Botërori 1950: Uruguai bën të qajë 203 mijë tifozë në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2014 | 21:00

Botërori 1950: Uruguai bën të qajë 203 mijë tifozë në stadium

UruguajiNë vitin 1950, Lufta e Ftohtë bëhet e nxehtë. 60 mijë ushtarë të Koresë së Veriut kalojnë paralelin 38 që e ndan nga Koreja e Jugut, e cila është aleate e SHBA-së. Në këtë gjendje të tensionuar, në Brazil zhvillohet botërori i katërt. Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të Lindjes nuk marrin pjesë. Po kështu vepron edhe Argjentina. Të papriturën e sjell Anglia që për herë të parë denjon të pranojë të ulet në sofrën e futbollit botëror. India hedh poshtë ftesën, sepse futbollistët e saj dinë të luajnë futboll vetëm zbathur. Bëhet ç’është e mundur të ftohet Portugalia, Franca, Turqia, por më kot. Ashtu si më 1938, Gjermania dhe Japonia, si shtete të mundura në Luftën e Dytë Botërore, nuk ftohen në Brazil. Shumë skuadra e marrin kampionatin si me të qeshur. Ndër to edhe dy herë kampionë, italianët, që udhëtojnë në brigjet braziliane me anije si katërqind vjet e kusur më parë Kolombi. Me vete sjellin Kupën e Botës, të cilën, presidenti i federatës së tyre të futbollit, Barasi, e ka ruajtur me kaq xhelozi, sidomos gjatë viteve të luftës kur mund të binte në duart e nazistëve.
“Marakana” Çuditë në këtë botëror priten nga Brazili që ëndërron më së fundi të fitojë për herë të parë dhe nga Uruguai që ka refuzuar të marrë pjesë dy herë në Evropë. Skuadra e këtij vendi të vogël kërkon të dëshmojë se nuk është më kot fitues i edicionit të parë më 1930 që e ka organizuar vetë. Lojtarët uruguaianë: Varela, Andrade, Skiafino do të dëshmojnë se ndonëse nuk kanë elegancën e zhonglerëve brazilianë, janë më racionalë, më të përmbajtur, më të thjeshtë, por, mbi të gjitha, më rezultativë se brazilianët. Finalja dramatike midis Uruguait dhe Brazilit do të zhvillohej në stadiumin gjigant “Marakana” me 203 mijë e 850 vetë mbi shpatulla, e para dhe e fundit herë në historinë e tij me një barrë kaq të madhe, pas zhvillimeve lavdiplotë “Saoveno, o Brazil”, në fund të takimit do të bjerë në heshtje mortore.
Italia Dy herë kampionët e botës, italianët, janë eliminuar nga suedezët shtatlartë që në turin e tretë (3 – 2). Po ky eliminim vjen nga një arsye tepër e fortë. Një vit më parë, më 5 maj 1949, aeroplani me të cilin Torino po kthehej nga Portugalia përplaset me kodrën e Supergas. Mbetën të vdekur tërë futbollistët, midis të cilëve Rigamonti, Kasiliano, Macola (babai i Macolës së njohur të viteve ’65 – ’70), Baçigalupo, Osola, Moroso, Balarin e të tjerë futbollistë të ekipit kombëtar.
Finalja Brazili në dëlir! 50 milion brazilianë kërkojnë fitore e vetëm fitore nga trajneri i tyre Flavio Kosta. Ata e ndjekin ndeshjen kudo, në shtëpi, kafene, parqe e rrugëve ku buçasin altoparlantët. Merreni me mend se çfarë ndodh kur Friaka shënon në minutën e 47-të…! Brazilianëve u duket se ky çast është fillimi i një goleade. Po uruguaianët nuk e humbasin toruan. Mbrohen dhe kundërsulmojnë. Dhe ja në minutën e 66-të, pas një topi të saktë të Gixhos, barazon Skiafino. Është një çast delikat. Sikur brazilianët të kishin qenë më gjakftohtë e të kishin gjykuar se kundërsulmet e kundërshtarëve ishin vdekjeprurëse, ata, duke e kontrolluar lojën, mund ta kishin mbyllur ndeshjen me barazim, që për ta ishte fitore. Po ata kërkonin fitore madje të bujshme. Ndaj Ademiri me shokë mësynin me forca të shumta portën e portierit Mospoli.
Golat Në minutën e 69-të, Mikues godet shtyllën dhe 5 minuta më vonë Skiafino fton në aksion Gixhan, i cili pasi çarmatos mbrojtësin e majtë Bigode, shënon. Stadiumi gjigant “Marakana” hesht si të jetë akull. Brazilianët nuk duan t’u besojnë syve, e pandehin se futbollistët do lënë fushën pas mbarimit të ndeshjes e do të shfaqen përsëri atje. Por kur Zhyl Rimeja u dhuron kupën uruguaianëve, gjithçka është e qartë. Lot, klithma brengosëse, infarkte dhe vdekje ndodhin në këto minuta. Rasti më patetik është ai i gjysmëmbrojtësit Danilo që kërkon të vrasë veten, por arrijnë ta shpëtojnë. Brazili është në zi.

GixhaGixha, heroi që heshti Brazilin dhe jetoi në mjerim
Shënoi golin e fitores, por më pas punoi në autoshkollë Alcides Gixha është pa diskutim një nga heronjtë e futbollit uruguaian, ndoshta më i paharrueshmi. “Vetëm tre veta kanë arritur të heshtin 200 mijë veta. Unë, Frenk Sinatra dhe Papa Gjon Pali i dytë”, – kjo ka qenë shprehja e tij dhe me shumë të drejtë. Goli që shënoi në stadiumin “Marakana” bëri të pushonte 203 mijë të pranishmit, duke i dhënë triumfin e Kupës së Botës kombëtares së tij. Gjithsesi, jeta nuk pasoi me aq lavdi për të, edhe pse mund të parashikonte një të ardhme të ndritur. Ai nisi të luante në Itali me Romën për tetë vite, ku në 201 takime shënoi vetëm nëntë gola. Më pas u transferua te Milani, duke luajtur vetëm katër ndeshje. Edhe pse pritej shumë, nuk shpërbleu aspak besimin. Gjithsesi, goditja më e rëndë erdhi prej divorcit me bashkëshorten pasanike. Mbeti pa asnjë të ardhur, me një karrierë futbollistike të përfunduar. Kjo e detyrojë që të pranonte një punë në Motevideo si roje në kazino. Ai duhet të shikonte që lojtarët të mos bënin hile. Një punë e rëndomtë për një hero kombëtar, por që nuk kishte mundësi zgjedhje tjetër. Gjithsesi, edhe aty e mbajtën për pak kohë. Provoi të bëhet trajner me Penarolin, por nuk plotësoi asnjë kusht që i kërkoi klubi, duke u shkarkuar shumë shpejt. Pjesën e mbetur të jetës, Gixha e kaloi duke punuar si mësues në një autoshkollë. Pikërisht aty ku njoh edhe me bashkëshorten e tretë. Një jetë e kaluar në mjerim, pavarësisht pensionit prej 700 dollarësh që i jep shteti. Në vitin 2006, atij iu bë një festë madhështore me rastin e 80-vjetorit të lindjes, ku u shfaq një parullë ku shkruhej: “Ti na bëre të gjithëve të qajmë nga gëzimi”. Një hero, që nuk jetoi dot si i tillë…

Zhyl Rime: Mendova se do i jepja trofeun Brazilit
Presidenti i FIFA-s, Zhyl Rime, zbulonte pak kohë pas Kupës së Botës se kishte menduar që Brazili do e fitonte trofeun dhe zbriti për t’ua dorëzuar atyre trofeun. “Disa minuta para se të përfundonte takimi, ndeshja ishte 1-1. Duke parë atmosferën, unë mendova se do të fitonte Brazili, ndaj u largova dhe përgatita një fjalim për ta. Pasi përfundova fjalimin në një copë letër, mora trofeun dhe nisa të zbrisja shkallët për të shkuar në dhomat e zhveshjes. Nuk e kuptova pse i gjithë stadiumi heshti në një moment dhe çuditërisht askush nuk më informoi. Kur po zbrisja për në fushë, pashë kapitenin e Brazilit që po qante dhe Uruguain që po festonte. Ishte me të vërtetë e pabesueshme për mua. Nuk mbajta fjalim, por thjesht i dorëzova trofeun Uruguait dhe i urova”, – pati thënë Rime.

Dhjetëra vetëvrasje të tifozëve pas humbjes
Termi “Marakanazo” simbolizon një zhgënjim të tejskajshëm në Brazil. Kështu u pagëzua edhe humbja në finalen e Kupës së Botës kundër Brazilit, kur u mundën nga Uruguai. Ishte parashikuar një festë madhështore, por u kthye në një tragjedi kombëtare. Rreth 203 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin “Marakana” heshtën kur rivalët shënuan golin e dytë. Pas kësaj humbjeje, dhjetëra tifozë kryen vetëvrasje nga dëshpërimi, aq sa edhe në mure nisën të afishoheshin fletëthirrje për të ruajtur qetësinë. Askush nuk e kishte imagjinuar. Madje u cilësua edhe si “Hiroshima e Brazilit”. I gjithë vendi u përfshi nga një mërzitje e pamasë, për vetë faktin se e përjetuan shumë atë kompeticion. Madje, mes personave që tentuan të kryenin vetëvrasje, ishte edhe mesfushori i Brazilit, Danilo. Për fatin e mirë, ai tentoi ta bëjë në dhomat e zhveshjes dhe u ndalua nga shokët e skuadrës, për të mos e përsëritur më kurrë këtë veprim.

Italia e dobët prej tragjedisë së Torinos
Italia, e cila ishte kampionia në fuqi e botës, shkoi pa shumë pretendime në kompeticionin e Brazilit. Arsyeja ishte mjaft e fortë. Pjesa më e madhe e titullarëve të ekipit përfaqësues, madje më cilësorët, humbën jetën pas rrëzimit të avionit. Ishte pikërisht aeroplani që po udhëtonte skuadra e Torinos, e cila po dominonte lehtësisht në kampionatin italian, ai që u përplas në kodrën Superga. Të gjithë futbollistët humbën jetën, mes të cilëve Rigamonti, Kasiliano, Macola, Baçigalupo, Osola, Moroso, Balarin. Bëhet fjalë për bazën e Kombëtares së Italisë, çka u pasqyrua edhe në rezultatet e arritura në Kupën e Botës së Brazilit, ku fituan me Paraguain, por u mundën nga Suedia.

Ja struktura e kupës, Brazilit i mjaftonte 1 pikë
Kupa e Botës u zhvillua me një organizim të veçantë në edicionin e vitit 1950. Skuadrat kalonin fazën në grupe, ku kualifikohej vetëm e para. Uruguai u kualifikua pas vetëm një ndeshjeje, duke qenë se Franca refuzoi të merrte pjesë. Raundi final ishte gjithashtu një fazë grupesh më vete, ku ekipi që arrinte të merrte më tepër pikë, ngrinte trofeun. Në ndeshjen e fundit mes Brazilit dhe Uruguait, vendit organizator i mjaftonte edhe një barazim për t’u shpallur kampion bote. Pavarësisht se kaluan të parët në avantazh, ata pësuan një përmbysje shokuese, duke u mundur me rezultatin 2-1 dhe fituar për herë të dytë në historinë e tyre Botërorin.

India nuk mori pjesë, se donte të luante zbathur
Kombëtarja e Indisë nuk mori pjesë në Kupën e Botës, edhe pse ishin programuar që do të luanin, madje ishin llogaritur në vazon e katërt të shortit. Arsyeja që ata refuzuan të udhëtonin drejt Brazilit është me të vërtetë e rrallë. Federata Indiane kërkoi që lojtarët e vet të luanin zbathur në fushë, sepse ashtu ishin mësuar edhe në vendin e tyre. Kjo i bënte të tregonin më mirë aftësitë që kishin. Mirëpo, ndryshe nga Botërori i kaluar, një gjë e tillë nuk lejohej më. Ishte kusht i panegociueshëm që futbollistët të vishnin këpucë futbolli dhe, në shenjë proteste, India vendosi të mos luante.

Ademiri fitoi “Këpucën e Artë”
Sulmuesi Ademir ishte pa diskutim heroi i paraqitjes mbresëlënëse të Brazilit në Kupën e Botës, pavarësisht fundit të hidhur. Futbollisti i Vasko de Gamës arriti të fitonte edhe “Këpucën e Artë” të kompeticionit, pasi shënoi plot tetë gola. Në vendin e dytë u pozicionua Oskar Miguez i Uruguait me tre më pak. Ademir e kaloi të gjithë karrierën e tij në Brazil, pavarësisht ofertave nga Europa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"