Bora ndryshon planet e Skënderbeut, skuadra stërvitet larg Korçës për ndeshjen me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 9:00

Bora ndryshon planet e Skënderbeut, skuadra stërvitet larg Korçës për ndeshjen me Vllazninë

Sikur të mos mjaftonin problemet dhe rezultatet e dobëta sportive në kampionat, edhe kushtet e vështira atmosferike i kanë shtuar “telashet” për Skënderbeun. Temperaturat e ulëta, bora dhe ngricat kanë vështirësuar tej mase kushtet e punës në Korçë për Skënderbeun. Në kushte të tilla, me fushat stërvitore të mbuluara nga bora e ngrica, gjithashtu edhe stadiumi, trajneri Migen Memelli e ka zhvendosur përkohësisht ekipin në palestrën e zonës sportive e mandej drejt Durrësit.
SKENDERBEU-ME-DEBORE
Të hënën pasdite dhe të martën në mëngjes korçarët janë strukur në sallë të mbyllur për të zhvilluar seancat stërvitore në pritje të takimit të javës së 20-të me Vllazninë, i planifikuar për t’u luajtur të dielën në shtëpi. Në këto dy ditë trajneri Memelli dhe stafi i tij nuk ka mundur të punojë për asnjë çast me anën taktike dhe kjo sigurisht që ishte një minus për bardhekuqtë në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme. I limituar vetëm në ushtrime fizike dhe aerobike, çdo ditë që kalonte ishte një faktor negativ në gjendjen e ekipit bardhekuq. Në të tilla kushte, stafi i skuadrës korçare i gjithi me sy nga qielli duke pritur rritjen e temperaturave dhe normalizimin e kushteve për të zhvilluar rregullisht stërvitjen në fushë të hapur.
mEMELLI
Kjo edhe për vet faktin se Memelli nuk donte të rrezikonte daljen nga rritmi të një pjese të mirë të futbollistëve të tij. Por, duke parë faktin që edhe për disa ditë temperaturat në Korçë do të vijojnë të shënojnë vlera me minus gradë celsius, një pritje e tillë do të ishte e rëndë për bardhekuqtë. Për këtë arsye, trajneri pasi është konsultuar me drejtuesit e klubit ka vendosur që ekipi të udhëtojë drejt Durrësit për të vijuar përgatitjet rregullisht në rezidencën e tyre, atje ku korçarët kanë zhvilluar seancën e parë të mirëfilltë stërvitore. Një zgjidhje kjo që i shkon për shtat edhe faktit që takimi me Vllazninë nuk do të luhet ne mesjavë por ditën e dielë, ora 13:00 në Korçë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"