Mbase, edhe sepse s’mundi të tregojë të gjithë potencialin që zotërojnë kundër “seleçao”-s. Por, edhe pse tifozët vendës prisnin “samba” nga ekipi i tyre, atë e dhuruan… mbrojtësit. Paradoksale kur mendon se cilët janë yjet e repartit sulmues të “seleçao”-s, gjithsesi Tiago Silva dhe një perlë e David Luizit vulosën triumfin.
Formacionet Trajneri i Kolumbisë hedh Ibarbon që nga minuta e parë, në vendin e Xhekson Martinezit. Nuk rezultoi një lëvizje e suksesshme, duke parë që u zëvendësua sapo përfundoi pjesa e parë. I dyshimtë edhe vendimi për të aktivizuar Guarinin në vendin e Aguilarit, duke qenë se futbollisti i Interit luajti më i tërhequr dhe nuk mundi të vërë në dukje cilësitë e tij. Nga ana tjetër, Skolari aktivizoi Maikonin për Dani Alveshin, ndërkohë që “shkatërruesit” para mbrojtjes ishin Fernandinjo dhe Paulinjo.
Pjesa e parë Ndeshja nisi me një ritëm të lartë dhe të pritshëm, duke ditur edhe që kolumbianët nuk kishin ndër mend të mbroheshin. Por, kur dukej se miqtë po fitonin terren, vjen edhe goli që zhbllokoi rezultatin. Pas një krosimi në zonë, Sançezi humbi mbulimin e Tiago Silvës, i cili shtyu topin drejt rrjetës me gju. Një gol që ngriti peshë të gjithë të pranishmit në stadium, por nuk i zbehu shpresat e Kuadrados me shokë. Lojtari i Fiorentinës ishte iniciuesi i aksioneve të rrezikshme, por edhe “autori” i shpërdorimeve. Pas dy rastesh ku Hulk “flirtoi” me golin, mendoi Kuadrado për të bërë të njëjtën gjë. I pafalshëm ishte pasimi i gabuar në një kundërsulm të rrezikshëm, kur gjendeshin tre kolumbianë, përballë vetëm dy kundërshtarëve. Edhe pse me shumë ndalesa për shkak të ndërhyrjeve të ashpra, pjesa e parë u mbyll me një lojë të hapur dhe me mundësi për të shënuar sërish.
Pjesa e dytë “Seleçao” u duk disi më e tërhequr, në mbrojtje të avantazhit dhe me shpresën për të përfituar me kundërsulme. Ndërkohë, skuadra e Pekermanit, përveç këmbënguljes dhe dëshirës së madhe, e pati të vështirë të gjejë hapësira. Krosimet nga krahët, gjuajtjet nga distanca apo aksionet individuale të lojtarëve, nuk patën sukses. Por, kur dukej se po afronte goli që mund të ekuilibronte ndeshjen, erdhi edhe “bomba” e David Luizit në minutën e 69-të. Me një goditje dënimi nga 28 metra, ai shkundi rrjetën e Ospinës me një gjuajtje “predhë”. Një tjetër mbrojtës qendre, që bëri goledorin për Kombëtaren. Edhe pse pritej që ai të ishte goli i qetësisë, gjërat ndryshuan dhjetë minuta para fundit të kohës së rregullt. I sapofuturi në fushë Karlos Baka, fiton një 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të Hulio Sezarit brenda zonës. Penallti e ekzekutuar saktë nga talenti Rodrigez, i cili kapi kuotën e gjashtë golave. Por, përveç statistikës dhe ngushtimit të avantazhit, ishte një rrjetë që nuk pati më tepër vlera. Kolumbia i dha fund aventurës në Kupën e Botës, por largohet me kokën lart. Brazili triumfoi 2-1 dhe siguroi kualifikimin, pavarësisht se ishte një “biletë” me shumë sakrifica. Tiago Silva do mungojë kundër Gjermanisë për shkak pezullimi, ndërkohë që Nejmar shqetësoi me daljen e tij me barelë nga fusha e lojës…

Nejmar i rrezuar pertokeNejmari përfundon në spital, Skolari: Mungon me Gjermaninë
Nejmar mban në ankth trajnerin Skolari dhe Kombëtaren e Brazilit. Ylli i “seleçao”-s doli nga fusha e lojës në minutën e 87-të mes dhimbjeve dhe me barelë, pas goditjes që mori në shpinë prej Zunigës. Lojtari është transportuar menjëherë në spital, ku u është nënshtruar të gjitha testeve, prej të cilëve priten edhe përgjigjet. Disa media braziliane bëjnë me dije se Nejmar është në dyshim për ndeshjen e ardhshme kundër Gjermanisë, për shkak se ka pësuar një frakturë, por ende nuk është konfirmuar përgjigjja e mjekëve. Gjithsesi, pas Tiago Silvës, ai do ishte një tjetër mungesë shumë e rëndë për ekipin, duke qenë se janë edhe dy futbollistët që kanë udhëhequr skuadrën deri tani. Skolari – “Nejmar shkoi në një klinikë private, pas ndihmës mjekësore që mori në stadium. Ka shumë dhimbje. Presim të bëhen edhe analiza të tjerë. Gjithsesi, fola me mjekun dhe më tha se ka pësuar një dëmtim në shtyllën kurrizore. Nuk besoj se do jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme ndaj Gjermanisë”, tha trajneri i Brazilit pas ndeshjes.

NOTAT
BRAZILI
SEZAR 5,5 – Deri në minutën e 78-të nuk duhet të bëjë asnjë ndërhyrje, por ajo dalja kundër Bakës… Rrezikonte të kuqin, por edhe të komprometonte kualifikimin e Brazilit.
MAIKON 6 – Përpiqet të shtyjë në të djathtë, por nuk bën gjërat që do në krahun e Armeros. Në mbrojtje arrin të mbulojë mirë dhe pengon lojtarin e Udinezes që të bëjë lojën e tij.
LUIZ 8 – Impresionues në fazën mbrojtëse, anulon Gutierrezin dhe më pas Ramosin. Vendimtar edhe në fazën sulmuese, sepse arrin të marrë me vete 3 lojtarë kundërshtarë te goli i parë duke nxjerrë Tiago Silvën të lirë, ndërkohë që realizon edhe një gol të magjishëm që vulosi kualifikimin e Brazilit. Më shumë se kaq…
Tiago SILVA 7,5 – Edhe ai i pakalueshëm në mbrojtje dhe realizon golin e avantazhit. Merr një gjysmë vote më pak sepse mori atë karton të verdhë duke humbur gjysmëfinalen.
MARSELO 7,5 – Nga ana e tij kalojnë dy “trena” si Kuadrado dhe Zuniga, por ai arrin t’i mbulojë mirë të dy duke mos iu nënshtruar shpejtësisë së tyre. I shkëlqyer.
PAULINJO 6,5 – Diferencën e bën mesfusha dhe dje në mbrëmje fitoi ajo e Brazilit. Kjo edhe sepse Paulinjo bëri ndeshjen më të mirë deri tani.
FERNANDINJO 7,5 – Dominues absolut në mesfushë dhe zhvilloi ndeshjen më të mirë të këtij Botërori. Ndoshta meritonte të verdhin për disa ndërhyrje të ashpra, por gjithsesi lejoi të kalonin shumë pak topa.
OSKAR 5,5 – Ashtu si kundër Kilit, shihet shumë pak. Luan shumë i tërhequr dhe nuk arrin të japë mbështetje në sulm.
HULK 5,5 -Shumë i paqartë në fazën sulmuese. Pati raste për të bërë shumë më tepër. (Nga 83′ RAMIRES 6 – Hyn dhe bën më të mirën e tij duke fituar dy goditje standarde që humbën rreth 2 minuta kohë).
NEJMAR 6 – Disa dribling që vënë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare, por nuk është vendimtar për Brazilin në sulm.
FRED 5 – Nuk arrin t’i japë thellësi skuadrës, por gjithsesi arrin të mbajë mirë topin në këmbë. Aq di të bëjë…
Trajneri SKOLARI 6,5 – Hodhi në fushë një skuadër më të ekuilibruar dhe më të uritur për të fituar. Kundër Kilit, ky shpirt skuadre nuk u pa. Ndoshta mund të kishte bërë ndonjë zëvendësim pa u zgjuar mirë Kolumbia…

KOLUMBIA
OSPINA 6 – Nuk mund të bënte asgjë te goli i parë. Te goli i dytë u nis me vonesë, por edhe trajektorja e topit ishte nga ato që mashtronte çdo portier.
ZUNIGA 5 – Vuan shumë me Hulkun dhe Marselon dhe nuk arrin për asnjë moment të dalë para që të ndihmojë skuadrën me krose.
ZAPATA 5,5 – Kur Nejmar dhe Hulk nisin sprintin ose bëjnë driblime, vihen re qartë aftësitë e kufizuara teknike që ka mbrojtësi i Milanit. Për fat në krah ka Jepesin…
JEPES 7 – Luan si një lider i vërtetë dhe me shumë personalitet. Në duelet një për një mundet shumë pak herë dhe rrallëherë është parë kështu në Itali. Shënoi golin e barazimit (por iu anulua) dhe do të ishte shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
ARMERO 5 – Në fazën mbrojtëse është Armero më i dobët që kemi parë deri tani. I humbin shumë topa dhe nuk arrin asnjëherë që të ndihmojë skuadrën në sulm.
SANÇEZ 4,5 – I humb nga kontrolli i Tiago Silvës në golin e parë. Gabimi më i madh është se Brazili e ka përdorur shpesh atë skemë, madje në mënyrë identike në disa ndeshje. Sançezi i kishte parë videot në analizë, apo jo?
GUARIN 4 – Keq e mos më keq. Në disa raste i vrazhdë në ndërhyrje dhe në disa raste jashtë skemës kur kërkon të ndërtojë aksione. Gjuan goditjet e dënimit dhe e bën në mënyrën e gabuar. Gabim i rëndë që u aktivizua në këtë ndeshje.
KUADRADO 5,5 – Disa magji i dhuroi edhe në këtë ndeshje mesfushori i Fiorentinës, por asnjë prej tyre nuk e ndihmoi Kolumbinë të shënonte.
IBARBO 4,5 – Nuk hyn asnjëherë në ritmin e lojës. Luan në mënyrë të rrëmujshme dhe nuk shfrytëzon asnjëherë shpejtësinë që ka për të sulmuar. (Nga 46′ RAMOS 5 – Impakt negativ i sulmuesit të ri të Dortmundit. Në zonën e rreptësisë nuk tregon asnjëherë muskujt).
RODRIGUEZ 6,5 – Bën disa gjëra magjike, por nuk e ndihmojnë edhe aq shumë skuadrën. Gjithsesi, në momentet e vështira është ai që udhëheq kombëtaren dhe i afrohen barazimit.
GUTIERREZ 5 – Përpiqet që të bëjë rolin e “pykës”, por neutralizohet ashpër nga Tiago Silva dhe David Luiz. (Nga 70′
BAKA 6,5 – I shkëlqyer impakti i tij në fushën e lojës. Sulmuesi i Seviljes fiton penalltinë dhe krijon shumë hapësira për skuadrën).
Trajneri PEKERMAN 5 – Nuk u kuptua se përse zgjodhi Guarinin në vend të Aguilarit. Po Bakën nuk e aktivizonte dot më herët?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"