Brazili mund barbarisht Spanjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2013 | 8:17

Brazili mund barbarisht Spanjën

BRAZIL-SPANJENjë turpërim të tillë nuk do ta kishte menduar askush, por mbase ky Brazil vlen realisht shumë dhe me një Nejmar si ai i djeshmi Skolari dhe të tijtë mund të ëndërrojnë Kupën e Botës në shtëpi. Në fund, Spanja shkatërrohet 3-0, por mbi të gjitha merr një leksion futbolli, pas 5 vitesh dominim absolut. Fred me një dopietë dhe Nejmar me një gol dhe një paraqitje spektakolare mundin barbarisht kampionët e planetit. Për “Seleçaon” ky ishte trofeu i tretë i katërt dhe i treti radhazi, por ky i fundit kishte një shije të veçantë, një shije prej kampionësh bote, duke qenë që në 90 minutat e djeshme mundën mbajtësit e këtij froni.

BRAZIL-SPANJE  3-0
GOLAT: Fred 2′, 48′, Nejmar 44′
BRAZIL (4-2-3-1) Hulio Sezar; Marselo, Tiago Silva, Luiz, Alvesh; Paulinjo (88’ Hernanes), Gustavo; Nejmar, Oskar, Hulk (73′ Zhadson); Fred (80′ Zho). Trajner: Luiz Felipe
Skolari SPANJA (4-3-3) Kasijas; Alba, Ramos, Pike, Arbeloa (46′ Azpilikueta); Iniesta, Buskets, Ksavi; Mata (52′ Navas), Torres (59′ Vija), Pedro. Trajner: Visente Del Boske
KARTONË TË VERDHË: / Arbeloa 15′, Ramos 28′.
I KUQ: Pike 68′
GJYQTAR: Bjorn Kuipers (Holandë)
SPEKTATORË: 77.726


(Brazil-Spanje 3-0)

Harbim brazilian Nëse pragsfida e finales ishte shumë herë më e qetë se në ditët e kaluara, është Brazili që në dy minutat e para vishet në rolin e protestuesve të ashpër, e atyre protestuesve që këtë herë nuk kërkojnë të demonstrojnë kundër pagesës së taksave të larta, por në rolin e atyre që kërkojnë të thyejnë “diktaturën” spanjolle. Dhe teksa kronometri nuk kishte shënuar ende minutën e dytë, të zotët e shtëpisë godasin. Mbrojtja e Spanjës është e përgjumur, Hulk nga e djathtë hedh në zonë një top pa shumë pretendime dhe Fred, ndonëse i shtrirë përtokë pas një dyluftimi ajror me Arbeloan dhe Pikenë, arrin të godasë drejt rrjetës. 1-0 për Brazilin, ndërsa iberikasit mund t’i thonë lamtumirë ndeshjes vetëm 6 minuta më pas, kur Oskar godet jashtë kuadratit, ndonëse i vetëm në zonë. Spanja është në panik, e frikësuar si asnjëherë tjetër. Ndërsa Brazili shton dozën e sulmit, në çdo mënyrë, nga çdo distancë, por në të 12-n Kasijas tregohet fenomenal, duke pritur në dy kohë një bombë ta Paulinjos nga 30 metra. Ndeshja merr edhe tone nervoze me disa faulle të ashpra të spanjollëve. Por “Seleçao” duket e papërmbajtshme. Fred, rreziku numër një i të kuqve, në të 32-n, merr në kundërkohë asistin e Nejmarit dhe i vetëm përballë Kasijasit nuk arrin t’i japë forcë topit, ndërsa portieri i kampionëve të botës ndihmohet me majën e këpucës për të bërë një pritje decizive. “Furitë e kuqe” zgjohen në minutat finale dhe aksionin perfekt e ndërtojnë në 40-n. Mata pret gjithë fushën, pason në zonë për Pedron që godet me të majtën… Kur të gjithë prisnin të festonin, David Luiz me një rrëshqitje “kamikaze” shpëton portën e tij në vijën fatale. Dukej se pjesa e parë do përfundonte me këto shifra, por Nejmar ka plane të tjera dhe kërkon ta mbyllë shpejt takimin. Minuta e fundit, Oskar gjen Nejmarin në hyrje të zonës dhe ylli i “Seleçaos” shkarkon gjithë të majtën e tij në kuadrat. Kasijas është i ngrirë. 2-0 për të zotët e shtëpisë dhe “Marakana” nis të këndojë, sepse kjo Spanjë në 45 minutat e para duket një skuadër normale kundrejt Brazilit.
Turpërim spanjoll Pjesa e dytë nis njësoj si e para, por këtë herë Fredit i duhen diçka më pak se tre minuta. Hulk i dhuron një asist sapo kalon mesfushën dhe me të djathtën e tij të saktë Kasijas mposhtet për herë të tretë. Një turpërim të tillë Spanja nuk e kishte menduar kurrë, por kjo merr përmasa gjigande kur Ramos godet jashtë kuadratit një penallti të fituar nga Navas në 54-tën. Pas kësaj minute trofeu është zyrtarisht i brazilianëve. Spanja dorëzohet totalisht, por fillimisht Fred dhe më pas Nejmar e Oskar nuk kanë gjakftohtësinë e duhur që të zgjerojnë avantazhin. Sikur të mos mjaftonte kjo, Nejmar detyron Spanjën që të luajë me 10 lojtarë në 22 minutat e fundit. Braziliani niset drejt portës me një shpejtësi që kalon normat e lejuara dhe zoti “Shakira” nuk bën komplimente, por e rrëzon në hyrje të zonës. Si lojtar i fundit meriton të kuqen, ndonëse këtë vendim e kontestoi i gjithë ekipi, ashtu sikurse edhe e fejuara e tij në tribunë. Për djemtë e Skolarit finalja shndërrohet në një stërvitje luksi, sepse Nejmar nuk humbet rast për të “djegur” rivalët e tij me sprinte që do i kishte zili dhe Usain Bolt, ndërsa Hulio Sezar i mohon fillimisht Pedros dhe më pas Vijas edhe golin e nderit. Në fund, kampionët e botës turpërohen në një mënyrë barbare.

SkolariSkolari: Fitore e paparashikuar
Felipe Skolari nuk e kishte menduar kaq të lehët fitoren ndaj kampionëve të botës dhe të Europës. Ai ka pohuar se goli i shpejtë i Fred-it ishte shumë i rëndësishëm dhe se skuadra e tij me këtë fitore do të ketë moral shumë të lartë në të ardhmen. “Të mundësh Spanjën e këtyre kohëve është arritje e madhe, por ta mundësh atë 3-0 në një finale kaq të rëndësishme, është fantastike – tha Skolari pas ndeshjes. Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë dhe patëm edhe pak fat, por gjithsesi skuadra ishte e shkëlqyer në fushë. Nejmar? Me dy lojtarë si Fred dhe Hulk mund të kesh hapësira aq sa edhe për të vallëzuar në fushë… (qesh). Tani duhet të shqetësohen të gjithë për këtë Brazil, sepse kemi bërë hapa gjigantë”, u shpreh ai

Del BoskeDel Boske: Fituan më të mirët
Trajneri i Spanjës, Vinsente Del Boske është treguar i ndershëm pas humbjes. Ai ka pranuar se Brazili dominoi faktikisht dhe se skuadra e tij e humbi duelin në mesfushë. “Fituan më të mirët dhe duhet t’i përgëzojmë. Pësuam gol në minutën e dytë të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë. Ishte fatkeqësi sepse kjo na bëri nervozë. Humbëm një penallti që mund të kishte ndryshuar disa gjëra, por nuk duhet të fshihemi pas detajeve. Sot (dje) fitoi skuadra më e fortë në fushë. Problemet? Më shumë se sa mbrojtja, mendoj se çaloi sulmi, sepse nuk organizuam asnjë aksion të rrezikshëm për 60 minuta. Këtu ka diçka që nuk shkon dhe të cilën ne duhet ta analizojmë”, tha Del Boske pas ndeshjes.

blater“Populli të protestonte kur u dhamë Botërorin”
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, nuk ka kërkuar të qetësojë aspak situatën në vend që ka shkaktuar zhvillimi i këtij turneu brazilian, por paralajmëron protestuesit se institucioni i tij nuk do dorëzohet përpara dhunës. “Nëse populli i Brazilit nuk e donte zhvillimin e këtij turne dhe aq më shumë Botërorin 2014, atëherë do kishte bërë më mirë që të protestonte në vitin 2007 kur u dhuruam të drejtën e këtij turneu magjik. Unë jam i vendosur që të mbështes fort evenimentin në Brazil. Falë punës sonë tashmë i gjithë Brazili ka stadiume luksose, me kapacitet deri në 80 mijë vende. Jam i lumtur për aventurën e sapombyllur, por nuk e ndjej veten përgjegjës për vrasjet e ndodhura”.

Përveç trofeut, Brazili fitoi edhe 4.1 milionë dollarë
Botërori i Vogël, apo Kupa e Konfederatave nuk është më turneu i parëndësishëm miqësor që kombëtaret “VIP” kërkonin ta shmangin deri pak vite më parë. Prova gjenerale e Botërorit 2014 joshi përfaqësueset për t’i shkuar deri në fund, edhe për shkak të shpërblimeve që FIFA vendosi për këtë turne. Qeveria botërore e futbollit akordoi 20 milionë dollarë shpërblime në total për 8 ekipet pjesëmarrëse. Brazili, fituesi i këtij kompeticioni që ofroi emocione por edhe frikë, u largua me 4.1 milionë dollarë, ndërsa finalistja tjetër, Spanja, arkëtoi 3.6 milionë. Ndërkohë, Italia e vendit të tretë mund të kënaqet me 3 milionë dollarë, ndonëse më shumë sesa për paratë të kaltrit do ishin lumturuar sikur të kishin marrë hakmarrjen e dëshiruar me Spanjën. Uruguai e vendit të katërt përfitoi 2.5 milionë, ndërsa katër pjesëmarrëset e tjera që nuk u kualifikuan pas fazës së grupeve, Tahiti, Japonia, Nigeria dhe Meksika u kthyen në shtëpi me nga 1.7 milionë dollarë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

Kupa e Konfederatave
Libri i Artë

1992 Argjentina
1995 Danimarka
1997 Brazili
1999 Meksika
2001 Franca
2003 Franca
2005 Brazili
2009 Brazili
2013 BRAZILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"