Bora bëhet makth, në Pogradec nis pastrimi. FSHF jep urdhër që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 14:35

Bora bëhet makth, në Pogradec nis pastrimi. FSHF jep urdhër që…

Stadiumi “Gjorgji Kyçyku” vazhdon të jetë i zbardhur. Sikur të mos mjaftonte i ftohti, Pogradeci po has pengesa edhe prej borës. Vetëm një cep i fushës mbetet funksional (sikundër duket qartazi në fotot e publikuar nga gazeta) dhe ajo po shfrytëzohet prej skuadrës për të kryer stërvitjen anti-Besa. Përballja është programuar që të luhet të dielën në orën 13:00 dhe punonjësit e bashkisë po vazhdojnë punën për të pastruar totalisht.

Pogradeci

FSHF-ja i ka dhënë urdhër të prerë klubit, duke i kërkuar që impianti të jetë gati për ditën e ndeshjes. Drejtuesit japin garanci që fusha do të jetë e pastruar dhe në gjendje optimale për këtë 90-minutësh. Temperaturat e ulëta janë bërë jo pak pengesë, e megjithatë Astrit Hysenllari beson se skuadra do ta nisë mbarë 2021-shin.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi thotë: “Liqenorët po mposhtin të ftohtin dhe borën. Jemi të përqendruar te takimi i së dielës, që na duhet me çdo kusht ta fitojmë. Nuk kemi kohën dhe luksin që të humbim pikë. Do të japim maksimumin dhe besoj fort te grupi se do t’ia dalim edhe në këto kushte të vështira atmosferike”.

Pogradeci nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje prej dy muajsh, ndërkohë që është mjaftuar me lojëra brenda grupit. 30- vjeçari e pranon se u mungon fusha, aq sa paralajmëron që të gjitha energjitë i kanë ruajtur për kavajasit. “Vërtet jemi stërvitur fort, por na kanë munguar kundërshtarët.

Gjithsesi, unë ju garantoj se përballë Besës do të shihni një ekip me ‘luk’ të ndryshuar. Jemi më shumë se të plotë dhe të karikuar, për të shkarkuar që të gjitha energjitë në këtë duel”, përfundoi Hysenllari.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"