Boshti, të rinjtë dhe merkato/ Tri piketat e Kukësit para sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 21:25

Boshti, të rinjtë dhe merkato/ Tri piketat e Kukësit para sezonit të ri

Kukësi i sezonit të ardhshëm është në ndërtim e sipër, teksa si në çdo merkato vere po karakterizohet nga lëvizje të shumta. Deri diku e pritshme këtë sezon, pasi vijnë nga një vit i dështuar dhe normalisht lëvizjet mendohen se duhen për të ndryshuar diçka dhe sjellë një erë të re.

Gega

Megjithatë, tekniku i ri i skuadrës, Skënder Gega, së bashku me klubin, duket se i kanë të qarta idetë për Kukësin e ri të këtij sezoni. Mësohet se verilindorët janë përqendruar në tre elementë kryesorë ku do të bazohen për sezonin e ardhshëm: ruajtja e boshtit të skuadrës, freskia e të rinjve dhe merkatoja në hyrje.

BOSHTI – E rëndësishme për një skuadër, edhe kur bën ndryshime, është ruajtja e boshtit të një sezoni më parë. Për këtë arsye, në Kukës janë munduar të ruajnë boshtin dhe gjithçka do të rrotullohet rreth tyre për të ndërtuar një ekip fitues. Duke nisur me vëllezërit Taipi, portierin Tafas, mbrojtësin Ndreca apo edhe sulmuesin Basha, i cili mund të jetë ndër të paktët të huaj që do të “mbijetojë” te Kukësi.

Bëhet fjalë për futbollistë që sezonin e kaluar kanë qenë titullarë në skuadër dhe pavarësisht mosarritjes së objektivave nga ana e klubit, në aspektin personal kanë pasur një sezon pozitiv.

TË RINJTË – Në qendër të projektit janë edhe të rinjtë, për më tepër kuksianë, të cilët pritet të kenë një rol të rëndësishëm në ekipin e Gegës. Mjafton të thuhet se Ergys Peposhi dhe Kejdi Daci janë rikthyer në skuadër pas huazimit te Teuta në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa të tjerë nga ekipet e moshave pritet të kenë një vend në ekipin e parë, ashtu si edhe Xhoi Hajdëraj nga Kastrioti.

Në këtë listë bën pjesë edhe Altin Bytyçi, i cili vijon të jetë pjesë e skuadrës. Besimi te të rinjtë vlen për t’i dhënë më shumë freski dhe uri ekipit, i cili pas dy sezoneve të dështuara ka më shumë nevojë se kurrë.

MERKATO – Një pikë e rëndësishme është patjetër edhe merkatoja dhe deri tani Kukësi e ka marrë me qetësi, për shkak edhe të kohës në dispozicion, pasi nuk është pjesë e kupave të Europës dhe nuk e ka me ngut. Po ndërhyhet në ato reparte ku ka më shumë nevojë, edhe për shkak të largimit të disa lojtarëve. Mungojnë emrat e bujshëm, ndërsa deri në mbyllje të saj priten të tjera afrime.

Deri më tani janë zyrtarizuar katër: Kristi Kote, Antonio Ilieski, Ante Zivkoviç dhe Jakup Berisha. Synimi është që të paktën të kryhen edhe tri afrime të tjera, për t’u konsideruar të kompletuar.

V.MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"