Borxhet “mullar”, situatë e pashpresë te Flamurtari. Ja sa duhet të paguajnë kuqezinjtë për zhbllokimin e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 20:31

Borxhet “mullar”, situatë e pashpresë te Flamurtari. Ja sa duhet të paguajnë kuqezinjtë për zhbllokimin e merkatos

Dhjetëra lojtarë presin që të paguhen nga Flamurtari. Merkatoja vijon të jetë e bllokuar, në një kohë që borxhet po bëhen “mullar”. Nga burime panë FSHF-së, “Panorama Sport” mëson se zhbllokimi i sistemit nga ana e FIFA-s është një mision gati-gati i pamundur. Për të federuar ndonjë nga lojtarët që po stërvitet me ekipin dhe pasur mundësi ta aktivizojnë për pjesën e dytë të këtij sezoni, duhen minimalisht 300 mijë euro. E megjithatë, kjo shumë vjen gjithnjë e në rritje edhe për shkak të kamatëvonesave. Në këto kushte, situata ndërlikohet edhe më shumë në lidhje me merkaton, por edhe të ardhmen e klubit. Edhe nëse drejtuesit pretendojnë se ka paguar apo hyrë në marrëveshje me ndonjë lojtar, merkatoja do të lirohej vetëm provizorisht. Pasi, në një moment të dytë do të vinte tjetër vendim i formës së prerë nga ana e FIFA-s dhe sërish do të bllokoheshin. Kur dihet që shumë të tjerë janë në radhë për të marrë detyrimet e prapambetura, shanset që kjo histori të marrë një zgjidhje janë thuajse zero.
flamurtari-oriku
SITUATË E PASHPRESË
Situata duket sa kaotike aq edhe e pashpresë. Së pari, Flamurtari ka një mori gjyqesh të humbura me ish-lojtarë dhe sot nga klubi nuk di të thonë dot me saktësi se me cilët po negociojnë, çfarë kanë vënë “vijë” apo kur pritet që të zgjidhet kjo mesele. E dyta, është çështje llogarish. Le të supozojmë për një moment se Flamurtari gjen qindra e mijëra euro dhe likuidon një pjesë të këtyre detyrimeve dhe marr OK-in nga FIFA për zhbllokimin e një sesioni merkatoje. Por a nuk do të do ishte sforco e madhe financiare për të federuar disa elementë që nuk është se do bënin çudira, në një kohë që objektiv në fund të fundit kanë vetëm mbijetesën. E treta, për shkak të këtij menaxhimi që kanë bërë deri më sot, ranë nga kategoria dhe nuk ka ndonjë organizmin për t’u ringritur dhe as nuk kuptohet arsyeja dhe duket e palogjikshme kur e sheh nga jashtë se përse klubi mbetet peng, ndërkohë që i ka dy rrugë. Bashkia mund t’ia shesë Idrizit ose dikujt tjetër që merr marrë përsipër borxhet dhe t’i japë një hov të ri Flamurtarit ose të shpallin falimentin dhe zerojnë borxhet, duke nisur një projekt nga e para, edhe pse në një sigël të re.

ULTIMATUME NË KLUB

Gazeta zbulon se në klub kanë mbërritur dy ultimatume. Bëhet fjalë për Tomislav Bushiçin dhe Astrit Fazliun. I pari ka luajtur në sezonet 2016-2019 dhe ka mbajtur shiritin e kapitenit, ndërsa i dyti u aktivizua në 2016-2017. Në një bisedë me “Panorama Sport”, kosovari ka konfirmuar se e ka fituar gjyqin dhe se klubi është vendosur në dijeni për këtë. “Avokati im më ka thënë se Flamurtarit i ka shkuar letra për të shlyer pagesën ndaj meje, por deri më tani ende nuk më ka kontaktuar askush nga klubi. Unë po pres që të më lajmërojnë dhe për të bërë ndonjë marrëveshje, pasi kam fituar gjyqin dhe pres të më paguajnë”, qartëson Fazliu. Gazeta kontaktoi edhe kroatin për këtë çështje, por Tomislav Bushiç nuk ka preferuar të flasë.

ERMAL SIKA 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"