Braho-Kalluci-Seiti, treshja mitike që bënte art me topin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2017 | 18:42

Braho-Kalluci-Seiti, treshja mitike që bënte art me topin

Të lindur e rritur në Gjirokastër, produkt i futbollit të rrugës, e kanë filluar karrierën pa e ditur famën, lavdinë, emrin që do t’i jepte ky sport, ky klub.

Ishin ngjyrat bluzi, pastaj një zemër, një stadium, një tifozeri do t’i bashkonte për të krijuar skuadrën surprizë të viteve ’80, të një Luftëtari ndryshe, jo vetëm për historinë e klubit, por edhe si një ndër formacionet më argëtuese, me një sulm potencial me Brahon me “7”, Seitin me “8” dhe Kallucin kapiten me numër “10”, që si një makinë e vërtetë goli, do të shënonin e godisnin sistematikisht çdo kundërshtar.

Ndonëse me Luftëtarin nuk fituan asnjë titull e trofe, edhe sot kujtohen me nostalgji jo vetëm nga tifozët gjirokastritë të “Subi Bakirit” që e kanë parë nga afër spektaklin e tyre, por edhe nga Shqipëria futbollistike, ku ata kanë luajtur.

Sefedin Braho, “shigjeta e jugut”

Historia, karriera, fama, kontributi i Sefedin Brahos te Luftëtari është absolut. Lojtar krahu shumë i shpejtë, nuk ka pasur konkurrentë në atë rol. Ai dinte dhe bënte gjithmonë diçka më shumë se të tjerët. I lindur në vitin 1953, ndonëse pëlqente basketbollin, shpejt është evidentuar si talent nga trajnerët Çabeliu e Xhai, megjithëse nga fiziku ishte i hollë. Luajti me të rinjtë dhe karriera e tij me Luftëtarin do të niste në vitin 1970, kur ishte 17 vjeç. Ishte më i vogli midis veteranëve me peshë në skuadrën e parë si K. Çaro, K. Zile, Ç. Ndoja, I. Braho, M. Kurti etj. Pastaj në Tiranë, vetëm dy vjet me Partizanin për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak.Sefedin Braho

Dëshironte kthimin në familje, lagjen e tij, duke refuzuar ofertat për t’u veshur përgjithmonë i kuq. U largua pa zhurmë, ndonëse fama që kishte ishte e madhe, ashtu si edhe dëshira e klubit për ta mbajtur. Luajti me Panon e titullarë të tjerë, madje në të parën sfidë Luftëtari-Partizani e ka humbur thellë 0-6. Pati trajner Krajën, Shuken. Pastaj rikthimi në Gjirokastër, ku gjen Kallucin, pastaj Seitin, me të cilët do të ndërtojnë Luftëtarit protagonist.

Deri më 1988 me këtë skuadër me të cilin mbyll karrierën. Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite, me start dhe sprint të rrallë. Autentik në stilin e tij, shpejtësi-driblim të kombinuara me topin në lëvizje, që ishin cilësitë natyrale dhe karakterizonin individualitetin e tij. Ndonëse luante me Luftëtarin, ka qenë i preferuar nga klubet tiranase dhe trajnerët Alla, Shuke, Konçi që e kanë aktivizuar në nëntë takime me kombëtaren.

Golin e parë dhe të vetëm me kombëtaren e shënoi në vitin 1980, në fitoren 2-0 kundër Finlandës në “Qemal Stafa”. Është marrë sistematikisht si përforcim nga Partizani duke luajtur kundër Sëlltikut, Rijekës dhe Malmos, por edhe nga Dinamo ndaj skocezëve të Aberdinit, por qëndroi rezervë pa u aktivizuar.

Braho-Kalluci te Partizani e në kombëtare

Braho e Kalluci kanë luajtur me Luftëtarin, por pa qenë asnjëherë bashkë në fillimet e karrierës. Do të takohen pasi kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë refuzuar qëndrimin te Partizani: I pari Kalluci në vitin 1972 dhe Braho dy vite më vonë. Pastaj një dekadë te Luftëtari.Dhori Kalluci me Shpresat

Në kombëtare, Braho e Kalluci do të jenë vetëm në një ndeshje, Shqipëri-Finlandë (2-0), për EKB-1974, kur trajneri Ilia Shuke ka preferuar t’ aktivizojë si titullarë në sfidën e “Qemal Stafës”, me 10 tetor të 1973-shit. Braho do të jetë edhe në përballjet e tjera, ndërsa për Kallucin kjo do të jetë e para dhe e fundit me përfaqësuesen.

Dhori Kalluci, tekniku i sulmit

I datëlindjes 1 prill 1951, Theollor Kalluci, shkurt Dhori, e ka filluar si basketbollist me të rinjtë e Luftëtarit, pa asnjë mendim, apo ide se do të përfundonte futbollist, madje me një karrierë të veçantë, si një ndër talentet e futbollit shqiptar. I spikatur fillimisht nga specialistët P. Maksakuli, K. Rova, P. Qamo, do të jetë trajneri Bahir Kokalari që në sezonin 1965- 1966 te Fusha e Vjetër, kur nuk është as 14 vjeç dhe as rezervë, në ndeshjen Luftëtari ndaj Tiranës së Demnerit, papritur e ka urdhëruar të marrë fanellën e një tjetri, duke e aktivizuar kur rezultati ishte 2-0 për miqtë.Arsen Hoxha

“Kam barazuar në minutat e fundit në 2-2 dhe nëse nuk do të shënoja atë gol, lamtumirë karrierë”, kujton Kalluci për “Panorama Sport”. Pastaj debutimi në Durrës, kur në dhjetor të ’67-ës për të parë ndeshjen ShqipëriRFGJ ekipi i parë ndalon në Durrës në një miqësore me Lokomotivën, ku si talent Kalluci aktivizohet sërish nga Kokalari.

Ndeshja e parë zyrtare e tij në fillim të 1968-ës në Kupën e Republikës, Luftëtari kualifikohet pasi fiton 2-1 ndaj Besëlidhjes, Kalluci luan pjesën e dytë dhe dy kohët shtesë. Në 1969 është titullar në formacion bashkë me Çaron, Begajn, Kikën, Vasin, Millën dhe shkodranët I. Hoxha e Ç. Ndoja e tiranasin R. Shehun i ardhur nga 17 Nëntori.

Te Partizani, për “inat” të Dinamos

Sapo kishte përfunduar gjimnazin “Asim Zeneli” dhe ishte nxënës i mirë. Priste shkollimin universitar… E pëlqente Dinamo dhe ka qenë vetëm një hap për t’u veshur “blu”, edhe për faktin se klubi i garantonte shkollën e lartë, të cilën ia kishin refuzuar drejtuesit e arsimit gjirokastrit që nuk e patën lejuar të largohej, duke argumentuar se ishte i domosdoshëm për skuadrën e parë. “Ndërkohë, të informuar, drejtuesit e Partizanit lëshuan urdhrin për mobilizimin ushtarak, kjo edhe për ‘inat të Dinamos'”, thotë Kalluci. Për te Partizani ka qenë edhe një kërkesë e Boriçit që e donte Kallucin në krah të Panos.

“Ishte një plan i detajuar dhe vajtja ime te Partizani u shoqërua me dërgimin e vlonjatit Koto Zile dhe kavajasit Dedej si ushtarë në Gjirokastër, bashkë me ta edhe futbollisti Ibrahim Braho”, tregon ai. Por edhe largimin nga Partizani e ka të rrallë: Ndonëse në skuadër është shënuesi i dytë pas Panos, në Kupën e Kampioneve, kundër CSKA të Sofjes në shtatorin e 1971-shit nuk e marrin.

I fyer dhe pa ditur motivin, Kalluci kërkon të largohet nga klubi. Me ndërhyrjen e Beqir Ballukut, trajnerit Birçe dhe kushtin e vënë nga Petrit Dume për të mos luajtur me asnjë skuadër tjetër veç Luftëtarit, me datë 11 shtator 1972, e hënë në mëngjes herët, menjëherë pas dasmës së martesës së Safet Berishës, me një mjet të rastit është larguar për në Gjirokastër.Partizani fitues i Kupes

Nga golat, ai me Partizanin i paharruar I sapokthyer nga Tirana, me fillimin e kampionatit luhet Luftëtari-Partizani, i cili është në avantazh me një autogol të vendësve. Kur kanë mbetur edhe pak minuta lojë, për Luftëtarin është dhënë një goditje dënimi. Nga një distancë 18 metra, Kalluci ka goditur me forcë dhe topi ka përfunduar në rrjetën e Partizanit, ngjitur lart në këndin e djathtë të portierit. 1-1, ky ka qenë dhe mbetet një gol i pashlyer në mendjen e sportdashëve gjirokastritë dhe të vetë Kallucit.

Ndërsa në turneun e ekipit Shpresa në Kinë, në verën e vitit 1973, ka qenë shënuesi më i mirë, me 7 gola në shtatë miqësoret e luajtura. Në karrierën 17-vjeçare, bashkë me trajnerët gjirokastritë, ka patur edhe Boriçin, Birçen, Peqinin, Ishkën, S. Dedjën, Shuken. Pas vitit 1982, kur u shkëput nga futbolli si lojtar, u bashkua me Hitajn, por tashmë si ndihmësi i tij. Me Partizanin ka të vetmin titull, atë kampion të vitit 1971.

Luan Seiti i golit me “helm”

Lindur në vitin 1957, ishte Hitaj që e pat aktivizuar me të rinjtë në një kampionat shumë cilësor ku ishte evidentuar si golashënues. Ende i ri vihet në shërbim të skuadrës kur trajneri Ishka e merr në ekipin e parë, që luante në Kategorinë e Dytë. Te Luftë- tari bashkohet me Brahon, Kallucin (të tre 160 cm të gjatë), Bonin për të krijuar skuadrën mitike. Ka qenë idhull për tifozerinë vendase për golat plot “helm”, me të cilët ka befasuar portierë e kundërshtarë.Luan Seiti

Ndonëse nën kontrollin, goditjet, mbulimet agresive të mbrojtësve, shumë robust e rezistent, me temperament, i palodhur, driblues, me një sprint të jashtëzakonshëm. Një alarm sistematik, i rrezikshëm, i paparashikueshëm, i kudondodhur dhe njohës i mirë i zonës, “njeriu i golit të pamundur”. Ai mbetet një ndër sulmuesit më të fortë të historisë së futbollit shqiptar, që as koha e keqe, as terreni i rënduar nuk e kanë ndaluar për të shënuar e luajtur mirë. Një eksploziv i vërtetë deri në fund të karrierës, të cilën e filloi dhe e mbylli vetëm me Luftëtarin (1975-1988).

Me zemrën në krahun e djathtë

Mund të jetë një ndër rastet e rralla jo vetëm për një sportist që ta ketë zemrën në krahun e djathtë. Një veçori anatomike e pabesueshme, por e vërtetë kur Tahir Bitri, mjek i njohur, pas disa kontrolleve konfirmoi zemrën e Seitit në krahun tjetër. E kanë këshilluar të mos praktikojë asnjë sport, por me dëshirën e vullnetin u bë një futbollist, madje me tregues të lartë fizikë.

Edhe pse me zemrën të pozicionuar ndryshe, e kanë thirrur për të kryer shërbimin trevjeçar ushtarak, por, pas interesimit të drejtuesve shtetarë, ai iu reduktua në dy vite (1977-1979) dhe me një raport mjekësor nuk kreu asnjë ditë, ndonëse figuronte si efektiv në Divizionin e Gjirokastrës, në repartin e artilerisë. E mbajtën afër edhe për faktin të mos largohej nga klubi, pasi ishte shumë i kërkuar nga skuadrat e kryeqytetit.

“Vatërlo” në Myzeqe

Me këto fjalë e ka nisur emisionin e tij radiofonik “Rubrika Sportive” komentatori i njohur Ismet Bellova, kur në pak ditë Luftëtari zhvillon e triumfon në Kuçovë 4-3 ndaj Naftëtarit me dy gola spektakolarë të Seitit dhe 4-0 kundër Apolonisë me një dopietë të tij. Por golin më spektakolar e ka shënuar në Durrës, në fitoren 4-0 të Luftëtarit ndaj Lokomotivës kur pas një goditje dënimi, nga porta e qytetit, topi ka ndaluar në hekurin që mban rrjetën e për ta marrë janë dashur minuta dhe vetëm një fëmijë i vogël me një shkop ka mundur ta nxjerrë me vështirësi ku kishte mbetur.

Ka qenë një gol që ka bërë xhiron në emisionet televizive sportive të kohës. Pastaj dy golat realizuar në kryeqytet: I katërti ndaj Partizanit në triumfin 5-2, ai i fitores 3-2 ndaj Dinamos. Terrenet e mira si të “Qemal Stafës”, “Dinamos”, ai i Korçës, Fierit i përshtateshin ku edhe realizonte sistematikisht, ndërsa Skënderbeu ishte skuadra që e ndëshkonte gjithmonë. Me kënaqë- si sot kujton dy golat e realizuar në pak minuta lojë. Niko Jani mbetet miku dhe mbuluesi më i vështirë për të. Në mbyllje të sezonit 1979-1980 renditet i dyti si golashënues me 17 gola pas Kovaçit të Tomorit i pari me 18. Fatkeqësi është se nuk dihet sa gola ka shënuar në karrierë…

Vetëm një herë është marrë si përforcim në një takim miqësor me “Yllin e Kuq”, ku realizon golin e tretë në fitoren 3-2 të pogradecarëve ndaj një formacioni maqedonas. Me futbollin u nda në vitin 1989 dhe ndër ato që ruan ka vetëm këmbët me plagë, ligamente të dëmtuara e ndë- rhyrje kirurgjikale, si dhe 24 ditët që ka qëndruar në spitalin e Korçës, pas një goditje dhe traume të rëndë që gjatë ndeshjes mori në kokë.

Jashtë shtetit me “urdhër”

Në Gjirokastër, Partizani kryeson 2-1, një takim i tensionuar e kur kanë mbetur pak minuta Seiti ka shënuar një gol spektakolar duke barazuar në 2-2. Ishte një rezultat që i siguroi Luftëtarit vendin e 5-të dhe pjesëmarrjen në Kupën Ballkanike. Kur erdhi momenti për t’ia shpërblyer kontributin, i kanë dërguar një person, që i thotë se ka një xhaxha të arratisur në Amerikë dhe nuk do shkonte jashtë shtetit.Seiti, Kalluci dhe Braho

Por ish-Kryetari i Komitetit të Partisë, Flamur Çani, i revoltuar për padrejtësinë: “Ta di se në burg do të më çojnë, unë do të firmos për ty që të shkosh jashtë shtetit”, i pat thënë. Luajti në Athinë ndaj AEK-ut, në Rumani kundër Vitesh dhe në Sofje. Edhe Rragami e Zhega, trajnerët e ekipeve Shpresa e grumbullonin në kombëtaret e tyre, por vetëm për në Shqipëri, jo jashtë vendit. Edhe me kombëtaren pak minuta ka luajtur duke zëvendësuar Vasillaq Zërin në pjesën e dytë të takimit në shtatorin e ’81-shit, Shqipëri-Bullgari 0-2 në Tiranë.

Ndeshjet historike

E para është ajo e “Qemal Stafës”, Partizani-Luftëtari. 2-0 pas 20 minutave lojë dhe një 11-metërsh i mohuar për Partizanin nga arbitri Canaj. Një gol i Gjergji Kallucit në fund të pjesës së parë i hap rrugë përmbysjes së madhe. Pastaj 2-2 ka barazuar Boni nga pika e penalltisë, më pas Seiti, Braho e sërish Gjergji Kalluci fundosin 5-2 Partizanin.

Sezoni 1983-1984, kur në luftë për të mos rënë nga kategoria, janë Luftëtari e Besëlidhja, java e fundit në Elbasan, luhet Labinoti-Luftëtari. Si dhuratë, futbollistëve elbasanas u janë ofruar nga një palë këpucë prodhim i Gjirokastrës dhe ata kanë premtuar barazimin, që i mjaftonte Luftëtarit. Por vetëm pak orë para fillimit, është marrë vesh se nuk do të ketë tolerim dhe në një situatë të lartë tensioni ka filluar loja që fitohet thellë 3-0 nga Luftëtari, ku veçohet një gol spektakolar nga mesfusha i Bonit.

Por, edhe takimi me Shkëndijën në Gjirokastër, në kulmin e famës dhe formës: Luhej java e parafundit, Luftëtari vinte pas fitores me Partizanin dhe kishte përballë modestët e shkollës sportive. 0-0, një betejë e vërtetë, madje shkëndijasit kanë humbur edhe një 11- metërsh dhënë nga arbitri Hoxha, kur Hyseni goditi traversën.

Pastaj ndeshja e fundit në Berat 4-3 për Tomorin, ndërkohë që Vllaznia kishte siguruar fitoren në Lushnjë duke u shpallur kampione, për t’i lënë vendin e dytë Luftëtarit. Edhe betejat në derbet e “ferrit” është një pjesë e rëndësishme e historisë së klubit, ku të tre Boni-Kalluci-Seiti janë protagonistë gjatë kohës që Luftëtari luan në kategorinë e dytë në përballjet e famshme si ato ndaj Memaliajt, pastaj Tepelenës, Përmetit, Butrintit e Delvinës.

Në një takim në Memaliaj, kanë fituar 2-0, me gola të Seitit, në një terren shumë të rënduar, kohë e keqe me e shi dhe një presion e paparë, që i ka detyruar pas ndeshjes futbollistët të largohen me rroba në dorë, për t’u veshur në autobus, kaq i madh ishte tensioni e rivaliteti në takimet derbi të zonës.

Çfarë bëjnë sot tre legjendarët e Luftëtarit? Braho, ai që ka qenë…

Jeton në apartamentin që i kanë dhënë për kontributin me Luftëtarin, pasi kontratën dhe shumën me dollarë që i ofroi Selltiku nuk mund t’i merrte. Disa vite në asistencë pasi u shkëput me futbollin, por që nga viti 1995 është i angazhuar si inspektor i klubit Luftëtari. Nga dy djemtë, vetëm i madhi vazhdoi rrugën, sulmues edhe ai, por pa mundur të arrijë famën e tij. I thjeshtë e modest, edhe pse vitet kalojnë është ai Braho, i pandryshuar në asnjë detaj.

Kalluci, asnjë ndryshim…

I martuar, tashmë me nipër e mbesa nga dy vajzat, asnjëra prej tyre nuk u bë sportiste, as frekuentuese e futbollit, edhe pse babanë e kanë pasur protagonist në këtë sport. Në pension kryen rolin e opinionistit sportiv televiziv kur Luftëtari luan në fushën e tij. Ka Gjergjin vëlla e mik në jetë, por asnjëherë bashkë nuk ishin në fushë, pasi i dyti shkëlqeu kur i pari e kishte mbyllur karrierën dhe drejtonte nga stoli “Kallucin e dytë” duke luajtur në fushë.

Luani, një jetë me vrap

Një jetë gjithmonë në vrap, si atëherë kur luante dhe sot shumë energjik. I dashuruar në moshë të re, një lidhje pasionante me Luljetën, pastaj martesa kur ishte vetëm 17 vjeç dhe menjëherë prind i dy djemve, por fatkeqësisht njëri prej tyre i sëmurë rëndë u nda nga jeta në moshë të re.

Ndërsa tjetri, Avniu, ndoqi të atin, kur luajti me të rinjtë e pak me skuadrën e parë të Luftëtarit. Pas largimit nga futbolli, Seiti preferoi qëndrimin pranë familjes e angazhimin në punë dhe prej kohësh bën çdo ditë aksin Kakavijë- Gjirokastër, si drejtor në zyrën e një dege sigurimesh në një kompani private dhe për këtë i është mirënjohës Avni Ponarit. Nga brezi i tij ruan miqësinë me të gjithë, por Shametin e ka mik më të ngushtë.

UVIL ZAJMI

Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"