Botërori i kërcënuar nga mafia e trukimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2014 | 14:29

Botërori i kërcënuar nga mafia e trukimeve

BoteroriKrimi i organizuar dhe mafia e trukimeve e ka shndërruar futbollin në një sport biznesi. Ndikimi i tyre ka zhvlerësuar sportin më të populluar në botë. Ky problem është i hershëm në historinë e futbollit botëror. Edhe pse organi më i lartë i futbollit, FIFA, po merr të gjitha masat për ndalimin e trukimeve, ku fenomen sa vjen edhe rritet. Rasti i fundit, ai i miqësores mes Nigerisë dhe Skocisë (2-2), ka bërë bujë të madhe në media. Gazeta angleze “Telegraf” zbuloi se kjo miqësore ishte e implikuar nga mafia e trukimeve. Në fakt, barazimi 2-2 pati hije manipulimi. Agjencia e krimeve britanike (NCA) po heton këtë rast. Nga pamjet filmike dyshohet se portieri i dytë i Nigerisë, Austin Ejide, ka bërë teatër, duke shënuar një autogol me dashje, por në fakt ai gol u anulua, për shkak se portierit iu shkaktua faull. “Nuk e di nga vijnë këto spekulime. Lojtarët e mi janë profesionistë dhe jo trukues”, – tha trajneri i Nigerisë, Stefan Keshi. Por, për çudi, Nigeria shënoi sërish autogol, por këtë herë nga mbrojtësi Egvuenke. Në minutat shtesë afrikanët barazuan, duke e mbyllur ndeshjen në 2-2. Kujtojmë që Nigeria bën pjesë në Grupin F me Argjentinën, Iranin dhe Bosnjë-Hercegovinën. Bëhet e ditur se, nëse Nigeria do të mundohet të manipulojë dy miqësoret e fundit, atë ndaj Greqisë më 4 qershor dhe SHBA-së më 7 qershor, atëherë do të ketë masa ndëshkimore.
FIFA në alarm, në Botëror vetëm Grupi D i parrezikuar – Shefi i Sigurisë së FIFA-s, Ralf Muçke, ka dhënë alarmin gjatë një interviste për “BBC”. Ai paralajmëron se vetëm Grupi D (Italia, Anglia, Kosta Rika dhe Uruguai) nuk është i rrezikuar nga trukimet. “Nuk presim që këta persona të vijnë në Brazil dhe të shohin nga afër gafat e portierëve apo mbrojtësve. Por, e dimë që disa janë kontaktuar. Ne po bashkëpunojmë me Interpolin dhe kemi armë të forta për të sulmuar mafien. Kontaktet tona me kompanitë e basteve, rrjetet sociale, janë dëshmitarë dhe ndihmësit tanë për të luftuar këtë krim. Nga informacionet që kemi, vetëm kombëtaret e Grupit D nuk bëjnë pjesë në grupin e skuadrave që përfaqësojnë rrezik trukimi”, – tha Muçke, i cili është pyetur edhe nga “Bild” për rastin e Nigerisë: “Ky rast na është bërë i qartë. Mirëpo, nuk duam ta komentojmë, në mënyrë që hetuesit të bëjnë të qetë punën e tyre”.
Eksperti kritikon FIFA-n – Eksperti i trukimeve, gazetari i njohur kanadez Deklan Hill, ka kritikuar ashpër FIFA-n për sistemin që mbikëqyr bastet. Ai ka qenë ndër të parët që zbuloi dhe intervistoi kryemafiozin nga Singapori, Dan Tan. “Sistemi mbikëqyrës i FIFA-s është një instrument kukull. Ajo mbikëqyr afro 400 sajte europiane. Por, në fakt, janë më shumë se 20 mijë faqe bastesh në internet, në të cilat mund të vësh baste. FIFA duhet t’i paguajë këta lojtarë dhe t’i mbajë nën kontroll ata. Trukimet janë më të përhapura tek ekipet e Afrikës dhe Amerikës Qendrore. E vetmja zgjidhje në Botëror është që FIFA të akordojë 50 mijë dollarë për ndeshje dhe bonuse për çdo gol”, – këshilloi Hill.
Guido Tonjoni: Në 2010-n u trukua – Ish-zyrtari i FIFA-s, Guido Tonjoni, ka pohuar për “ARD” se edhe në Botërorin 2010 ka pasur manipulime. “Kam folur me disa njerëz, të cilët më thanë se mund të manipulonin çdo ndeshje. Ata më kanë dhënë shembuj konkret dhe u shokova”, – sqaron Tonjoni, i cili refuzoi të nxirrte emra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"