“Bombë” nga Italia, Hamilton te Ferrari në vitin 2021. Britaniku ka pasur dy takime me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2019 | 10:41

“Bombë” nga Italia, Hamilton te Ferrari në vitin 2021. Britaniku ka pasur dy takime me…

Sinjalin e parë e dha Toto Volf, gjatë një interviste në muajin maj, teksa po mbahej Çmimi i Madh i Spanjës në Formulën 1. Pyetja për shefin e Mercedesit ishte nëse një ditë mund të ndërpritej binomi perfekt me pilotin Luis Hamilton, ndoshta nisur nga ambicia e britanikut për të fituar Botërorin me Ferrarin. 

Ferrari

Një arritje që do ta bënte edhe më të jashtëzakonshme karrierën e 6 herë kampionit të botës. “E di që edhe mund të ndodhë”, ishte komenti i bërë nga Volf, i cili më pas kishte shtuar: “Kam biseduar hapur me të për këtë temë. Ferrari është një markë fenomenale, më prestigjiozja në Formulën 1, ku çdo pilot ëndërron të fitojë aty. Nga ana tjetër, edhe Mercedesi ka një histori të madhe dhe këtë vit po vazhdojmë të bëjmë një punë të jashtëzakonshme, për të cilën Luis është krenar. Shpresoj që ai ta mbarojë karrierën këtu me ne, duke fituar tituj të tjerë, por e di që dëshira e të gjithëve është që të shkojnë tek Ferrari…”, kishte deklaruar Volf, duke lënë të kuptohej se kalimi i Luis Hamiltonit te skuadra italiane është shumë i mundshëm.

Hemilton

BISEDIMET

Deklaratat e bëra nga Volf tashmë kthehen në aktualitet. Kontrata e kampionit të botës përfundon në vitin 2020 dhe piloti britanik do të ulet për të biseduar rinovimin menjëherë pasi ky Botëror të mbyllet. Për këtë temë u shpreh të premten vetë Toto Volf: “Kemi nisur të bisedojmë për të ardhmen tonë dhe të personave që punojnë në brendësi të skuadrës. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë gjatë dimrit. Do të më pëlqente edhe mua të dija nëse Luis do të qëndrojë me ne apo do të largohet. Unë dhe ai kemi ardhur njëkohësisht te Mercedesi dhe kemi bërë të njëjtin rrugëtim gjatë këtyre 7 viteve. Besimi është i madh dhe për aq kohë sa Mercedesi do të jetë në gjendje t’i ofrojë Hamiltonit një makinë fituese, nuk ka arsye për të menduar se Luis duhet të largohet”, tha shefi i “Shigjetës së argjendtë”.

hemilton

TAKIM I DYFISHTË ME XHON ELKAN 

Për të ardhmen e kampionit Hamilton duhen marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë. Mbi të gjitha, ata ekonomikë. Britaniku nënshkroi një kontratë dyvjeçare për vitet 2019 dhe 2020 me skuadrën Mercedes, nga e cila përfiton 50 milionë euro në sezon. Mercedesi duket e gatshme t’i ofrojë të njëjtën shifër ose diçka më tepër për të rinovuar. Ndërkohë, nga ana tjetër, tundimi për një kalim te Ferrari është gjithnjë prezent. Një flirt që vazhdon prej vitesh, madje që nga koha e Luka Di Montexemolos dhe Stefano Domenikalit. Interesi i “Kokëkuqes” për pilotin britanik ka qenë gjithmonë konstant dhe vazhdon të jetë ende shumë i lartë. Sipas raportimeve të mediave italiane, flitet se ka pasur dy takime gjatë këtij viti ndërmjet presidentit Xhon Elkan dhe pilotit 34- vjeçar britanik, ku me shumë mundësi edhe për të biseduar për Formulën 1 dhe për qëllimet reciproke që kanë të dyja palët. Mësohet se Elkan, numri një i Ferrarit, është një admirues i madh i Hamiltonit.

VIZITAT NË MARANELO 

Çfarë do të ndodhte nëse Luis nuk do të gjente akordin me skuadrën Mercedes dhe nëse do t’i ofrohej Ferrarit, për ta mbyllur karrierën te “Kokëkuqja”? Vështirë të mendohet se nga Torinoja apo Maraneloja do të kishim një përgjigje “jo”. Pasi, këtu flitet për Kristiano Ronaldon e Formulës 1. Një pilot që ka bërë diferencën në vitet 2017-2018, kur Ferrari i Sebastian Fetelit përfaqësonte një kërcënim të madh. I vetmi dyshim ka të bëjë me vështirësinë për të menaxhuar një “rockstar” si Hamilton. Një personazh i pavarur, i cili do të futej në rregullat e një marke tradite si Ferrari. Por Luis ka një admirim të thellë për historinë e makinës italiane dhe është shumë i tërhequr nga tregimet e themeluesit Enco Ferrari (përveç faktit që ka blerë disa makina të kësaj marke) dhe në mënyrë sekrete ka bërë disa herë vizita në fabrikën në Maranelo, madje duke drekuar edhe me Piero Ferrarin. Pra flirti ekziston nga të dyja palët dhe ky kalim mund të ishte bërë edhe gjatë vitit 2017, kur Fetel ishte në skadencë kontrate.

Hemilton

Por italianët në atë kohë të drejtuar nga Mauricio Arrivabene, vendosën të blindojnë gjermanin Fetel deri në vitin 2020, duke bërë që Luis Hamilton të mbetet i zhgënjyer. Aq sa në një mesazh të bërë në atë kohë në drejtim të skuadrës nga Maranelo shkruante: “Tri vite?! Nuk kuptoj…”. Më pas në një konferencë, Hamilton kishte dalë hapur duke u shprehur: “Tashmë që Fetel ka firmosur edhe unë e di se çfarë duhet të bëj”. Por, tashmë skenari mendohet se mund të ndryshojë dhe duket e vështirë që Ferrari të vazhdojë edhe pas vitit 2020 me dyshen Fetel-Lëklerk, pas përplasjeve të këtij sezoni. Ndonëse ka dhuruar paraqitje mjaft të mira, duket ende shpejt që skuadra t’i besojë të gjithë peshën 20-vjeçarit nga Montekarlo, vetëm nëse ky i fundit arrin ta fitojë menjëherë kampionatin.

“Luis është një pilot fantastik. Mendimi se do të jetë i lirë në vitin 2021, na bën të lumtur”, tha të premten, në prag të garës në Abu Dabi, Matia Binoto, duke i hapur portën. Më pas shefi i “Kokëkuqes” shtoi: “Megjithatë, është ende herët për çdo vendim. Për momentin jemi kënaqur me paraqitjet e pilotëve tanë. Për këtë do të bisedojmë në sezonin e ardhshëm ku do të kuptojmë më mirë se çfarë duhet të bëjmë. Gjithashtu do të kuptojmë edhe qëllimet që ka Fetel”, u shpreh Binoto. Megjithatë, këto shikohen më shumë si deklarata rutinë pasi tashmë mendohet se të dyja palët janë tepër interesuara për këtë operacion të madh.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"