Brahimi: Qëndroj te Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2014 | 9:24

Brahimi: Qëndroj te Luftëtari

Luftetari11Mikel Brahimi, shtatlarti i mbrojtjes së Luftëtarit, në një bisedë për “Panorama Sport” flet për sezonin që lamë pas, të ardhmen e tij, si dhe për objektivat e klubit. “Pavarësisht se nuk ia dolëm të përligjnim më së miri emrin e Luftëtarit, falë frymës së bashkëpunimit dhe koordinimit të gjithë aktorëve sportivë në mbyllje të sezonit, bëmë të mundur qëndrimin në të Parën. Lidhjet organike me Luftëtarin janë pa dyshim ato që më shtyjnë të mos mendohem më gjatë, por të rinovoj sërish për ekipin ku u linda dhe u formova si lojtar. Një arsye më shumë që më bën të mos hezitoj për të qenë përsëri pjesë e qytetit të vendlindjes janë dhe objektivat e drejtuesve të Luftëtarit këtë sezon të ri futbollistik. Eksperienca negative në edicionin e kaluar duhet harruar sa më parë. Krerët bluzinj kanë nxjerrë mësimet e duhura për zhgënjimin, ndaj dhe besoj se kampionati i ri do të jetë krejt ndryshe”, – përfundoi Brahimi.
Të rinjtë – Në një kohë që “garda” e vjetër e Luftëtarit mbetet e prirë për të firmosur përsëri me ekipin e vendlindjes, janë të rinjtë ata që kërkojnë të konfirmohen si brezi i së ardhmes. Eldar Batha, i cili ishte pjesë e Luftëtarit në sezonin e mbyllur, falë fizikut dhe aftësive në mesfushë, është një nga lojtarët e brezit të ri që vlerësohet si e ardhmja e mesfushës gjirokastrite. “Të luash për Luftëtarin sezonin që vjen është sfidë e vështirë brenda vetvetes. Vetëm me punë besoj se do t’ia dalim mbanë. Jam i bindur se, në sajë të cilësive të mia individuale, do të jem pjesë e Luftëtarit”, – u shpreh Batha.
Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"