“Bravo Shqipëria! Një muaj pa sport”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2018 | 21:49

“Bravo Shqipëria! Një muaj pa sport”

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

I kërkoj të falur lexuesit që në titull përdora një fjalë, e cila nuk është e shqipes: “Bravo”! E përdora ngaqë e di se shqiptarët e kanë fort për qejf këtë italianizëm që, në shqipe, mund të thuhet edhe “të lumtë”. Çka, me kuptimin simbas Zingarelli-t, do të thotë që ta meritosh mbasi ke “kryer punën tënde me zotësi dhe përkujdesje”. Dhe vërtet, shoh se Shqipëria në këtë janar 2018, për një muaj të tanë, qysh nga 22 dhjetori 2017 – Java 16 e Kampionatit Kombëtar të Futbollit – mirëfilli nuk pati sport. Shqipëria ka pasur pra vetëm “mercato” (një tjetër italianizëm edhe kjo fjalë, që në shqip i thonë “treg”).

Ndërkaq, ka pasur dhe ka këto ditë edhe “sportin” e propagandës për zgjedhjet e zakonshme në FSHF. Shpërtheu sidomos në rubrika televizive, e pakta të nja katër televizioneve mbrenda disa orëve. Duke bërë një paraqitje spektakolare, deri dhe me gazetarë mbrapa një tryeze me flamur kombëtar, të tipit “bajrak” madje, siç nënkuptojmë prej kësaj turqizme se është fjala për një flamur të madh kombëtar. Pra, gazetarë, në të vërtetë kryesisht thjesht telekronistë, të shfaqur në këtë pamje pompoze, natyrisht krejt të pamerituar. Si të ishin qeveritarë apo presidentë republike! Dhe gjithnjë me një synim servilosës për t’i paraqitur krejt të jashtëzakonshëm vitet e futbollit shqiptar.

partizaniskenderbeuu

Ku merret me mend se gjithçka ngushtohet tek EURO 2016. Madje, kësisoj orë e çast. Tashmâ kuptohet qartë se “sporti” i propagandës mediatike për këto zgjedhje ia ka kaluar edhe asaj që bënim ne dikur për sportin socialist nën udhëheqjen e Partisë. Dhe askush nuk flet përse në këtë 2018, Shqipëria u bë vendi i vetëm në Europë që, për një muaj të tanë, nuk pati sport!… Në një kohë që Shqipëria nuk ishte në gjendje lufte, as në situatë tërmeti, as të kataklizmave natyrore, apo qiellore. Si ka mundësi që kjo situatë nuk i bën përshtypje askujt? Nuk u bën përshtypje as federatave sportive, as Komitetit Olimpik Kombëtar. Dhe, mbi të gjitha, nuk i bën përshtypje ministrisë përkatëse dhe natyrisht as qeverisë.

Kështu, kaloi për shqiptarët muaji janar i vitit të ri 2018. Pa sport, pa gara sportive, pa kampionate, pa turne sportive, pa kampionë, pa fitimtarë, pa spektatorë, pa gjallëri e gëzime sportive kombëtare. Doemos nuk harrojmë se, përveç atij të propagandës së zgjedhjeve në fjalë, janari 2018 kaloi bukur e mirë edhe me “sportin” tjetër, atë të “mercato”-s së janarit” – një nga absurditetet më artificiale, më të panevojshëm, më pak sportivë që ka njohë Shqipëria ndonjëherë. Dhe që i bën skuadrat e futbollit me portrete që nuk iu zgjasin më shumë se pesë-gjashtë muaj për t’i tjetërsuar pa asnjë kuptim, siç ka ndodhur në janarët e gjithë këtyre viteve. Dhe që sapo denatyroi, për të mos thënë që “shkombëtarizoi” në dëm të djemve të rinj shqiptarë. Apo që solli për skuadrat e Kampionatit të Shqipërisë, lojtarë ndër më të zakonshmit, ndër më të panjohurit që njeh Europa.

Po për fat, të paktën ngriti në qiell kandidatët për presidentë në FSHF. Nomenklatura e sotme e Republikës së Shqipërisë për një muaj të tanë e bëri këtë tokë si të vetmen në Europë që nuk pati sport. Kur të tjerët, madje edhe fqinjët “e varfër”, patën sport. Patën futboll e ski, basketboll, sidomos volejboll, kupa e kampionate, çiklizëm, e deri tek ato që dikur ne i quanim “krose masive”. Janari 2018 – një muaj pa sport – vërtetoi se Shqipëria nuk don t’i gë- zojë në vazhdimësi qytetarët e saj me edukim sportiv, me vlerat njerë- zore të sportit, madje as të sportit më popullor të saj që është futbolli, të cilin e ndërpreu pa pikë zori e arsyeje plot një muaj. E ndërpreu për “mercaton”-n, të cilin gjithashtu media jonë e çon në qiell me emisione të tana. Se si jemi nënshtruar kësisoj, vërtet është më se interesante! Ndërkaq, papritmas, m’u kujtua janari i vitit 1991, kur Shqipëria, edhe pse e tronditur ngaqë po hidhej në “luftë” për liri e demokraci, as në ato ditë të synimeve krejt të tjera atdhetare, për çudi, nuk hiqte dorë nga jeta sportive edhe në muajin janar. Vështroni tash se çfarë aktivitetesh ka pasur muaji janar i vitit 1991:

skenderbeu kukesi

6 janar 1991: FUTBOLL: Java 18 e Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Rezultatet e këtij Kampionati tejet më interesant dhe më shqiptar se i sotmi (14 skuadra) ishin këto: Flamurtari-Labinoti 0-1, 17 Nëntori- Traktori 3-1, Kastrioti-Lokomotiva 1-2, Luftëtari-Besa 2-1, Apolonia- Partizani 2-2, Tomori-Skënderbeu 3-1, Vllaznia-Dinamo 2-1.

7-9 janar 1991: HENDBOLL: Labinoti fiton titullin e Kampionit të Shqipërisë.

8-13 janar 1991: VOLEJBOLL: Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Fiton 17 Nëntori.

11 janar 1991: FUTBOLL: Superkupa e Shqipërisë: Dinamo-Flamurtari 3-3 (4-5 me 11-m). Fiton Flamurtari.

13 janar 1991: ÇIKLIZËM: Çiklokrosi kombëtar. Fiton Selim Çelmeta dhe Dinamo.

13 janar 1991: FUTBOLL: Java 19 e Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Skënderbeu-Apolonia 3-0, Partizani-Luftëtari 1-0, Besa-Kastrioti 3-1, Lokomotiva-17 Nëntori 0-0, Traktori-Labinoti 0-0.

15-20 janar 1991: BASKETBOLL: Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Fiton Dinamo.

16-23 janar 1991: VOLEJBOLL: Kupa e Kampioneve të Europës për femra: Avero Sken (Holandë)-Dinamo 3-0, 3-1.

20 janar 1991: FUTBOLL: Java 20 e Kampionatit: Flamurtari-Traktori 4-0, Labinoti-Lokomotiva 2-0, 17 Nëntori-Besa 1-0, Kastrioti-Partizani 1-0, Luftëtari-Skënderbeu 2- 1, Apolonia-Dinamo 1-1, TomoriVllaznia 2-2.

21 janar 1991: ALPINIZËM: Nisin ngjitjet dimërore.

22-27 janar 1991: BASKETBOLL: Kupa e Shqipërisë në basketboll për femra. Fiton Skënderbeu.

24 janar 1991: MUNDJE KLASIKE: Kupa e Shqipërisë. Fiton Dinamo.

24/30 janar 1991: FUTBOLL: Një të tetat e Kupës së Shqipërisë: Vllaznia-17 Nëntori 1-0, 0-3, VeleçikuPartizani 1-0, 0-2, Dinamo-24 Maji 3-0, 0-1, Naftëtari-Apolonia 3-1, 1- 4, Kastrioti-Skënderbeu 3-0, 3-1, Flamurtari-Tomori 4-0, 2-0, Ylli i KuqLuftëtari 1-1, 0-2, Besa- Erzeni 3-0, 0-1.

25 janar 1991: FUTBOLL: Java 21 e Kampionatit: Tomori-Flamurtari 1-1, Dinamo-Luftëtari 2-0, Vllaznia-Apolonia 1-1, SkënderbeuKastrioti 1-0, Partizani-17 Nëntori 1-0, Besa-Labinoti 2-1, LokomotivaTraktori 1-0. Kryeson Flamurtari me 2 pikë mbi Partizanin. Skuadra vlonjate do të shpallej Kampione e Shqipërisë për herë të parë.

25 janar 1991: MUNDJE E LIRË: Kupa e Shqipërisë. Fiton 17 Nëntori.

27 janar 1991: VOLEJBOLL: Rifillon Kampionati i Shqipërisë për femra dhe për meshkuj.

28 janar 1991: HENDBOLL: Fillon Kupa e Shqipërisë.

28 janar 1991: SKI: Fillon Kampionati Kombëtar.

29 janar 1991: VOLEJBOLL: Nis Kupa e Shqipërisë për femra. Do ta fitojë Dinamo. 9 sporte, 19 veprimtari! Madje sporte që nuk ekzistojnë sot në Republikën e Shqipërisë. Një Republikë, e cila sot ka edhe një Ministri në emërtimin e së cilës hyn dhe fjala “sport” dhe, e cila sportin pra, e ka një nga shtyllat e edukimit të rinisë. Sa do të donim të bëhej e njohur një herë platforma dhe veprimtaria e kësaj ministrie për sportet, për detyrat e stafit të saj “të specializuar”, të programit të saj, të synimeve e arritjeve të saj! Besoj se, për fat të mirë, ky shkrim shërbeu paksa, për të treguar në pak radhë edhe historinë e pasur të sportit shqiptar të një muaji të vetëm të plot 27 vjetëve më parë të shekullit të shkuar.

Nuk guxoj të them se jemi një shekull mbrapa. Qenkemi 27 vjet mbrapa! Megjithatë jemi të parët në Europë, ose të vetmit që, në një muaj të tanë, nuk patëm sport. Ndonëse: “Sporti ka fuqi të ndërrojë botën. Ai ka pushtetin të bashkojë njerëzit në një mënyrë që pak gjëra të tjera e bëjnë. Sporti mund të sjellë shpresën atje ku një herë kishte vetëm dëshpërim”. (Nelson Mandela).

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"