Botërori 1998: Franca e Zidanit në majën e Botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2014 | 20:30

Botërori 1998: Franca e Zidanit në majën e Botës

FrancaEdicioni i 16-të i Kupës së Botës mbahet mend për pjesëmarrjen e 32 skuadrave nga të gjitha kontinentet. Tetë grupet e ekipeve u shpërndanë në gjithë Francën në dhjetë stadiume moderne, ku si ndeshja e hapjes dhe finalja u zhvilluan në mitikun “Stade de France” të Parisit. Dhe ashtu siç ndodh jo rrallë, në ndeshjet në grupe vijnë surprizat e para, ku disa nga skuadrat e ashtuquajtura favorite i lanë vendin ekipeve pak të njohur. Spanja nuk mundi të kalonte grupin pas humbjes me Nigerinë në sfidën e parë dhe lëshimit të vendit të dytë paraguaianëve, të cilët arritën të mundin afrikanët në ndeshjen e tretë. As Kolumbia nuk e kaloi dot grupin e përbërë nga Rumania, Anglia dhe Tunizia. Ballkanasit zunë vendin e parë në grup, pasi mundën edhe anglezët me rezultatin 2-1.
1/8-t Përballjet e 1/8-ve dhuruan një supersfidë, atë midis Anglisë dhe Argjentinës. 45 minutat e para do të mbahen mend për një futboll të klasit më të lartë. Dy penallti, nga një për skuadër, një gol spektakolar i Majkëll Ouenit dhe një predhë nga një goditje dënimi e Havier Zanetit, është kjo pak a shumë rezymeja e pjesës së parë. Në 45 minutat e dyta kapiteni Devid Bekam del nga fusha me karton të kuq për një shkelm ndaj Diego Simones. Sol Kembëll shënon një gol të rregullt, që anulohet nga gjyqtari, për të ardhur te penalltitë. Portieri argjentinas pret penalltinë decizive të David Batit dhe latino-amerikanët kalojnë në çerekfinale. Në 64 ndeshje të zhvilluara, u shënuan 171 gola. Megjithatë vendi mikpritës, Franca, bënte me ngadalë rrugën drejt takimit me fatin. Pas turit të parë, transalpinët ndeshën rezistencën e skuadrës së Paraguait e për të ndjekur pastaj rrjedhën, nevojitet goli i parë i artë në historinë e Kupës së Botës, shënuar në minutën e 113-të nga Loran Blank. Italia kishte vitin e suksesit dhe këtë herë duhej të eliminonte pikërisht të zotët e shtëpisë. Por Xhixhi Di Biaxho gabon penalltinë e fundit dhe blutë shkojnë drejt gjysmëfinales.
Gjysmëfinale Kroatët mund të quhen pa dyshim surpriza e këtij Botërori. Ishin pikërisht këta të fundit që do të ndesheshin në gjysmëfinale me Francën. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Kroacisë në Kupën e Botës, pas ndarjes së ish-Jugosllavisë. Heronjtë e saj, si Miroslav Blazeviç, kishin mundur Gjermaninë 3-0. Kishte ardhur ora e zgjimit për francezët dhe ja ku vjen dhe njeriu i fatit, Liliam Turam, që zgjedh këtë moment për të shënuar golin e tij të parë dhe të dytë ndërkombëtar, për të arritur një finale të ëndërruar.
Finalja Në finale, Brazili ndryshoi ngjyrë. Larg lojërave më të mira latino-amerikanët iu përulën francezëve, të cilët, të udhëhequr nga Zinedin Zidan, fituan për herë të parë në historinë e tyre Kupën e Botës. Dopieta e kapitenit Zidan dhe goli i Turam gjunjëzuan brazilianët. Skuadra e trajnerit Zagallo ishte shumë larg formës që pritej, me një yll si Ronaldo që nuk bëri thuajse asgjë në fushën e lojës. Bebeto e Rivaldo e patën të pamundur që të lënë gjurmë, ndërkohë që në fushën e lojës Zizu ishte i pakapshëm. Elegancë në lëvizjen me topin, autoritar dhe një finalizim magjik. Francezët ngritën për herë të parë në historinë e tyre trofeun e kampionatit të botës, pikërisht në vendlindje. Një brez i artë futbollistësh që do triumfonin edhe dy vite më pas në kampionatin europian…

Soccer - World Cup France 98 - Final - Brazil v FranceKur Roberto Karlos bërtiste i trembur: Po vdes Ronaldo!
Një incident ka ndodhur në Ko mbëtaren e Brazilit, pak para finales kundër Francës. Sulmuesi brazilian Ronaldo kaloi një krizë epilepsie, ndonëse nuk vuante nga një sëmundje e tillë. Ai ndodhej në dhomë me Roberto Karlosin. Ky i fundit, pasi pa krizën që po kalonte sulmuesi i talentuar, doli menjëherë në korridor duke bërtitur: “Ronaldo po vdes! Ndihmë! Ronaldo po vdes!”. I pari erdhi Edmundo e më pas një mjek. “Nuk mbaj mend asgjë. Të gjitha m’i kanë treguar shokët. Mjeku më tha se ishte një krizë e çuditshme, por ndërhyrja e tij në kohë kishte arritur të më qetësonte. Në fakt, është e vërtetë që unë humba në finalen e Kupës së Botës, por isha i lumtur se kisha fituar një jetë të re. Ndihesha i traumatizuar për faktin se rrezikova të humbisja jetën”, tha “Fenomeni”. Ndërkohë, Cesar Sampaio e pranon që ajo që ndodhi me Ronaldon, i preku të gjithë moralisht. “Nuk ishim shumë të qetë. Morëm pjesë në ndeshjen më të madhe të jetës sonë, por nuk ishim të qetë 100%. Madje, disa prej nesh e pranuan pas ndeshjes, se kishin frikë t’ia pasonin topin atij, se mendonin se mund të kalonte një tjetër krizë. Duket paradoksale, por nuk ishim të qetë”, tha ai. Ronaldo nuk arriti të shkëlqejë në finale, ndërsa Brazili u mund 0-3 nga vendësit e Francës. Edhe Edmundo në rrëfimin e tij pranon se Ronaldo as nuk pritej që të luante: “Trajneri Zagallo erdhi dhe më tha që të bëhesha gati për të qenë titullar. Kur papritur, në stërvitjen para finales, Ronaldo erdhi i gëzuar. ‘Jam gati, do luaj. Mjekët më dhanë garanci’, tha ai i lumtur. Zagallo më vështroi, duke nënkuptuar që më vjen keq. I thashë që nuk e kisha problem. Gjithsesi, prania e Ronaldos në fushën e lojës nuk ndihmoi aspak, përkundrazi shpërqendroi. Unë isha i lumtur për faktin që i shpëtova jetën, sepse ndërhyra i pari”, tregoi Edmundo.

Redondo nuk luajti se refuzoi të priste flokët
Në Kupën e Botës 1994, mesfushori Fernando Redondo refuzoi që të grumbullohej me Kombëtaren e Argjentinës, pasi dëshironte t’u përkushtohej studimeve të shkollës. Një arsye e çuditshme, por akoma më surprizuese ishte shkaku që ai nuk u grumbullua as në Botërorin e vitit 1998. Trajneri Pasarela i kërkoi atij që të shkurtonte pak gjatësinë e flokëve, pasi ishte një rregull që e kishte vendosur për të gjithë futbollistët. Redondo refuzoi dhe kjo i kushtoi që të merrte pjesë në kompeticionin e rëndësishëm. Gabriel Batistuta nuk e diskutoi kërkesën e teknikut të Kombëtares, duke shkurtuar flokët dhe duke iu gëzuar aktivizimit në Kupën e Botës.

Davor Shuker, “Këpuca e Artë” e Botërorit
Davor Shuker është golashënuesi më i mirë i këtij kampionati botëror. Sulmuesi i përfaqësueses kroate shënoi gjashtë gola në gjashtë ndeshje (nga një për ndeshje). Por sulmuesi i Real Madridit do të mbahet mend më shumë për golin e famshëm që i shënoi pikërisht portierit legjendar Oliver Kahn. Ishte pikërisht ai gol që eliminoi dhe Gjermaninë.

Zinedin Zidan, “ylli” magjik i kompeticionit
Është pa dyshim Botërori i tij. Kapiteni i Francës, me dy golat e shënuar në finalen e madhe ndaj Brazilit, sigloi jo vetëm trofeun e parë botëror për Francën, por shkroi edhe emrin e tij në legjendat e futbollit botëror. Botërori i dha atij edhe çmimin e futbollistit më të mirë si dhe “Topin e Artë” për vitin 1998, pas paraqitjes brilante.

Ronaldo mori çmimin si më i miri në Francë
Edhe pse erdhi me shumë pretendime në Botërorin francez, pasi kishte qëndruar vetëm në pankinë në Kupën e Botës në SHBA, “Fenomeni” nuk mundi të ngrinte lart trofeun. Megjithatë Ronaldo tregoi se ishte në një gjendje mjaft të mirë sportive dhe se e meritonte plotësisht trofeun individual të “Topit të Artë”, që kishte marrë një vit më parë. Madje, u shpall edhe lojtari më i mirë i kompeticionit.

Majkëll Ouen, talenti që mahniti botën
Ishte surpriza e Kupës së Botës “Francë ’98”. Djaloshi që nuk kishte mbushur ende 20 vjeç, shënoi një nga golat më të bukur të këtij kompeticioni në përballjen ndaj Argjentinës në ndeshjet e 1/ 8-ve finale. Edhe pse shumë anglezë ishin skeptikë për aktivizimin e tij me kombëtaren, përsëri ai mbajti peshën e sulmit të Anglisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"