Braktisi skuadrën në Ligën e Kampionëve, Kukësi kthen Albi Allën me dyfishim të pagës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 9:47

Braktisi skuadrën në Ligën e Kampionëve, Kukësi kthen Albi Allën me dyfishim të pagës

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Albi Alla do të rikthehet te Kukësi. Qendërmbrojtësi ka arritur një marrëveshje për një kontratë të re me klubin, e cila do të ketë edhe kushte të reja. “Panorama Sport” mëson se 24-vjeçari do përfitojë 50 mijë euro në sezon, ose dyfish më shumë se paga e sezonit të kaluar. 10 përqind të kësaj shume lojtari do e marrë sapo të firmosë kontratën me klubin, ose thënë ndryshe do të përfitojë një rrogë mujore paradhënie.

Albi Alla Kukesi

Mbrojtësi është larguar nga Kukësi që mbas festimit të titullit kampion, ku nuk pranoi të luante as në ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Kampionëve, me qëllim që të përfitonte një kontratë me më shumë përfitime financiare larg verilindorëve. Larisa ishte klubi që bindi Allën, klub që dhe u prezantua dhe aktualisht vijon stërvitjen. Por, largimi i tij cenoi klubin e Kukësit.

Kampionët e hodhën lojtarin menjëherë në gjyq në FSHF dhe kërkuan 500 mijë euro dëmshpërblim, ashtu siç edhe citohet në kontratën e tij. Në përfundim doli se verilindorët kishin të drejtë, pasi lojtari kishte edhe një vit kontratë me ta dhe Larisa nuk e federonte dot.

Megjithatë ishte trajneri Milinkoviç ai që kërkoi sërish qendërmbrojtësin në ekip dhe pas tratativave me drejtuesit ai vendosi të kthehej, por vetëm me kushte të tjera dhe pagën e dyfishuar. Presidenti Gjici, pasi është njohur me kërkesat e lojtarit dhe pas kërkesës së trajnerit, i ndikuar edhe nga disa prej lojtarëve me peshë në ekip, vendosi të plotësojë kushtet e futbollistit.

KONTRATA

“Panorama Sport” ka zbuluar me detaje dhe pikat e kontratës që lojtari ka kërkuar të ndryshojnë. Ai do firmosë një kontratë për një sezon me të drejtë rinovimi dhe për një vit tjetër, por vetëm nëse klubi kalon në fazën e grupeve të Kupave të Europës. Nëse eliminohet pa kaluar në fazën e grupeve, lojtari është i lirë të largohet, klubi nuk ka asnjë mjet shtrëngues.

Lëvizja e Allës është e njëjtë me atë që ka bërë edhe portieri Enea Koliçi. Kukësi do të udhëtojë nesër drejt Ohrit, për fazën përgatitore dhe mësohet se lojtari mund të bashkohet me ekipin të mërkurën ose të enjten në stërvitje. Për të bindur futbollistin që të rikthehet në ekip, ka pasur ndikimin e tij edhe ish-drejtori i Kukësit, Dritan Dervishi, por edhe disa prej lojtarëve titullarë që i kanë bërë thirrje t’i bashkohet sërish ekipit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"