Braktisja e futbollit/ Shqipëria i djeg, ose ia vjedhin talentet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2016 | 21:03

Braktisja e futbollit/ Shqipëria i djeg, ose ia vjedhin talentet

Periudha e shkurtër e merkatos së janarit bën që shumë klube të Kategorisë Superiore dhe të Parë të jenë të detyruara të përforcohen me lojtarë të huaj, që vijnë të sugjeruar nga menaxherë të ndryshëm.

u-172Nigerianë, brazilianë, argjentinas, lojtarë nga Superliga e Kosovës, të cilët, ndryshe nga pamjet filmike që u prezantohen trajnerëve dhe presidentëve, në realitet janë krejt ndryshe.

Në fushë shihen futbollistë mbipeshë apo që vijnë nga një dëmtim i gjatë dhe e shohin aventurën në vendin tonë thjesht si një periudhë rikuperimi, apo për të përfituar financiarisht. Gjithashtu, ka edhe raste kur në fushë shihen persona që vetëm me futbollin nuk kanë lidhje.

Në ndeshjet e para zyrtare për këtë vit kalendarik, ato të Kupës së Shqipërisë, u vunë re edhe problemet e para me lojtarët e ardhur nga merkato. Braziliani i Tiranës, Hugo Almeida, nuk është gati për të luajtur; ai i Teutës, Xhonatan, gjithashtu nuk luajti ndaj Kukësit; Ildemar Diaz i Partizanit vazhdon që të jetë në provë, edhe pse kampionati starton në fundjavë.

Por, ka edhe si rasti i Elshanit, i cili, ndonëse firmos për tre vite me Partizanin, vendos menjëherë që të largohet, apo në rastet kur klubet penalizohen për lojtarë të cilët kanë firmosur, por ata kanë luajtur vetëm pak në fushë.

Pra, tregu është në kaos dhe ata që e pësojnë janë pikërisht talentet që stërviten me ekipet e moshave, të cilët shpresojnë të bëhen pjesë e futbollit profesionist.

Talentet – “Panorama Sport” ka kontaktuar dje me disa prej trajnerëve të moshave, ekipet e të cilëve janë në vendet e para të klasifikimit, për të mësuar më shumë në lidhje me atë që quhet produkt vendës.

Pothuajse të gjithë ata që janë kontaktuar, kanë pranuar faktin se lojtarë të huaj në futbollin shqiptar ka dhe do vazhdojë të ketë, por cilësia e tyre duhet që të jetë mbi mesataren.

Kjo, pasi duke mbushur skuadrat me lojtarë që nuk bëjnë diferencën, të rinjtë e talentuar e braktisin futbollin dhe në këtë mënyrë “digjen”.

Po ashtu, sipas trajnerëve, kohët e fundit ka një lloj trendi të ri të klubeve të huaja në rajon, që po “vjedhin” talentet duke nisur që nga mosha 15 vjeç, duke firmosur parakontrata për t’i bindur që të jenë pjesë e ekipeve të tyre të moshave.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"