Boshti për Europianin, nga Gjimshiti te Bare e Manaj/ Kombëtare më e re dhe dyfish e shtrenjtë, pritet shumë nga… Reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2021 | 21:18

Boshti për Europianin, nga Gjimshiti te Bare e Manaj/ Kombëtare më e re dhe dyfish e shtrenjtë, pritet shumë nga… Reja

Shqipëria nisi me 6 pikë edicionin kualifikues drejt Botërorit “Katar 2022”. Megjithatë, ra në sy loja jobindëse kur përballë ishin skuadra si Andorra dhe San Marino.

kOMBETARJA5

Megjithatë, ka disa fakte domethënëse që diktojnë edhe pritshmëri shumë herë më të madhe nga Kombëtarja dhe trajneri Reja, pavarësisht faktit se përballë kemi tri skuadra të forta këtë edicion kualifikues. Steka e objektivit mund të drejtohet për “Euro 2024”, mirëpo as Botërori nuk mund të injorohet për vetë rritjen që kanë pësuar kuqezinjtë së fundmi.

MOSHA MESATARE

Duke marrë në konsideratë ndeshjet e fundit të secilit në krye të kuqezinjve, Shqipëria e Edi Rejës është më e re për sa i përket moshës mesatare (26 vjeç) në San Marino krahasuar me atë të Panuçit (27.2 vjeç) me Turqinë dhe të De Biazit (27 vjeç) në Izrael. Ulja e moshës mesatare të skuadrës, sidomos kur edhe cilësia e futbollistëve është rritur shumë, është tregues i qartë i përmirësimit të kuqezinjve dhe të bën të kërkosh e të pretendosh më tepër nga Kombëtarja.

mosha

2-FISH E SHTRENJTË

Në vitin 2017, Shqipëria e De Biazit, e hedhur në fushë në fitoren 0-3 në Izrael kushtonte 34.5 milionë euro sipas “Transfermarkt”. Më tepër akoma, 39.1 ishte vlera e 11- shes së përzgjedhur nga Panuçi, për herë të fundit si trajner i Shqipërisë. Shumë më shumë, gati 2-fish, është vlera e Shqipërisë sot. 61.25 milionë euro ishin në fushë nga minuta e parë në San Marino, në bazë të vlerës së kartonit për kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja.

NË RREZIK PËR EUROPIANIN

Shqipëria ka deklaruar si objektiv themelor “Euro 2024”. Në bazë jo vetëm të moshës, por edhe të performancës aktuale apo edhe raportit të dëmtimeve, mund të përcaktohen edhe disa prej kuqezinjve që rrezikojnë të mos jenë në Europian. Nisur nga sinjalet e fundit dhe nga trajneri, Armando Sadiku dhe Bekim Balaj do të duhet të kenë formë të jashtëzakonshme në vazhdimësi për të pretenduar një vend në Shqipërinë për Europian.

Ledian Memushaj, për moshën si edhe raportin me dëmtimet së fundmi, është një tjetër që me gjasë mund të humbasë mundësinë të jetë pjesë e Shqipërisë për të luftuar për një vend në Europian. Odise Roshi ka qenë gjithmonë lojtari që jep impulse dhe bën diferencën me Kombëtaren, mirëpo nën drejtimin e Rejës, fieraku nuk është preferuar dhe as shfrytëzuar si duhet për cilësitë që ka. Herë për skemën, shpesh për vendosjen dhe jo pak herë për eksperimentet e trajnerit, Roshi është postuar duke mos e llogaritur si titullar kyç.

Lista per kualifikueset logo

“EURO-BOSHTI”

Strakosha dhe Berisha janë dy pika ekselence për të nisur boshtin e Shqipërisë së Europianit. Përpara tij, Berat Gjimshiti me 3 ndeshjet e marsit dhe mbi të gjitha me formën e jashtëzakonshme në rritje me Atalantën, tregon se mbetet garanci për të ardhmen kuqezi. Krahas tij, Kumbulla e Ismajli janë e tashmja, por edhe e ardhmja e një dekade në vijim.

Elseid Hysaj dhe Keidi Bare janë dy lojtarë të tjerë që luajtën 3 ndeshjet e para kualifikuese dhe shihen si bazë e Shqipërisë për shumë gjatë. Forma në rritje, në nivele të larta, e lojtarëve si Uzuni, Manaj, Broja si dhe Cikalleshi, tregon edhe një herë se boshti kuqezi për sulmin do të ketë mbipopullim dhe siguri për të ardhmen.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"