Branica prish kontratën me Apoloninë, ekipi fierak hidhet në merkato për një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 17:02

Branica prish kontratën me Apoloninë, ekipi fierak hidhet në merkato për një sulmues

Ka zgjatur vetëm disa muaj aventura e sul muesit Klejdi Branica tek Apolonia. Sulmuesi peqinas ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën me klubin fierak. Në këtë vendim ka ndikuar një dëmtim që Branica ka pasur kohët e fundit, duke mbetur jashtë skuadrës, por duhet thënë se në asnjë moment ky futbollist nuk mundi të përshtatej me formacionin e Apolonisë.Branica-1

Peqinasi erdhi në Fier si blerja më e bujshme e verës, kur për të interesoheshin edhe skuadra të tjera pretendente si Lushnja dhe Pogradeci. Në fund 27- vjeçari zgjodhi Apoloninë, duke e konsideruar projektin fitues, siç shprehej edhe vetë në atë kohë, por duhet pranuar se gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Paraqitja e Branicës nuk iu përgjigj prit shmërive të klubit.

Ai luajti titullar në javët e para, shënoi 3 gola me fanellën e Apolonisë, 2 nga të cilët me penallti, ndërsa kohët e fundit nuk është aktivizuar për shkak të një dëmtimi. Me Gjatën dhe Mihanën sulmi fierak ka treguar më shumë stabilitet dhe ecuria e skuadrës ka qenë përgjithësisht e mirë. Në këto kushte, Branica ka menduar se është më mirë ta vazhdojë karrierën diku tjetër dhe ka gjetur mirëkuptimin e klubit bardhejeshil.

MËRGJYSHI – Vetë sulmuesi nuk i është përgjigjur interesimit të “Panorama Sport”, duke mos e hapur telefonin. Largimin e tij e ka konfirmuar për gazetën trajneri Artan Mërgjyshi, i cili tani ka nevojë të forcojë sulmin në merkaton e dimrit. “Po, kemi mbyllur me mirëkuptim marrëveshjen me Branicën. Lojtari ka pasur një dëmtim dhe me miratimin e të dyja palëve, kemi shkëputur marrëdhëniet. Kuptohet që skuadra ka nevojë për sulmues pas këtij largimi.

Kam biseduar me drejtuesit e klubit dhe ata e dinë mirë se çfarë duhet bërë. Më kanë konfirmuar se janë duke punuar për të sjellë sulmues në ekip gjatë merkatos së dimrit”, është shprehur trajneri i skuadrës fierake, Artan Mërgjyshi. Për përforcimin e sulmit drejtuesit e Apolonisë kanë në vëmendje pistat e huaja, duke ditur që në tregun vendës në këtë periudhë është shumë e vështirë të gjesh lojtarë me kualitet.mergjyshi

LARGIMET – Branica është largimi i katërt nga radhët e Apolonisë në këtë periudhë. Para sulmuesit kanë ikur Prifti, Ceka dhe Ofori. Nga këto katër largime, tre janë lojtarë të ardhur gjatë merkatos së verës dhe që nuk kanë bindur për arsye të ndryshme. Gjatë pjesës së parë të sezonit trajneri Mërgjyshi ka hasur vështirësi, sidomos në mbrojtje, një repart që e ka modifikuar disa herë.

Tani drejtuesve të klubit fierak u duhet të intensifikojnë punën për të sjellë në skuadër elementët që do ta kompletonin për të arritur objektivin e Superiores. Në fundjavë Apolonia do të ketë një miqësore me Bylisin dhe pas saj stafi teknik dhe drejtuesit do të diskutojnë edhe për merkaton.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"