Bomberi i Besëlidhjes, Danaj: Humbja na shokoi, por reagojmë në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2021 | 22:39

Bomberi i Besëlidhjes, Danaj: Humbja na shokoi, por reagojmë në Berat

Besëlidhja ka arkivuar humbjen me Tërbunin dhe është përqendruar te java e 12-të. Skuadra po vazhdon përgatitjet për Tomorin, kundërshtar me të cilin do të masë forcat në transfertë. Lezhjanët po i bëjnë me kujdes llogaritë për vazhdimësinë, pasi një gabim tjetër i rikthen në zonën e kuqe. Sulmuesi Ruben Danaj beson se kthesa nuk do të vonojë e as nuk do ta mendojë blofin në Berat.

BESELIDHJA PARTIZANI

 

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, goleadori i ekipit, me 5 gola të shënuar, deklaron se tani e tutje duhet të jenë më vigjilentë. “Surprizat pozitive edhe ato negative janë pjesë e lojës së futbollit. Humbja e fundit na shkundi dhe sidomos kur vinim pas 4 fitoreve radhazi. Pozicioni në të cilin ndodhemi, nuk është më i miri dhe na shokoi. E megjithatë, zgjidhje nuk ka. Kohë të qajmë nuk kemi, pasi në fund të fundit kampionati vazhdon dhe pikë ka boll në dispozicion për të përmirësuar pozitat dhe arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes.

Duhet të mbledhim forca dhe të mendohemi mirë për të ardhmen. Pas katër javësh sukses brenda dhe jashtë shtëpisë, java e 11-të na solli me këmbë në tokë. Jo vetëm që dolëm ‘thatë’ me Tërbunin, por pësuam tre gola dhe në mes të Lezhës. Pas një pjese të parë të dominuar nga ne, e pësuam. Ndeshjen ndaj Tërbunit sidoqoftë e kemi hedhur pas krahëve dhe e quajmë një ëndërr të keqe. Jemi në kulmin e përgatitjeve për sfidën e radhës, që do ta zhvillojmë në Berat.

Shpresoj ndaj Tomorit të reflektojmë pozitivisht. Duhet të bëjmë edhe autokritikën reale për ndeshjen e humbur një javë më parë. Kam besim se nga kjo transfertë nuk do të kthehemi pa pikë, pasi një humbje e mundshme do të na rikthente në krizën e mbijetesës dhe kjo do të na lodhte psikologjikisht. Kam besim se nga 12 pikët e mbetura për pjesën tjetër të këtij sezoni, ne do të marrim sasinë e nevojshme që do të na afrojë në mesin e tabelës”, deklaroi “bomberi” i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"