Botërori 2002: Brazil “fenomenal”, Ronaldo i jep Botërorin
Kupa e Botës në Kore dhe Japoni tregoi një futboll në transformim, ku skuadrat e mëdha nuk ishin edhe aq të mëdha dhe skuadrat e vogla treguan se nuk kishin mbetur të vogla. Kështu, përveç Brazilit, që në fund iu gëzua trofeut të pestë të Kupës së Botës, skuadrat e tjera të ashtuquajtura të mëdha dhanë dorëheqjen shumë shpejt nga ky turne. Ra në sy eliminimi që në turin e parë i Francës. Kampionët e botës në fuqi jo vetëm që treguan një futboll aspak spektakolar dhe larg atij të shpalosur në Botërorin shtëpiak katër vite më parë, por skuadra e drejtuar nga Roxher Lemerr nuk arriti të shënonte qoftë edhe një gol në këtë kompeticion.
Argjentina Pak a shumë të njëjtin fat ka pasur edhe Argjentina, e cila erdhi në Botëror me shumë pretendime, por u eliminua që në ndeshjet në grupe. Ndërsa ekipet surprizë të Kupës së Botës kanë qenë pa dyshim skuadra përfaqësuese amerikane dhe Turqia. Amerikanët kaluan në 1/8-at finale, duke mundur në ndeshjen e fundit pikërisht Portugalinë, e cila kishte ardhur në Botëror për të shkuar të paktën deri në ndeshjet gjysmëfinale. Ndërsa Turqia, pas një humbjeje aspak të merituar në takimin e parë përballë Brazilit, arriti të shkonte deri në gjysmëfinale, ku do të përballej sërish me skuadrën e “Seleçaos”.
Sytë te “R”-të Natyrisht, sytë e të gjithë tifozëve, sportdashësve dhe gazetarëve u përqendruan te treshja e “R”-ve të Brazilit, Rivaldo, Ronaldo dhe Ronaldinjo, pa harruar këtu edhe Roberto Karlosin dhe Kafunë. Madje, ky i fundit arriti edhe një rekord personal që askush deri në atë kohë nuk e kishte arritur. Markos Kafu ishte i vetmi futbollist që kishte marrë pjesë në tri finale radhazi të Kupës së Botës, në SHBA 1994, Francë 1998 dhe Kore-Japoni 2002. Ai ishte gjithashtu i vetmi futbollist i Brazilit që luajti çdo sekondë në ndeshjet e kësaj skuadre në këtë Botëror. Ndërsa Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinjo ishin në formën më të mirë të tyre sportive, duke dhuruar spektakël të vërtetë në fushën e lojës. Roni u shpall edhe golashënuesi më i mirë i këtij Botërori, me tetë gola, duke marrë dhe çmimin e “Këpucës së Artë”.
Finalja Ndërkohë që në 1/8-at e finaleve skuadrat dhuruan surpriza shumë të bukura, Brazili udhëtonte i sigurt drejt finales, falë golave të Ronaldos dhe Ronaldinjos. Surpriza e radhës ishte Italia, e cila u eliminua në minutat shtesë të lojës nga një “Golden Goal” i Ahn dhe pas një kontestimi të vazhdueshëm në mënyrën e arbitrimit të takimit nga gjyqtari Moreno. Ndërkohë që humbja 1-0 ndaj Gjermanisë në ndeshjet gjysmëfinale të Japonisë nuk uli aspak entuziazmin e vendësve, të cilët, edhe pse kishin humbur kalimin deri në gjysmëfinale, e konsideruan një rezultat historik. Ndërkohë që Brazili do të gjente përpara sërish Turqinë, që e kishte mundur në ndeshjet e para falë një penalltie shumë të kontestuar të Rivaldos. Por ndeshja mori një rrjedhë krejt ndryshe nga ç’mendonin turqit, të cilët në fund u detyruan të dorëzoheshin përballë Ronaldo & company. Në finale, verdheblutë do të prisnin Gjermaninë e Oliver Kahnit. Ky i fundit, pas një Botërori pothuajse perfekt, gjunjëzohet para Ronaldos, duke i dhuruar me dorën e tij Kupën e Botës. “Fenomeni” ishte i papërmbajtshëm dhe, pavarësisht një modeli të shëmtuar flokësh, ishte pa diskutim ylli i kompeticionit. Dopieta e tij gjunjëzoi skuadrën e Rudi Fëlerit, e cila ishte thuajse e pafuqishme për të evituar humbjen përballë supremacisë së djemve të Skolarit. “Seleçao” ngriti për herë të pestë në historinë e vet trofeun botëror…
Moreno, arbitri i skandaleve që u arrestua për drogë
Akuza nga më të ndryshmet dhe kritika pa fund për arbitrin Bajron Moreno. Koreja e Jugut u favorizua ndjeshëm nga arbitrat në Kupën e Botës, por në ndeshjen kundër Italisë gjyqtari e teproi. Vendimet e tij u dukën hapur që ishin tendencioze dhe, mbi të gjitha, në favor të ekipit vendës. Moreno anuloi një gol të rregullt të Damiano Tomazit, nxori me të kuq Françesko Totin dhe bëri sa mundi që Korea e Jugut të fitonte, gjë që ndodhi, pasi Ahn shënoi golin e suksesit, duke vulosur rezultatin në 2-1. Në atë kohë, sulmuesi koreanjugor ishte pjesë e skuadrës së Peruxhias, por presidenti Gauçi vendosi ta largonte nga ekipi, vetëm për golin që shënoi, duke eliminuar Italinë. Gjithsesi, personazhi i paharrueshëm i asaj përballjeje është pikërisht ekuadoriani Bajron Moreno. Ai fitoi një famë ndërkombëtare, pikërisht prej atyre gafave, por kjo nuk e ndihmoi që të kishte një jetë të qetë në të ardhmen. Ekuadoriani u bë sërish lajm kryesor në mediat ndërkombëtare tetë vite më pas. Pikërisht në shtator të 2010- ës, ai u arrestua në aeroportin Xhon Kenedi të Nju Jorkut, pasi po tentonte të kalonte gjashtë kilogramë heroinë. Ish-gjyqtari e kishte fshehur sasinë e drogës nën veshjet e tij, por kjo nuk i shpëtoi kontrollit të policisë. Për këtë vepër u dënua me dy vite e gjysmë burgim dhe u lirua pasi kreu 26 muaj heqje lirie.
Dënimi në Ekuador – Moreno i dha fund karrierës së tij si arbitër në vitin 2003, më tepër i detyruar nga pezullimet e shpeshta, se sa nga dëshira e tij. Në shtator 2002 ai u dënua me 20 javë pezullim, për shkak se në ndeshjen Deportivo Kuito-Barcelona Sporting akordoi tri minuta shtesë, por lejoi që ndeshja të luhet edhe 13 minuta, deri sa Kuito barazoi në të 99-ën. Më pas, në maj 2003, ai u pezullua sërish, këtë herë pasi nxori me karton të kuq tre futbollistë të Deportivo Kuensa, në mënyrë të dyshimtë. Një karrierë e mbushur me skandale. Ai është cilësuar edhe si arbitri më i keq në historinë e Kupës së Botës.
“Po erdhën shpejt, këtu i pret burgu”
Silvio Berluskoni, si gjithnjë karizmatik, u mundua të motivojë ekipin kombëtar të Italisë para fillimit të Kupës së Botës. “Nëse vijnë më shpejt seç duhet, më mirë të mos shkelin në Itali, se i pret burgu”, – tha ai. Ndërkohë, të kaltrit nuk shkëlqyen, pasi u eliminuan nga vendi organizator i Koresë së Jugut, pas një gjykimi skandaloz të arbitrit Bajron Moreno. Kur Italia u kthye, ishte sërish Berluskoni që komentoi: “Mendoj se kundërshtarin do e kishin mundur nëse… më mirë nuk po e them. Gjithsesi, një person i 12-të i shpëtoi lojtarët italianë nga burgu”, – tha ai, duke iu referuar Bajron Morenos, si fajtorin e eliminimit të Kombëtares italiane.
Vjedhja spektakolare e dorezave të Kahn
Në ndeshjen finale, pasi arbitri Kolina vërshëlleu për herë të fundit, brazilianët filluan festën e trofeut të Kupës së Botës. Kahn hoqi dorezat, i la pranë vetes, u ul në zonën e portës së tij dhe qëndroi për pak minuta. Më pas u çua dhe shkoi deri në mesin e fushës, kur u kujtua se kishte harruar dorezat. U kthye për t’i marrë, kërkoi, por nuk i gjeti më. E kush i vodhi? Anibal Pereira ishte një tifoz i Brazilit, i cili në mënyrë spektakolare kishte arritur të kalonte rrethimin e stadiumit, të futej me vrap në fushë dhe t’i merrte ato, pa u vënë re në fillim. Një dhuratë mjaft e çmueshme që i bëri vetes, duke qenë se Kahn atë vit fitoi çmimin “Jashin”, si portieri më i mirë i kompeticionit.