Botëror me 23 gara, Formula 1 aprovon kalendarin e ri. Ja ku fillon dhe ku mbaron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2020 | 16:53

Botëror me 23 gara, Formula 1 aprovon kalendarin e ri. Ja ku fillon dhe ku mbaron

Një muaj më parë FIA prezantoi kalendarin provizor të vitit të ardhshëm, në të cilin parashikohej numri rekord me 23 gara sezonale, duke u rikthyer në normalitet pas një edicioni të kushtëzuar nga pandemia globale e Koronavirusit. Së fundmi Këshilli Botëror i Motorsportit ka vendosur ta aprovojë kalendarin për vitin 2021, megjithatë ende mbetet një datë bosh në muajin prill, teksa në teori parashikohet që të mbahet Çmimi i Madh i Vietnamit.

formula 1

Risia në botërorin e ardhshëm konsiston në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, i cili do të zhvillohet nën dritat e prozhektorëve në pistën qytetase në Xhedahut, që do të shënojë edhe eventin e parafundit sezonal. Kështu edicioni i ri do ta ngrejë siparin më 21 mars në Australi dhe do të mbyllet më 5 dhjetor në Abu Dabi. Çmimi i Madh i Britanisë do të rikthehet të mbahet në korrik, sipas datës tradicionale, ndryshe nga ky sezon kur pista e Silverstonit priti dy gara në gusht. Kalendari i ri gjithashtu parashikon edhe 2 tripleta, me 6 gara që do të mbahen në harkun kohor të 7 javëve. Çmimi i Madh i Holandës ndryshe nga sa u vendos fillimisht për vitin 2020, në kampionatin e ri do të zhvillohet në pjesën e dytë të sezonit, ndërmjet garave në SPA dhe Monza.

Këto evente të njëpasnjëshme përbëjnë edhe tripletën e parë të botërorit, ndërsa e dyta formohet nga garat në Rusi, Singapor dhe Japoni. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika pas një viti mungesë rikthehen të presin normalisht eventet e tyre në Formula 1. Gjithashtu, Interlagos ka arritur marrëveshje me FIA-n dhe do të vijojë të jetë pjesë e botërorit 2021, teksa më 14 nëntor do të presë në San Paolo, Çmimin e Madh të Brazilit. Palët kanë firmosur së fundmi një kontratë për 5 sezonet e ardhshme. E pazyrtarizuar mbetet data 25 prill, teksa ende nuk është aprovuar Vietnami. Megjithatë, 3 pista të tjera janë të gatshme ta zëvendësojnë, bëhet fjalë për Imolan, Portimaon dhe Muxhelon, cirkuite që ishin pjesë e sezonit që sapo u mbyll.

Përgatiti: ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"