Bombera në tri kategori, ja “xhevahirët” e heshtur të futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 23:21

Bombera në tri kategori, ja “xhevahirët” e heshtur të futbollit shqiptar

Në Shqipëri jemi ankuar shpesh për golat dhe sidomos në dekadën e fundit. E megjithatë, periudha e krizës duket se po shkon drejt fundit. Sulmues cilësorë ka pasur me bollëk këtë sezon dhe në elitë më të dalluarit janë ata: Taulant Seferi dhe Saliu Guindo. Kur jemi 180 minuta nga fundi i krejt kampionatit, ata vazhdojnë garën e ethshme për “Këpucën e Artë”.

Topi i Superiores

Secili ka nga 17 gola dhe dashur pa dashur kanë marrë vëmendjen e shumëkujt, qoftë edhe të mediave. I sheh shpesh në TV apo në faqen e para të gazetave dhe me të drejtë, për gjithçka kanë treguar në fushë. Megjithatë, futboll ka edhe përtej… Superiores. Në të tria kategoritë inferiore, ka nuhatës perfektë të rrjetave kundërshtare. Mund t’i quajmë ndryshe edhe “xhevahirët e heshtur”, pasi kanë shkëlqyer larg dritës së projektorëve. Dhe në ndryshim nga ata të elitës, në këtë rast janë prodhim i gjithi vendës. Jemi duke folur për shënuesit më të mirë të Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë dhe Kategorisë së Tretë. Të pakta mund të jenë janë rastet kur është filmuar arti i tyre me topin, por kryeveprat nuk kanë munguar. Nuk do të ishte aspak habi që “rrjetat” e klubeve më të mëdha në vend të hidhen pikërisht tek emra si Eridon Qardaku, Elvis Kongjoni dhe Denis Mici.

bomberat

QARDAKU – Të paktë janë ata që mund të mos e njohin Eridon Qardakun dhe aq më tepër kur u shpall golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë. Shkodrani e gjeti 20 herë rrjetën në 28 ndeshje të luajtura në sezonin 2021- 2022. Falë kontributit të tij, Bylisi u ngjit si kampion në elitë. Në Ballsh janë të qetë ama, pasi e kanë ende “të blinduar”. I kanë mbetur 1+1 vite për të mbyllur kontratën që e ka nënshkruar në korrik të 2019-ës, çka do të thotë se ai do të luajë edhe edicionin e ardhshëm (gjithnjë nëse në klub nuk vjen ndonjë ofertë e parezistueshme dhe vendosin ta shesin).

KONGJONI – Ervis Kongjoni është zyrtarisht “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Dytë. Oriku u ngjit një ligë më lart nëpërmjet ndeshjeve shtesë, ndërsa sulmuesi 32-vjeçar kryeson listën e shënuesve më të mirë. I ka luajtur 22 ndeshje me bregdetarët dhe në total e ka dërguar 27 herë topin në rrjetë. Ndjekësit më të afërt kanë 6 gola më pak dhe janë Anton Lleshi i Shënkollit dhe Eriol Merdini i Luzit. Mosha ndoshta e ndihmon për të hedhur hapin e madh në karrierë, por kjo nuk mund ta pengojë që të vazhdojë të shkëlqejë me orikasit në Kategorinë e Parë tashmë.

MICI – “Zjarr” këtë vit ishte edhe Kategoria e Tretë. AF Elbasani i sapokrijuar e dominoi totalisht garën dhe u ngjit. Verdheblutë i kishin “yjet” me bollëk në organikë dhe nga ata që kanë lënë shenjë në elitë, por fenomen pa diskutim ishte ai: Denis Mici. Në 86 gola që shënoi skuadra e Gentjan Stojkut në vetëm 14 ndeshje, sulmuesi realizoi 27. Është “bomberi” i ekipit dhe krejt ligës dhe elbasanasit nuk duan ta lëshojnë, pasi është një garanci më shumë në vijën e parë.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"