“Botërori maratonë, jo si një garë 100 metra”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2014 | 13:10

“Botërori maratonë, jo si një garë 100 metra”

LevTrajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka marrë të gjitha masat për të kaluar në çerekfinale. Para ndeshjes ndaj Algjerisë në finalet e 1/8-ave, tekniku gjerman ka paralajmëruar lojtarët, si dhe ka paraqitur recetat e tij. Gjatë konferencës për shtyp, Lëv konfirmon mungesën e Podolskit dhe sheh si favorizues faktin që në stadiumin e Porto Alegres temperatura në orën 17:00 (22:00, ora lokale) do luhatet 13-17 gradë.
Z. Lëv, cili është vlerësimi për kundërshtarin në 1/8-at, Algjerinë?
Ne përballemi ndaj një skuadre mjaft kompakte, të shpejtë dhe shumë agresive. Rrallëherë kam parë që një kundërshtar të mbrohet aq mirë dhe të kundërsulmojë me gjithë ekipin. Algjeria nuk duhet nënvlerësuar. Disa prej tyre luajnë në Francë, Angli, Spanjë dhe Itali. Nëse bëjmë këtë gabim, atëherë marrim valixhet.
Çfarë do e bëjë të veçantë Gjermaninë në këto finale?
Lojtarët janë zjarr. Këto ndeshje kanë një magji të veçantë dhe parashikoj të shihni 11 magjistarë. Përqendrimi dhe kombinimi i saktë do jetë arma jonë më e fortë, sidomos në gjysmëfushën kundërshtare. Gjuajtjet do jenë decizive në kuadrat. Pres një përqindje mjaft të lartë të saktësisë para portës. Botërori është një maratonë dhe jo garë atletike 100 metra, ku e nis furishëm dhe e mbyll i fundit. Duhet të jemi konstant. Jo të fitojmë tri ndeshje radhazi dhe të mundemi në fund.
Si do ndikojnë temperaturat e ulëta në Porto Alegre?
Nuk e di si do ndikojë ndryshimi klimatik. Shkojmë nga i nxehti në të ftohtë. Për ne është më e thjeshtë kjo sesa e kundërta. Luajmë në temperatura të ulëta dhe pa dyshim që është një favor për ne.
Do keni mungesa? Cili do luajë në mesfushë, Shvajni apo Khedira?
Podolski mungon. Ai ka nevojë për 2-3 ditë pushim, se pësoi një tërheqje të lehtë. Ndërsa Boateng pati një problem të vogël me gjurin, por do jetë gati. Shvajnshtaiger luajti për herë të parë titullar prej disa javësh dhe e bëri më së miri detyrën e tij. Edhe Khedira është i rëndësishëm. Të dy vijnë nga një dëmtim dhe nuk mund ta përballojnë dot intensitetin në 7 ndeshje radhazi. Duhet të alternohemi. Të dy kanë luajtur mirë. Vendimin do ta marr para ndeshjes, Lahm në mesfushë..
A mund të krahasohet Myleri me Nejmar dhe Mesin?
Myleri ndoshta s’ka qenë në fokus siç duhet në Gjermani, por jashtë vendit tonë dëgjoj në çdo stadium emrin e tij. Ai ka krijuar reputacion nëpër botë. Myler është ndryshe nga Mesi e Nejmar dhe rrezikshmëria e tij është në të njëjtin nivel, për të mos thënë më shumë në këtë Botëror.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"