Botërori i autogolave, Manxukiç vendos rekord negativ. Ja statistikat e “Rusi 2018”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2018 | 21:37

Botërori i autogolave, Manxukiç vendos rekord negativ. Ja statistikat e “Rusi 2018”

Ndoshta mungoi “joshja” dhe magjia që i dhurojnë një Botërori kombëtaret e mëdha si Gjermania e Argjentina, por edhe Brazili, Spanja e Portugalia, të cilat u eliminuan që në grupe, por edhe shumë herë më shpejt sesa mendohej në këtë udhëtim, pa folur pastaj për Italinë dhe Holandën, të cilat as që arritën të kualifikoheshin. Gjithsesi, në organizim ishte një Kupë Bote perfekte, ku Kroacia shkroi përrallën e bukur, por me një fund me lot, ndërsa Franca shenjtëroi brezin e saj të talenteve të mëdhenj dhe pa dyshim që lëshoi një sinjal të qartë për të ardhmen. Por, për sa i përket këtij Botërori në Rusi, pati shumë thyerje rekordesh, disa prej tyre negativë, por gjithsesi interesantë për t’u treguar.
manxukic
REKORD AUTOGOLASH
Ky në Rusi do të mbahet mend edhe si Botërori i autogolave, sepse si në asnjë edicion tjetër, janë shënuar shumë gola nga futbollistët në portën e tyre. Numri i saktë është 12, ndërsa kurrë më parë nuk ishin regjistruar më shumë sesa 5, shifër kjo e një edicioni më parë, në “Brazil 2014”. Ndërkohë, 4 autogola regjistroheshin në edicionet “Zvicër 1954”, “Gjermani 1974”, “Francë 1998” dhe “Gjermani 2006”; 3 në “Angli 1966”, “Argjentinë 1978” e “Japoni/Kore e Jugut 2002” dhe 2 në “Itali 1938”, “Meksikë 1986” e “Afrikë e Jugut 2010”.
MANXUKIÇ “NEGATIV”
Por jo vetëm kaq, sepse kundrejt 20 finaleve të mëparshme nuk numërohej asnjë autogol, prandaj Mario Manxukiç hyn fatkeqësisht në histori me autogolin, që zhbllokoi ndeshjen në favor të Francës. Nëse në 20 finalet e mëparshme numëroheshin 68 gola në total dhe asnjë me autogol, dje në Moskë ishte një i tillë, i cili i takoi bomberit kroat.
MARKA “INTER”
Pas këtij edicioni, skuadra e Interit mund të krenohet me faktin se mban, madje, shton rekordin se lojtarë që kanë veshur fanellën zikaltër kanë lënë dhe vazhdojnë lënë gjurmë në një Kupe Bote. Goli i Perisiçit, i cili vendosi barazimin e përkohshëm 1-1, përfaqëson golin e tetë interist në një finale Botërori (7 lojtarë të ndryshëm të Interit në histori në festë). Pas kroatit, më parë në një finale kishin lënë gjurmë Boninsenja, Altobeli, Rumenige, Brehme, Ronaldo (dopietë) dhe Materaci. Interi shndërrohet në këtë mënyrë edhe në klubin që ka dërguar më shumë lojtarë të ndryshëm në gol në një finale Botërori, duke lënë pas brazilianët e Santosit dhe Juventusin me 5 futbollistë si dhe Uest Hemin dhe Bajernin e Mynihut me 4. Por duke qëndruar gjithmonë në “planetin” Inter, Perisiç është shndërruar gjithashtu në futbollistin që pas Marko Materacit në “Gjermani 2006”, arrinte jo vetëm që të shënonte një gol, por edhe të prodhonte një penallti, për kundërshtarët.
STATISTIKA TË TJERA
Fitorja 4-2 e Francës ndaj Kroacisë është edhe rezultati i dytë më i thellë i vendosur në një finale të një Botërori, pas Brazil-Zvicër 5-2, i vendosur në “Suedi 1958”. Një tjetër 4-2 ishte regjistruar në turneun e vitit 1938, ku Italia mundte kundërshtarët hungarezë. – Kilië Mbape me 19 vjeç e 207 ditë është lojtari i tretë më i ri në një finale Botërori (pas Pelesë dhe Bergomit), por u bë i dyti U-20, pas Pelesë, që shijon golin në një finale. – Olivie Zhiru, edhe pse sulmues, nuk bëri asnjë gjuajtje në kuadratin e portës rivale, në 546 minutat e luajtura në Kupën e Botës. – Skuadra me të cilën Franca luajti kundër Kroacisë është më e reja në historinë e finaleve të Kupës së Botës (26 vjeç e 90 ditë) që nga ArgjentinëHolandë e 1978-ës. – Antuan Grizman u bë lojtari i tretë që shënon në një finale europiane, në nivel klubi dhe në një finale të Kupës së Botës brenda një sezoni, pas Gerd Mylerit (Gjermani dhe Bajern Mynih në 1974-ën) dhe Horge Valdanos (Argjentinë dhe Real Madrid në 1986-ën).
Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"