Borxhet/ Kryebashkiaku Leli akuzon ish-presidentin Gjika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2016 | 9:27

Borxhet/ Kryebashkiaku Leli akuzon ish-presidentin Gjika

Për Dritan Lelin, situata e krijuar në klubin e Flamurtarit i ka të identifikuar përgjegjësit.

leliKryebashkiaku i Vlorës ka reaguar dje për “Panorama Sport” pas penalizimit që FIFA i bëri klubit, duke i hequr tri pikë për shkak të mospagesës në kohë të borxhit 17.500 euro ndaj Toni Pezos. Leli theksoi se asnjë nga borxhet që po përflitet së fundmi, nuk është i bashkisë, por sipas tij janë detyrime të klubit dhe përgjegjësia ka emra. Kryebashkiaku aktual ia faturon gjithçka ish-presidentit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika.

“Në lidhje me borxhet që flitet në media për ekipin e Flamurtarit ju kujtoj se Bashkia Vlorë dhe Këshilli i Bashkisë së Vlorës nuk i ka borxhe klubit. Asnjë nga borxhet nuk është i bashkisë. Janë të klubit dhe përgjegjësia ka emra. Për ato borxhe duhen pyetur presidentët, pra ish-drejtuesit e klubit dhe lojtarët në marrëdhëniet kontraktuale që kanë pasur me njëri-tjetrin”, u shpreh fillimisht kryebashkiaku Leli.

Keqardhja

Kryetari i Bashkisë së Vlorës shpreh keqardhjen e tij për heqjen e tri pikëve të Flamurtarit. Leli thekson se i dhemb Flamurtari, ndërsa shpreh mirënjohjen ndaj Sinan Idrizit për kontributin e tij.

“Unë dua ta falënderoj edhe një herë publikisht administratorin e Flamurtarit. E falënderoj për shkak se ai ka bërë shumë për Flamurtarin. Ka investuar dhe ka dëshirë të madhe për ta ndihmuar klubin. Mua më vjen keq që ai po përballet me këtë situatë. Më vjen keq gjithashtu edhe për pasojat, ku Flamurtarit iu hoqën tri pikë nga renditja. Vitin e kaluar, Flamurtari bëri një mbyllje të mirë, duke na bërë optimist për të ardhmen, por edhe krenar. Tashmë i duhet të penalizohet, por ne jemi të gjithë të interesuar për të mirën e skuadrës. Ky Flamurtar më dhemb…”, thekson Leli, por pa dhënë detaje sesi mund të zgjidhet situata aktuale, duke qenë se klubi po vuan prej borxheve.

Tifozët

I pyetur në lidhje me një deklaratë të grupimit ultras “Flota Kuqezi”, sipas së cilës, duhet të ketë një reagim të shpejt nga bashkia, pasi në të kundërt do të protestohet ndaj saj, kryebashkiaku Leli tha se inkurajon protestën e tifozëve fanatikë vlonjatë.

“Nëse tifozët e Flamurtarit duan të protestojnë, është e drejta e tyre. Unë nuk ndaloj askënd. Përkundrazi i inkurajoj”, përfundon Leli. Ndërkohë, nuk dihet ende se cili do të jetë buxheti që do të miratojë bashkia për klubin sa i përket këtij viti. Edhe pse në kontratën e firmosur mes bashkisë dhe administratorit Idrizi parashikohet se borxhet e së shkuarës janë obligim i institucionit, ato nuk njihen. Bashkia aktuale i ka cilësuar kontratat ilegale, prandaj dhe nuk i njeh këto detyrime.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"