Botërori 2023/ Shqipëria pret Kosovën, Doçi dhe Elezaj: Tifozë na mbështesni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 14:44

Botërori 2023/ Shqipëria pret Kosovën, Doçi dhe Elezaj: Tifozë na mbështesni

Prej së shtunës Kombëtarja e futbollit të femrave ndodhet në grumbullim, teksa po vijon përgatitjet për ndeshjet eliminatore ndaj Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Megi-Doci-Endrina-Elezaj

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Kosovës nesër në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, ndërsa më 21 shtator do të luajë ndaj Belgjikës në transfertë. Në prag të këtyre sfidave, për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, dje janë prononcuar lojtaret Megi Doçi dhe Endrina Elezaj.

MEGI DOÇI – Golashënuesja e Vllaznisë shpreson që vajzat kuqezi ta nisin me 3 pikë ndaj Kosovës. “Objektivi ynë është të bëjmë ndeshje sa më të mira. Dihet që kemi një grup mjaft të mirë, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e ekipit kombëtar është te Vllaznia dhe kemi bërë ndeshje të mira me këtë ekip, mendoj se edhe këtu do të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë për të marrë rezultate pozitive.

Kjo ndeshje është e rëndësishme për ne, për t’i nisur mbarë këto kualifikuese. Do të futemi në fushën e lojës për të marrë një rezultat pozitiv, për të marrë 3 pikët dhe për të vazhduar kualifikueset mbarë. Ndërsa dua t’u bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin në stadium”, shprehet ndër të tjera Doçi.

ENDRINA ELEZAJ – Ndërkohë, mbrojtësja Elezaj, e cila është pjesë e skuadrës së Mitrovicës, është shprehur kështu para takimit kundër Kosovës:

“Me respektin maksimal për Kosovën, patjetër që kjo ndeshje ka shumë emocione, por kur hyjmë në fushë, ne jemi profesioniste dhe si të tillë do ta trajtojmë çdo ndeshje që na vjen. Ndeshja e dytë është ndaj Belgjikës, që është një fuqi, por edhe ne do të shpalosim fuqitë tona. Uroj dhe besoj fuqishëm në sukses”. Edhe Endrina Elezaj kërkoi gjithashtu mbështetje të fuqishme në stadium nga publiku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"