Viti 1930: Botëror braktisjesh, Uruguaji kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2014 | 21:33

Viti 1930: Botëror braktisjesh, Uruguaji kampion

1930uruguay_soccerBotërori i parë futbol listik u zhvillua në Uruguai, në vitin 1930. Ishte hera e parë që kombëtaret e futbollit të shteteve mblidheshin në një vend të vetëm, për të nxjerrë një fitues. Edhe pse futbolli ishte pjesë e Lojërave Olimpike të zhvilluara dy vite më parë, nuk ishte organizuar asnjëherë një kompeticion botëror për sportin e futbollit. U vendos që do të zhvillohej në Uruguai. Në fakt, numri nuk ishte aq i madh sa pritej, pasi vetëm 13 skuadra konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Një prej ekipeve që zhgënjeu më shumë, për faktin që nuk mori pjesë, ishte pikërisht Kombëtarja e Anglisë. Këta të fundit vendosën të bojkotojnë turneun, duke u shprehur se ishin ata vendi që shpikën sportin e futbollit dhe për rrjedhojë duhet të ishin edhe vendi organizator i Botërorit të parë. Duke qenë se dëshira e tyre nuk u plotësua, atëherë ata vendosën që të mos udhëtojnë për në Uruguai. Por shtetet e tjera kishin probleme më njerëzore, duke parë edhe periudhën. Disa prej shteteve europiane deklaruan se nuk do të shkonin për shkak të largësisë së madhe. Duhet theksuar se në atë kohë transporti bëhej me anije dhe duhej një kohë e gjatë për të shkuar nga një vend i Europës për në Uruguai. Por, kishte edhe nga ato shtete që deklaruan se ishin në krizë financiare dhe nuk mund t’i lejonin vetes shpenzime të tilla. Kombëtarja e Spanjës kishte një tjetër arsye për të mos marrë pjesë. Ata kishin vetëm pak muaj që kishin krijuar ekipin kombëtar dhe duke marrë parasysh situatën, vendosën që më mirë të mos shkojnë, në mënyrë që të përgatiten për kompeticionin e radhës. Madje trajneri i tyre, Hoze Maria Mateos, deklaroi se do të ishte thjesht një humbje kohe, pasi për aq kohë sa zgjaste rruga, ata mund të forcoheshin më shumë si ekip.
Kupa e Botës Lusien Lorent është shënuesi i parë në historinë e botërorëve, kur francezi shënoi në portën e Meksikës. Interesimi i tifozëve ishte shumë i ulët në disa ndeshje, por në ato ku luanin amerikano- jugorët kalonte shifrën e 70 mijë spektatorëve në stadium. Faza në grupe tregoi menjëherë se cilat ishin skuadrat e mirëpërgatitura. Argjentina fitoi të tria ndeshjet e saj, Jugosllavia gjithashtu, madje duke mundur Brazilin. Uruguai dhe SHBA-ja u kualifikuan në gjysmëfinale, me dy fitore dhe pa pësuar asnjë gol. Kur pritej që rivaliteti të ishte më i lartë, pati një dominim të pabesueshëm të amerikanojugorëve. Stabile, Pusel, Monti dhe Skopeli “shtypën” filozofinë strikte të jugosllavëve. Një futboll i shpejtë, pa shumë detyra mbrojtëse dhe me një sulm të frikshëm, bëri që Argjentina të fitojë me rezultatin 6-1. Një fitore spektakolare, para 73 mijë të pranishmëve. Vetëm një ditë më vonë, vendi organizator mendoi të përsëriste të njëjtin “film”. Ishte Uruguai që fitoi gjithashtu 6-1, ku ranë në sy tripleta e Ceas dhe dopieta e Anslemit. Mbrojtja e hekurt e SHBA-së, e cila ishte e përbërë më tepër nga anglezë, e pati të pamundur që të përballonte edhe presionin e atmosferës së krijuar. Një stadium i tejmbushur që brohoriste vetëm për vendësit. Në ato kohë, ishte e rrallë që lojtarët të ndiheshin në një presion të tillë, aq më tepër një kombëtare e improvizuar si ajo e SHBA-së.
Finalja Argjentinasit e nisën ndeshjen me një sulm total, ndërkohë që uruguaianët u treguan disi më mbrojtës, ndryshe nga ndeshjet e shkuara. Pavarësisht supremacisë së miqve, ishte Dorado ai që kaloi në avantazh vendin organizator pas 12 minutash. Gjithsesi, dukej sikur lojtarët e dy skuadrave “u ndezën” dhe ritmi i lojës u rrit më tepër. Peusel në të 20-n dhe Stabile në të 37-n përmbysën gjithçka për çelestët, duke entuziazmuar edhe 20 mijë argjentinasit që ndodheshin në stadium për të mbështetur ekipin e zemrës. Pjesa e dytë pati ndryshim stili për Uruguain, edhe pse është komentuar gjatë më vonë se trajneri nuk u kishte dhënë asnjë këshillë taktike. Futbollistët nisën ta bazojnë lojën vetëm tek aksionet nga krahët, te krosimet në zonë dhe kjo rezultoi shumë e suksesshme. U shënuan plot tre gola, saktësisht nga Cea, Iriarte dhe Kastro, duke përfituar nga mangësia që kishte rivali për të mbrojtur si në të majtë, ashtu edhe në djathtë. Një ndeshje spektakolare e mbyllur me rezultatin 4-2 për kampionët e parë të botës në futboll, Uruguain. Protesta Tek Argjentina nuk e pritën aspak mirë atë humbje, duke akuzuar për futboll të ashpër dhe ndërhyrje antisportive. Madje, u ndërprenë menjëherë raportet mes dy federatave.

I vetmi Botëror që u zhvillua në një qytet
Kupa e Botës, e zhvilluar në Uruguai, pati shumë të veçanta, por një prej tyre që vazhdon ta bëjë unike, ishte fakti që u zhvillua në një qytet të vetëm. Gjithçka ndodhi në Montevideo, ku ishin edhe tre stadiume të ndryshme. Fakti që nuk kishte shumë skuadra, bëri që organizatorët ta përballojnë pa probleme fluksin e ndeshjeve dhe mbi të gjitha shikueshmëria ka qenë e jashtëzakonshme. Plot 434.500 veta kanë qenë spektatorët në stadium gjatë përballjeve të këtij kompeticioni. Edhe pse nuk kishte shumë kohë që ishte krijuar dhe nuk është aq popullor sa sot, sporti i futbollit arriti t’i mahnitë njerëzit.

StabileStabile, golashënuesi më i mirë i kompeticionit
Sot është “Këpuca e Artë” çmimi që kurorëzon golashënuesin më të mirë, por në atë kohë ishte një çmim pak më modest. Gjithsesi, futbollisti që arriti të shënojë më shumë gola ishte argjentinasi Guilermo Stabile. Në atë kohë 25 vjeç, ai arriti të shënojë plot tetë herë në vetëm katër ndeshje të zhvilluara. Në atë kohë ai ishte transferuar nga Hurakani, tek italianët e Xhenoas. Më pas, sulmuesi shtatshkurtër u transferua te Napoli. Pasi i dha fund karrierës futbollistike në vitin 1939, ai u bë trajner dhe ndër skuadrat që drejtoi, ishte edhe ekipi kombëtar i Argjentinës, nga viti 1939 deri në vitin 1960, duke triumfuar tri herë në Lojërat Pan Amerikane. Ndërsa në Kupën e Botës nuk mundi të jetë shumë rezultativ.

Formacioni më i mirë, vetëm uruguaianë dhe argjentinas
Formacioni më i mirë i kompeticionit nuk pati asnjë futbollist nga kombëtare të tjera, përveç asaj të Argjentinës dhe Uruguait. Ishin pikërisht këto dy ekipe që dolën edhe në finale. Në portë ishte argjentinasi Botaso. Ai ka qenë një ndër portierët më të mirë të asaj epoke dhe e tregoi një gjë të tillë edhe në Botëror. Ndërkohë që pjesa tjetër e formacionit ishte e përbërë nga gjashtë lojtarë të përfaqësueses së Uruguait dhe katër argjentinas. Problemi i formacionit më të mirë të publikuar në atë kohë ishte se futbollistët nuk ishin të zgjedhur për pozicionet e tyre. Kishte më shumë mesfushorë e sulmues, sesa mbrojtës. Gjithsesi, lojtarët e përzgjedhur kishin arritur të tregonin një nivel të lartë.

Hektor KastroHektor Kastro, goleadori që s’kishte njërën dorë
Sulmuesi Hektor Kastro ka hyrë në historinë e futbollit uruguaian për shumë arsye. Ai ishte ylli i ekipit kombëtar dhe mbi të gjitha, shënoi golin e parë për vendin e tij, në një Kupë Bote. Kastro zhvilloi 25 ndeshje me kombëtaren dhe shënoi 18 gola. Por, përveç aftësive të tij në fushën e lojës, ajo që e bënte të veçantë ishte fakti se ai nuk e kishte krahun e djathtë. Kur ishte 13-vjeç, Kastro pësoi një aksident dhe doktorët i prenë krahun. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi që të bëhej një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një ndër më të suksesshmit në atë periudhë. Gjatë karrierës së tij, ai luajti me klubin e Nacionalit. Në vitin 1939 u bë gjithashtu trajneri i kësaj skuadre, ndërsa në vitin 1959 mori drejtimin e Kombëtares së Uruguait.

USAKombëtarja e SHBA-së, e përbërë me skocezë dhe anglezë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin shumë vite që e praktikonin sportin e futbollit dhe sigurisht që s’kishin edhe shumë futbollistë cilësorë. Gjithsesi, për t’u paraqitur sa më denjësisht në Kupën e Botës, në përbërjen e tyre ata kishin futbollistë skocezë dhe anglezë. Kjo gjë u përfol gjatë në atë kohë, sidomos nga Anglia, e cila nuk mori pjesë, duke lënë të nënkuptohej se do të kishin arritur ta fitonin pa probleme Kupën e Botës. Ata i cilësuan futbollistët anglezë dhe skocezë, që bënin pjesë te kombëtarja amerikane, si lojtarë të një niveli të ulët për skuadrën e tyre, ndaj edhe i mori një ekip si SHBA. Në atë kohë, dy shtete kishin marrëdhënie të mira diplomatike, por jo aq sa për të lënë jashtë inatet sportive.

romaniaSi britaniku i bëri presion Rumanisë
Kombëtarja e Rumanisë ishte një nga ato 13 skuadra që mori pjesë në Kupën e Botës së vitit 1930, por për ta nuk ka qenë aspak e lehtë. Edhe pse futbolli ishte një sport që praktikohej në vendin e tyre, nuk ishte profesionist dhe lojtarët nuk përfitonin të ardhura nga kjo gjë. Pjesa më e madhe e Kombëtares rumune punonte në një fabrikë britanike dhe, kur pritej që ata të niseshin për në Uruguai, pronari i fabrikës nuk e lejoi një gjë të tillë. Ai nuk dëshironte që t’i largoheshin punëtorët dhe të kishte probleme në administrimin e biznesit të tij. Çështja u bë aq e madhe, sa pati edhe ndërhyrje politike. U desh ndërhyrja e Mbretit të Britanisë së Madhe për ta zgjidhur këtë çështje. Pikërisht pas vendimit të tij, punëtorët u lejuan të largoheshin. Ndonëse u bë një luftë e madhe, nuk është se ata arritën të ishin shumë të suksesshëm. U vunë në një grup me Perunë dhe me vendin organizator të kompeticionit, Uruguain. Në përballjen me peruanët arritën të fitonin me rezultatin 3-1, por në sfidën kundër uruguaianëve u mundën 4-0, çka bëri që të eliminoheshin që në grupe. Në atë kohë kualifikohej vetëm skuadra e parë dhe, më pas, merrte pjesë direkt në fazën gjysmëfinaliste. Gjithsesi, rumunët u mundën nga ekipi që do të triumfonte në atë kompeticion. Që pas Kupës së Botës, në Rumani futbolli u bë një sport mjaft më i rëndësishëm. Madje, futbollistë cilësorë arritën të siguronin jetesën e tyre vetëm duke praktikuar këtë sport, sepse edhe pagat u rritën ndjeshëm. Që prej asaj kohe lojtarët e Kombëtares së Rumanisë nuk bënin punë tjetër përveç futbollit.

Artur FridenreishLojtari më i talentuar nuk luajti, sepse ishte me ngjyrë
Kombëtarja e Brazilit u cilësua si zhgënjimi i kompeticionit. Të gjithë prisnin që ata të bënin diferencën, pasi futbollistët brazilianë kishin krijuar një reputacion mjaft të mirë në atë kohë. Gjithsesi, Brazili nuk arriti të kalonte dot fazën në grupe. Një nga arsyet e dështimit u cilësua edhe fakti se futbollisti më i talentuar i tyre, Artur Fridenreish, nuk u lejua që të ishte pjesë e Kombëtares. Kjo, për faktin se ai ishte me ngjyrë dhe në atë kohë nuk lejohej që shtetet të përfaqësoheshin nga futbollistë me ngjyrë. Fridenreish kishte baba gjerman dhe nënë afrikane, por kishte shkuar shumë i ri në Brazil, për shkak se i ati ishte një biznesmen i suksesshëm. Fridenreish i dha fund karrierës së tij në vitin 1935 dhe nuk iu dha kurrë mundësia që të luante me kombëtaren.

Disa lojtarë mbanin kapele, se i trembeshin topit të fortë
Bëhet fjalë për një periudhë prej 80 vitesh më parë, ndaj një gjë e tillë duket paradoks në ditët e sotme. Në Botërorin e Uruguait, disa futbollistë morën masa mbrojtëse jo vetëm për lojtarët kundërshtarë në fushën e lojës, por edhe për vetë topin. Ai ishte i përbërë nga një lëkurë mjaft e trashë dhe topi ishte shumë i fortë. Disa futbollistë vendosën që të mbanin kapele mbrojtëse në kokë, në mënyrë që të luftonin pa frikë për ta goditur topin me kokë. Pikërisht ky element bëri që të punohej akoma më shumë me topin dhe në kompeticionet e ardhshme ai erdhi gjithmonë duke u përmirësuar dhe u bërë më i lehtë në përdorim. Gjithsesi, askush nuk mbeti i vrarë nga topi në atë kompeticion, ndoshta edhe për faktin se futbollistët i kishin marrë masat në të gjitha mënyrat. Ndërkohë, për sa i përket lojës së zhvilluar, ajo nuk ishte shumë e ashpër, ndoshta edhe nga fakti që rregullat ishin vënë mirë në zbatim asokohe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"