Botërori tjetër me 48 skuadra, Venger zbulon tre formatet që diskutohen për fazën në grupe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 22:27

Botërori tjetër me 48 skuadra, Venger zbulon tre formatet që diskutohen për fazën në grupe

Katar 2022 do të jetë Botërori i fundit me formatin aktual, me 32 skuadra pjesëmarrëse. Që nga viti 2026, aktiviteti do të ketë 48 skuadra dhe formati aktual me grupe me nga katër skuadra ku dy të parat kalojën direkt, merr fund.

2022 - 2026

Aktiviteti që do të zhvillohet bashkërisht në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të ketë një format të ri, por FIFA nuk ka vendosur ende se cilin do të aplikojë mes tre varianteve, siç ka zbuluar Arsen Venger. Ish-trajneri i njohur francez tashmë është kreu i departamentit të zhvillimit të futbollit të FIFA-s.

“Në këtë Botëror me 48 ekipe, formati është ende i pavendosur. Mund të jenë 16 grupe me tre skuadra, mund të jenë 12 grupe me nga katër skuadra secila, ose ndoshta ekipet do të jenë të ndarë në dy grupe me nga 24 ekipe. Gjithçka do të vendoset nga Këshilli i FIFA-s vitin e ardhshëm”, shpjegoi Venger.

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ia doli që të ndryshonte formatin e Botërorit në vitin 2017 duke sjellë këtë rritje skuadrash edhe pse shumëkush ka kritikuar këtë vendim i cili mendohet se do të ulë ndjeshëm konkurrencën në fazat e para të turneut dhe do të zbehë sidomos fazën në grupe të tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"