“Bomber” nga mbrojtja, Ndubuisi: Fitorja vlen më shumë se goli im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2023 | 22:21

“Bomber” nga mbrojtja, Ndubuisi: Fitorja vlen më shumë se goli im

Apolonia ka gjetur “bomber” në mbrojtje. Ndubuisi Francis Eneh vazhdon të befasojë, ndërsa zyrtarisht ka shkuar në kuotën e pesë golave. Dhe sigurisht që nuk janë pak për një lojtar, i cili luan në qendër të prapavijës.

Apolonia

Sidoqoftë, nigeriani është modest dhe meritat nuk i merr për vete. Për të nuk ka fort rëndësi se kush e dërgon topin në rrjetë, por vetëm që të marrin pikët dhe në fund të realizojnë objektivin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, analizon fitoren e fundit me përmbysje, flet për Tomorin dhe zonën “play off”.

Apolonia gjeti kthesën, sa qetësi ju dha fitorja me Burrelin?

Ishte fitore me shumë rëndësi, sidomos në rritjen e moralit dhe besimit tonë. Nuk ishte aspak e lehtë, për më tepër që erdhi vetëm në minutën e fundit. Përmbysëm gjithçka, morëm tri pikë më shumë, gjithashtu treguam karakter dhe sigurisht vendosmëri për të fituar.

Si është të fitosh me përmbysje në minutën e fundit?

Pavarësisht se pësuam një gol, kishim gjithë forcën për ta përmbysur rezultatin. Ishim të qartë në lojën tonë, shumë agresivë në sulm dhe në fund morëm atë që meritonim.

Një tjetër gol dhe një tjetër fitore. Si po ndiheni në Fier?

Jashtëzakonisht krenar me ecurinë e deritanishme të Apolonisë. Golat e mi kanë ardhur si pasojë e lojës në grup, pa modesti, por është meritë e të gjithëve. Nuk duhet harruar kurrë se fitorja e Apolonisë vlen shumë më shumë se goli im.

Mbeten edhe katër finale deri në fund të kampionatit. I qëndroni objektivit tuaj sezonal?

Sigurisht që po, madje jemi më afër se kurrë për të arritur zonën “play off”. Ishim larg, u afruam shumë dhe me siguri do ta arrijmë këtë objektiv sezonal. Ndeshjet e mbetura nuk ndahen dot, secila prej tyre është e rëndësishme. Hapat fals nuk lejohen më, pasi rikuperimi i pikëve më vonë është i pamundur. Janë vetëm 12 pikë në lojë, të cilat vendosin gjithçka.

I druheni transfertës së radhës në Berat?

Momenti i duhur për të treguar veten. Do të synojmë maksimumin e pikëve, por edhe një pikë nuk do të ishte keq në transfertë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"