Bonuçi: U bëra mbrojtës duke studiuar videot e Nestës, tani që u kthye Bufoni nuk ndihem plak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 14:19

Bonuçi: U bëra mbrojtës duke studiuar videot e Nestës, tani që u kthye Bufoni nuk ndihem plak

“Pak kohë më parë vendosa që të dal nga ajo zona komode ku qëndroja për disa vite dhe pikërisht aty ndryshoi jo vetëm jeta ime, por edhe karriera ime si futbollist. Sidomos sëmundja e djalit të vogël ishte ajo që tronditi shumë gjëra tek unë, edhe pse në mes të saj bëra një zgjedhje të gabuar, të cilën nëse do të rikthehesha pas, do ta kisha shmangur (i referohet kalimit te Milani për një vit). 

bonuci

Gjithsesi, në jetë nuk resht kurrë së mësuari dhe ndoshta këto gjëra më kanë bërë sot një lojtar më të mirë, por mbi të gjitha një person më të mirë”. Me këto fjalë, Leonardo Bonuçi flet në një intervistë për “TuttoJuve”, duke kaluar nga ideja se si nisi të ndërrojë rol në fushë e deri te 32 vitet mbi shpatulla që ka.

Leonardo, kujt ia dedikon rritjen tënde në shumë pikëpamje të jetës?

Fakti që jam rritur si brenda dhe jashtë fushe, meritë të madhe ka bashkëshortja ime, por nuk harroj asnjë prej trajnerëve që kam pasur në karrierë. Nuk e harroj momentin kur zbarkova tek Interi me vetëm 10 ndeshje prej titullari mbi shpatulla, nga një ekip i vogël, por dita se si t’ia dal. Një falënderim që jam rritur u shkon edhe shokëve të mi të ekipit, sidomos këtu te Juventusi, por pa dyshim edhe kundërshtarëve, që edhe pse jemi ndeshur në fushë, shumë më kanë vlerësuar dhe përgëzuar.

Po në anën sportive, kush ishte ai që të shtyu të ndryshosh më shumë?

Falënderimi shkon i gjithi për trajnerin Karlo Perrone. Kur je i vogël, të gjithë duan që të shënojnë gola dhe ndaj provojnë që të bëjnë sulmuesin. Por te Salerno, edhe pse isha një sulmues deri në 14-15 vjeç, Perrone më mori mënjanë dhe më tha: “Ti do të nisësh të luash qendërmbrojtës, ke këmbë shumë të mira dhe këtu mund të bësh gjëra të mëdha”. Më mori në zyrën e tij në ditët në vazhdim dhe më kërkoi: “Tani nis të studiosh videot e Alesandro Nestës dhe shiko çfarë mund të kuptosh prej tij”. Dhe mua ideja më pëlqeu menjëherë, sepse edhe në fushë, duke e ditur se çfarë i kërkohet të bëjë dhe se si të lëvizë një sulmues, ma bëri shumë më të thjeshtë që të kuptoja edhe lëvizjen që duhet të bëj tashmë në mbrojtje për të ndaluar sulmuesin kundërshtar. Prandaj, nëse sot jam Bonuçi-mbrojtës, është vetëm falë këtij personi, “mister” Perrones.

bonuc

Tashmë je 32 vjeç dhe me shumë eksperiencë mbi shpatulla. Kur e kuptove se po plakeshe edhe ti? 

Kam nisur ta kuptoj se po plakem kur shumë prej atyre, me të cilët e nisa karrierën si futbollist, kanë nisur që të tërhiqen. Aty nisi që çdo ditë të shihesha thellë në sytë e mi edhe në pasqyrë. Pastaj, kur fillon që të shohësh gjithashtu se në skuadrën time kanë nisur të luajnë lojtarë të lindur në vitet 1999 apo 2000, kuptohet edhe më qartë. Por fatmirësisht, u rikthye Bufoni te Juventusi dhe kjo më bëri që të mos ndihesha më aq i plakur (qesh).

Shpesh të kanë etiketuar si kokëfortë, shpërthyes, por duket se tashmë Bonuçi ka ndryshuar. Është qetësuar, di se si t’i menaxhojë situatat. Madje, je bërë edhe kapiten i Juves në mungesë të Kielinit. Si vjen e gjitha kjo? 

Kur isha i vogël, kam bërë shumë çmendurira. Kisha raste kur merrja topin nga mbrojtja dhe doja të dribloja gjithë skuadrën që kisha përballë, aq sa shpesh i kushtonte humbjen ekipit tim. Ja, duke frenuar këtë çmenduri brenda teje, nis të ndryshosh dhe të bëhesh 32 vjeç, ndonëse, kur ditë pas dite sheh veten dhe më pas kupton se je bërë baba i 3 fëmijëve, kupton se i njëjti menaxhim i kohës në familje duhet bërë edhe në fushë. Kështu ndryshon. Sigurisht që ka edhe disa momente, si ai Bonuçit të 2-3 viteve më parë, që sërish bëri një çmenduri tjetër. Nisa të mendoj gabim, kapriçoz si një fëmijë dhe zgjodha që të kaloja te Milani. Edhe pse ajo eksperiencë më rriti, nëse do të ishte Bonuçi i sotëm, nuk do ta kisha bërë. Dhe ndoshta ajo eksperiencë më ndryshoi totalisht, duke më lejuar sot që të marr edhe përgjegjësinë për të qenë kapiten i Juves, deri në pritje të rikthimit të Kielinit.

bonuci

Je i vrazhdë me të rinjtë te Juventusi, apo i toleron?

Jo, di të ndaj situatat dhe kam gjetur recetën për këtë: të rinjtë duhet të dëgjojnë më të rriturit, këshillat e tyre për t’u përmirësuar, ndërsa ne të vjetrit duhet të tregohemi të zgjuar që të vjedhim, në thonjëza, entuziazmin e të rinjve. Sepse vetëm kjo të shtyn të bësh një karrierë kaq të gjatë dhe të suksesshme si e imja, për të cilën jam shumë krenar.

Ka ndryshuar Bonuçi, por sivjet po ndryshon rrënjësisht edhe Juventusi. Si po e menaxhoni këtë situatë?

Mbërritja e Mauricio Sarrit në stol ka qenë një ndryshim rrënjësor, kundrejt mënyrës së të luajturit që kishim më parë. Dhe një ndryshim i tillë duhet kuptuar, duhet aplikuar, por vetëm nëse zeron të kaluarën. Kështu po punojmë dhe duam të punojmë që të dalim totalisht në atë ndryshim që na kërkohet dhe ne duam ta zbatojmë në fushën e lojës.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"