Botërori “indoor”/ Konkurroi në garën e 3000 metrave, Luiza Gega e 13-ta në Beograd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2022 | 9:19

Botërori “indoor”/ Konkurroi në garën e 3000 metrave, Luiza Gega e 13-ta në Beograd

Në Beograd të Serbisë, ditën e djeshme ka ngritur siparin Kampionati Botëror i Atletikës në salla të mbyllura. Në këtë eveniment të rëndësishëm merr pjesë edhe Shqipëria, teksa Kombëtarja kuqezi u përfaqësua me sportisten e vetme që kishte arritur të kapte normën e Botërorit, Luiza Gegën.

bandicam 2022-03-19 09-18-51-996

33- vjeçarja konkurroi dje në finalen e garës së 3000 metrave, duke u renditur në vend të 13- të mes 20 vrapueseve më të mira të globit. Ndonëse nuk ishte në ditën e saj më të mirë, Luiza Gega bëri një garë të kënaqshme, duke e ndalur kronometrin në kohën 8:52.97.

Kujtojmë se në këtë sezon, Gega kishte arritur që të regjistronte kohë më të shpejta, teksa pak javë më parë në Mançester kishte prekur rezultatin 8:47.53, për të vijuar me mitingun në Miramas të Francës, aty ku shënoi kohën 8:50.08.

Ndërsa rekordi kombëtar i Luiza Gegës në 3000 metra “indoor” është 8:44.46, i arritur dy vite më parë në Karlsruhe të Gjermanisë.

Ndërkohë, duke u kthyer te gara e djeshme, medalja e arit u fitua nga Lemlem Hailu e Etiopisë me kohë 8:41.82.

Medalja e argjendit shkoi për amerikanen Elinor Purrier St.Pierre, e cila shënoi kohën 8:42.04, ndërsa shkalla e tretë e podiumit u plotësua nga një tjetër etiopiane, Ejgayehu Taye, me kohën 8:42.23.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"