“Botërori 2019”, Kosova rrezikon të luajë në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2017 | 17:43

“Botërori 2019”, Kosova rrezikon të luajë në transfertë

Federata e Basketbollit e Kosovës të shtunën ka marrë shkresë nga FIBA, në të cilën kjo e fundit e ka bërë të qartë se, nëse palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk e arrin kapacitetin e 3000 (tre mijë ulëseve), atëherë ndeshjet e kualifikueseve të kampionatit botëror “Kinë 2019”, përfaqësuesja kosovare nuk do të mund t’i luajë në kryeqytet.

Kosova

FIBA po ashtu ka paralajmëruar palën kosovare se më 20 dhe 21 shtator do të dërgojë Lubomir Kotleban, këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të FIBA-s, për të inspektuar palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. “Më lejoni t’ju përgëzoj për sigurimin e një vendi në kualifikimet europiane për Kupën e Botës ‘Kinë 2019’.

Kosova basket

Për të qenë sa më të përgatitur që është e mundur për ndeshjet e muajit nëntor, do të kishim pasur dëshirë që të vlerësojmë palestrën që e keni paraqitur në platformë. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informatave që keni ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme.

Vizita do të shërbejë për të qartësuar nëse palestra mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërmerren në mënyrë që palestra të miratohet.

Kosova basketboll

Në qoftë se disa kërkesa minimale nuk mund të përmbushen, ekziston mundësia që ju t’i luani ndeshjet jashtë vendit, derisa të keni palestër të përshtatshme të regjistruar në vendin tuaj. Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s, do të vizitojë Prishtinën më 20 dhe 21 shtator 2017″, thuhet në shkresën e FIBA-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"