Borxhet e vjetra, Flamurtari shlyen edhe dy ish-lojtarë por nuk ka mbyllur telashet me pagat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 16:15

Borxhet e vjetra, Flamurtari shlyen edhe dy ish-lojtarë por nuk ka mbyllur telashet me pagat

Flamurtari vijon likuidimin e borxheve. Klubi kërkon që të ketë bilance pozitive, teksa objektivi është ngjitja në Kategorinë e Parë. “Panorama Sport” mëson se ditët e fundit janë shlyer dy lojtarë, Semir Bajraktareviç dhe Jurgen Vatnikaj, të cilët u paraqitën në Vlorë dhe morën pagesat e prapambetura.

Flamurtari stadiumi

Bajraktareviç luajti te Flamurtari në sezonin 2019-2020. Boshnjaku tani luan me Olimpikun në Bosnjë. Ndërsa Vatnikaj luajti te Flamurtari deri në vitin 2019. Edhe pse zyrtarisht shifra që u është paguar dy lojtarëve nuk bëhet me dije, gazeta mëson se secili prej të dyve ka marrë diku te 20 mijë euro.

LIKUJDIMET – Mbi 1 milion euro konfirmohet se ka paguar Flamurtari deri më tani. Veç detyrimeve ndaj ish– lojtarëve, në këtë shumë futen edhe hotelet, restorantet apo edhe pikat e karburantit që kanë furnizuar automjetet e klubit. Pjesa më e madhe mësohet se janë likuiduar. Flamurtari ka shlyer deri tani Muhamed Useinin, Elton Kalenë, Goran Siljanovskin, Agustin Torasën, Artim Pollozhanin, Danilo Alveshin, Kristian Sirgin, Tomislav Bushiçin, Xhevahir Sukajn, Olsi Gocajn, Denis Pjeshkën, Blerim Kotobellin, Idriz Bathën, si dhe ish-trajnerin Ilir Daja.

flamurtariii

Pak kohë më parë, Flamurtari pagoi Adis Nurkoviçin. Në llogarinë bankare të avokatit të portierit u depozituan 17 mijë e 150 euro, shumë kjo e pretenduar si e papaguar, për të cilën kishte ardhur edhe ultimatum nga FIFA që kishte bllokuar edhe regjistrimin e lojtarëve. Por, klubi vlonjat pretendon se ka shlyer çdo detyrim ndaj ish-portierit, duke i thënë paradhënie edhe 7500 euro, plus pagesave të tjera të realizuara gjatë sezonit. Mësohet se për këtë detyrim, Flamurtari do të ndjekë rrugën gjyqësore me Nurkoviçin, i cili do të duhet të kthejë lekët që vlonjatët i kanë paguar dhe këtë e kanë të vërtetuar përmes faturave.

TË PAPAGUAR – Klubi konfirmon se kanë mbetur pak lojtarë pa u paguar, ku mes tyre janë Franc Veliu, Lirim Mema, Kreshnik Nebihu, Bajram Nebiu e ndonjë tjetër. Por, mësohet se edhe me këta është diskutuar dhe janë në bisedime për të gjetur një zgjidhje për pagesat.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"