“Bomba” e Zhoao Marios: Ronaldon e sjell tek Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2016 | 12:03

“Bomba” e Zhoao Marios: Ronaldon e sjell tek Interi

Viti që po mbyllet është i mbarë për Zhoao Marion, i cili, pasi u shpall kampion Europe me Portugalinë, bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar në Milano. Për të siguruar kartonin e 23-vjeçarit, Interi shpenzoi plot 45 milionë euro. Mbase është kjo arsyeja që i shton edhe më shumë presion mesfushorit, i cili në takimin e fundit tregoi se i vlen të gjitha.

Zhoao Mario vs Juve

Sa tërbohesh nga fakti që Juventusin e keni 15 pikë larg, edhe pse e keni mundur në duelin e direkt?

Nuk mund të bëjmë dot asgjë, pasi e kemi nisur keq kampionatin. Sigurisht që donim të ishim më pranë atyre, por ajo që është bërë tashmë nuk mund të zhbëhet. Tani të mendojmë se çfarë duhet që të bëjmë në të ardhmen. Duhet që të rikthehemi në Ligën e Kampioneve.

Mendon vërtet se Interi mund të mbërrijë mes tri të parave?

Matematika nuk na përjashton. Na duhet që të bëjmë një pjesë të dytë sezoni të përkryer.

Nuk është diçka e lehtë…

Aspak, por kemi lojtarë të mëdhenj në ekip. Na duhet që të bëjmë 4-5 fitore radhazi, pasi vetëm kështu mund të realizojmë këtë objektiv. Tani na duhen me patjetër 6 pikët ndaj Sasuolos dhe Lacios.

Cilët janë faktorët që ju kanë “dëmtuar” më shumë?

Siç e thashë më lart, është e kotë të flasim për atë që është bërë tashmë. Mendoj se ndryshimi i trajnerit në fillim të sezonit nuk ishte pozitiv për ekipin.

Ku mendon se gaboi Frank De Buri?

Ai ishte një trajner i zoti, por u largua pasi gjithmonë në të tilla raste kështu veprohet. Tani kemi një trajner si Pioli, i cili komunikon më mirë. Tani që bëj krahasimin mes teknikëve, them se një mangësi e madhe për De Burin ishte mosnjohja e gjuhës italiane. Ai kishte ide të mira, por nuk na i kalonte dot.

Çfarë ka më shumë Pioli?

Gjuha është një aspekt mjaft i rëndësishëm. Pioli ka edhe një tjetër avantazh, pasi e njeh mjaft mirë kampionatin italian.

Zhoao Mario Inter

Interi pagoi për kartonin tënd plot 45 milionë euro, duke të bërë lojtarin e dytë më të paguar në historinë e skuadrës. Në këtë drejtim je i dyti pas Vierit…

Nuk kam presion në këtë aspekt, pasi e shikoj nga një tjetër këndvështrim. Nëse ata kanë paguar kaq shumë për mua, do të thotë se besojnë në aftësitë e mia.

Je i kënaqur me atë që ke dhënë deri më tani?

Jam vetëm 23 vjeç dhe kam ende shumë për të treguar. Më duhet ta pranoj se nuk kam zhvilluar ndeshje të mira, por e njëjta gjë më ndodhi edhe kur u transferova te Sportingu i Lisbonës. Unë jam kritiku i parë i vetes. Kur shkoj në shtëpi, rishikoj ndeshjet dhe nxjerr përfundimet e mia. Idhulli im është Zidan.

Në mesfushën e Interit ke luajtur kudo. Mund të na thuash se në cilin pozicion ndihesh më komod?

Unë dua që të luaj më pranë portës, pasi kam më shumë mundësi që të sulmoj hapësirat boshe. Në takimet e fundit, Pioli më ka dhënë detyra mbrojtëse, por për mua ky nuk është problem.

Cili ka qenë pozicioni yt në fushë kur nise të luaje futboll?

Kur nisa futbollin, aktivizohesha si qendërmbrojtës dhe më duhet ta pranoj se është një rol i mërzitshëm. Por me kalimin e viteve, trajnerët panë se kisha teknikë dhe më spostuan më lart.

Ronaldo-Zhoao Mario

Sa herë që flet për ty, Ronaldo përdor gjithmonë fjalë të mira. A do ta sjellësh dhe atë në Milano?

Është e vështirë (qesh). Për Interin do të ishte një nder që të kishte Ronaldon në organikë. Them se po të largohet nga Reali, ju garantoj se do të bëj gjithçka për ta sjellë në Itali.

Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"