Botëror i mallkuar/ Ibra refuzon të dalë në pension, ngushëllimin e kërkon te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2022 | 12:13

Botëror i mallkuar/ Ibra refuzon të dalë në pension, ngushëllimin e kërkon te Milani

Eliminimi i Suedisë nga Polonia në “play off”-in për një biletë në “Katar 2022” nuk e ka penguar Zlatan Ibrahimoviçin të marrë avionin e parë drejt Milanos. Zhgënjimi i kombëtares mbetet, por 40-vjeçari po ndjek një titull me Milanin, ndaj dje që në mëngjes është paraqitur në qendrën stërvitore.

ibrahimoviç

Ai nuk punoi me shokët në fushë, por zgjodhi palestrën për ushtrimet e personalizuara. Pavarësisht se shumë kuqezinj ishin me ekipet përfaqësuese të martën mbrëma, suedezi ishte i vetmi që u paraqit rregullisht ditën e djeshme.

BOTËROR I MALLKUAR – Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit nuk arriti të mposhte Poloninë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës në Katar. Qendërsulmuesi i Milanit mohon zërat për një pension të mundshëm nga kombëtarja duke pasur parasysh gati 41 vitet që ka mbi supe. Sidoqoftë, duke përjashtuar mrekullitë sportive, zbehet mundësia për ta parë Zlatanin në një Kupë Bote.

Statistikat e tij personale në Kupën e Botës janë shumë të dobëta, pasi në karrierë ka mundur të koleksionojë vetëm 5 paraqitje (253 minuta të luajtura) dhe asnjë gol të shënuar.

IBRA S’NDALET – Botërori i këtij fundviti ishte një ëndërr të cilën Ibra nuk do ta bëjë dot realitet. Shumëkush e lidhte Katarin me vijimin e karrierës, por me sa duket mes këtyre aspekteve nuk ka lidhje.

Pas humbjes ndaj Polonisë, sulmuesi deklaroi për mediat: “Për sa kohë do të kem formën e duhur dhe fiziku të ma lejojë do të vazhdoj të luaj. Dua të jem në fushë e të jap ndihmesën time. Nuk kam në plan të ndalem”.

Milan apo edhe kombëtare? Pyetjes i jep përgjigje vetë Ibra. “Do të vazhdoj të luaj sa më gjatë. Kjo vlen për te Milani, por edhe për Suedinë. Nuk kam folur ende me trajnerin e kombëtares, por mendoj se duhej ta kisha takuar shumë më herët. Do të na ishte dashur vetëm një minutë bisedë e rikthimi im në kombëtare do të kishte ndodhur shumë më herë”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"