“Bomberi” Canka rrëfen objektivat: Gati të qëndroj në Berat, këtë vit do ngjitemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2021 | 23:33

“Bomberi” Canka rrëfen objektivat: Gati të qëndroj në Berat, këtë vit do ngjitemi

Tomori ishte 90 minuta larg Kategorisë Superiore dhe meritë për këtë pati edhe Mikel Canka. Me golat e tij, beratasit për pak sa nuk realizuan ëndrrën. “Bomberit” i ka skaduar kontrata (ashtu si i gjithë ekipi), megjithatë është gati për rinovim.

Tomori Canka

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lushnjari e thotë hapur se ka dëshirë që të zgjasë marrëveshjen edhe për një tjetër sezon. “Sezoni i shkuar ishte një eksperiencë vërtet e bukur dhe shumë mbresëlënëse për të gjithë grupin e futbollistëve lushnjarë që kontribuuam për Tomorin. Në Berat kemi qenë shumë të vlerësuar dhe u ndiem si në shtëpinë tonë. Të gjithë drejtuesit më të lartë: nga presidenti, administratori i klubit dhe donatorët, na kanë qëndruar pranë dhe ç’është më e rëndësishme janë treguar shumë korrektë në aspektin financiar. Kjo na kashërbyer si nxitje, por edhe si një detyrim që të jepnim maksimumin tonë në fushë.

Shpresojmë që të kenë mbetur të kënaqur me punën tonë. Kuptohet që keqardhja në ndeshjen e fundit me Kastriotin ishte shumë e madhe dhe ne kemi ndier të njëjtin trishtim sikur të gjithë drejtuesit dhe tifozët. Për arsyet e përmendura më sipër, jemi duke mbajtur kontakte gjatë kësaj periudhe me faktorët drejtues dhe kemi vendosur të gjithë së bashku që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm.

Kjo është dëshira jonë. Duke ndjekur çdo zhvillim gjatë kësaj periudhe, shpresojmë që në momentin e duhur kur të nisë puna, javën e ardhshme, të ulemi në bisedime e të gjejmë akordin e përbashkët. Urojmë që të gjejmë mirëkuptimin edhe për një tjetër sezon, pasi kam mendimin se ky do të jetë i duhuri për të ngjitur Tomorin. Personalisht dua që emocionet e golave t’i ndaj së bashku me tifozërinë beratase, që në sezonin e ri do të jetë pa dyshim një ‘armë’ shumë e fortë për skuadrën.

Kam bindjen se për 100-vjetorin e klubit, duke ndezur atmosferën dhe duke ruajtur boshtin e sezonit të kaluar, unë së bashku me shokët e mi duam që të bëjmë historinë në Berat. Edhe sikur të mos gjejmë gjuhën e përbashkët, sigurojmë se përsëri ne do të ndahemi si miq të vërtetë, pasi nuk mund të harrojmë respektin dhe miqësinë e fortë në mes palëve”, përfundoi “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Parë.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"