Bonuçi kapiten, Milani humbet në miqësore për shkaqe teknologjike (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 9:50

Bonuçi kapiten, Milani humbet në miqësore për shkaqe teknologjike (Video)

Ndaj Betisit ishte miqësorja e fundit për Milanin në këtë verë të karakterizuar nga milionat dhe emrat e shumtë të merkatos. Montela dëshironte ta mbyllte me fitore, por teknologjia dhe Betisi nuk e lejuan të mbyllte me sukses fazën përgatitore. Ishte një Milan i mbushur me rezerva ai që nisi ndeshjen dje në stadiumin e Katanias.

Arbitri

 

Në fushë që nga minuta e parë edhe Bonuçi, i cili në krah mbante shiritin pavarësisht pranisë në fushë të Montolivos që në sezonin e kaluar ishte kapiten i skuadrës. Debutim edhe për blerjen tjetër Andre Silva, i cili pavarësisht golit ishte një nga më të rrezikshmit në fushë për skuadrën e Montelës.

AC Milan v Real Betis Balompè - Pre-Season Friendly

Milani e nis fuqishëm duke përfituar edhe nga driblimet e Susos dhe pasimet e Çalhanoglut. Pas disa tentativave nga larg, në minutën e dhjetë kuqezinjtë gjejnë golin e parë. Krosim pas një goditje dënimi të fantazistit turk, me Antonelin që prek topin aq sa për të vendosur në pozicion jashtë loje Andre Silvën, i cili shënon duke devijuar lehtësisht topin në rrjetë.

AC Milan v Real Betis Balompè - Pre-Season Friendly

Pas gati një minute festë, arbitri vendos që duhet konsultuar teknologjia dhe pas një tjetër minute vendos të anulojë golin për “Djallin”. Mes lojës së rëndë të miqve ndaj Borinit dhe tre kartonëve të verdhë kalojnë minutat e një sfide të kushtëzuar dukshëm nga temperatura e larta.

Kalabria ndihmon më shumë në sulm, ndërsa Antoneli nuk i ndahet shokëve të mbrojtjes me Milanin që rrezikon të pësojë në minutën e 28-të pasi një aksioni nga goditja e këndit ku Sezar nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë.

Bonuci

Në minutën e 40-të, një tjetër aksion i Milanit që rrezikon me Kalabrian, i cili ndahet nga portieri mik. Pesë minuta shtesë në pjesën e parë nuk ndikojnë në ndryshimin e rezultatit. Pjesa e dytë nisi me një ndërrim të dyfishtë në radhët e kuqezinjve.

Abate zë vendin e të dëmtuarit Antoneli, ndërsa Antonio Donaruma atë të portierit Storari. Në një pjesë të dytë të karakterizuar nga zëvendësimet e shumta dhe vapa, ritmi i ndeshjes nuk arrin të ngrihet. Andre Silva vazhdon të bëjë presion mbi çdo kundërshtar dhe të kërkojë golin e parë me fanellën e re, por goditjet e tij ndalen nga portieri Gimenez.

Betis Milan

Pas disa aksionesh të rrezikshme të Milanit, është Betis që gjen golin në minutën e 66-të kur Ruiz godet nga 20 metra në shtyllën e dytë. Vëllai i Xhixhos nuk mund të bëjë asgjë ndaj goditjes së fortë dhe të saktë të kundërshtarit. Montela vazhdon me ndërrimet duke kërkuar përmbysjen e rezultatit, e cila vjen falë një 11-metërshi të transformuar në gol nga Andre Silva.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, sërish teknologjia vendos për goditje nga pika e bardhë, të cilën Sanabria nuk e gabon për t’u dhuruar të tijve fitoren, e cila duhet kapërcyer sa më shpejt në prag të sfidës së pas një jave ndaj Shkëndijës së Tetovës.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"