Boshnjaku “i marrosur” pas Teutës: Klubi më i mirë në Shqipëri, nuk u mendova dy herë për të firmosur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 16:58

Boshnjaku “i marrosur” pas Teutës: Klubi më i mirë në Shqipëri, nuk u mendova dy herë për të firmosur

Teuta bën goditjen e radhës në merkato. Këtë herë skuadra durrsake ka firmosur me një mbrojtës boshnjak, duke “blinduar” një herë e mirë prapavijën. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Kenan Hreljic. Një afrim i rëndësishëm ky për ekipin e Edi Martinit, të cilët pas vështirësive që kaluan në ndeshjen e parë ndaj Laçit, tashmë kanë siguruar dhe repartin e prapavijës. Pas disa eksperiencash me skuadra në Bosnje si Mladost Doboj, NK Metalleghe, por dhe në Hungari, MTK Budapest 2, ai ka vendosur që karrierën ta vijojë në Durrës.

KENEN

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai zbulon arsyen e kësaj zgjedhjeje dhe hapur e thotë që do trofe.

Sapo firmosët me Teutën, si ndiheni?

Shumë i lumtur. Dhe për këtë dua të falënderoj që të gjithë anëtarët e KF Teutës, për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, profesionalizmin e treguar, besimin dhe vlerësimin që më kanë dhënë si futbollist.

Si erdhët deri në Durrës, çfarë ju bindi që të zgjidhnit një ekip shqiptar?

Nuk u mendova dy herë. E megjithatë, ishin disa arsye që më bindën që të vija këtu. Teuta ka ambicie të mëdha dhe kjo është ajo që më bëri të them “po”. Kisha shumë oferta, por kjo ishte më tërheqësja për mua. U josha direkt. Klubi kërkon trofe dhe Europën. Ekipi është shumë i mirë, ndaj edhe objektivat i shoh të arritshme.

Çfarë do i jepni më shumë kësaj skuadre?

Do të luftoj bashkë me klubin për të fituar trofe. Nëse ata kanë ambicie për vendin e parë, atëherë edhe unë do të jem në të njëjtën linjë. Mendoj se kam ardhur në klubin më të mirë në Shqipëri.

Mund të quhet ky kulmi në karrierën tuaj, apo…?

E vlerësoj ekipin e Teutës, përderisa shfaqën dëshirë për të më pasur mua në ekip. Besoj se është zgjedhja më e mirë që kam bërë deri tani në karrierë. Megjithatë, këtë do ta vërtetoj në fushë. Do jap gjithçka për këtë fanellë.

Mes titullit dhe kupës, cilin do të zgjidhnit?

Sapo shkela në Durrës, kuptova që këtu duan trofe. E kanë nisur këtë sezon për të fituar diçka në fund. Me cilësinë që ka skuadra, jam i bindur se pa gjë nuk do të dalim. Kam shumë besim se Teuta këtë sezon do të fitojë një mes kampionatit dhe kupës.

I frikësoheni konkurrencës në ekip?

Absolutisht jo. Unë jam ndër ata lojtarë që gjithmonë ka pasur konkurrencë në ekipet ku ka luajtur, ndaj nuk më frikëson aspak. Për të thënë se rivaliteti është gjëja e fundit që më shqetëson.

Mendoni se do të përshtateni shpejt te Teuta duke parë dhe ambientin?

Besoj se po. Kam gjetur një ambient fantastik. Më kanë pritur shumë mirë dhe që në momentin kur ramë dakord të kaloja te Teuta, u ndjeva shumë mirë dhe i vlerësuar nga drejtuesit dhe i gjithë klubi.

Për ta mbyllur, a keni një premtim për tifozët?

Ç’ka mund të premtoj për tifozët? Mund t’u them se do të luftoj për këtë klub, duke dhënë gjithçka në fushë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"