“Boll me zërat, lëreni Brojën të luajë rehat”, trajneri Hasenhutl: Nuk presim të na thotë “faleminderit”, ja marrëveshja që kemi me të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 18:10

“Boll me zërat, lëreni Brojën të luajë rehat”, trajneri Hasenhutl: Nuk presim të na thotë “faleminderit”, ja marrëveshja që kemi me të

Trajneri i Sauthempton, Ralf Hasenhutl, ka bërë thirrje që të marrin fund zërat e pandërprerë të merkatos rreth Armando Brojës. Në konferencën e sotme për shtyp, ai theksoi se sulmuesi shqiptar duhet të lihet të punojë i qetë, pasi ka kohë deri në fund të sezonit për të folur rreth të ardhmes së tij, nëse do të kthehet te Çelsi apo nëse do të vazhdojë te Sauthempton.

broja hasenhutl

“Të jem i sinqertë, situata e tij nuk më ndikon shumë pasi e di që do të jetë këtu deri në fund të sezonit. Kemi ende shumë kohë përpara për të folur rreth tij, për të folur rreth të ardhmes tonë me të.

Lëreni këtë djalosh të luajë futboll, lëreni të bëjë punën e tij. Mendoj se është shumë e rëndësishme për të rinjtë që të zhvillojnë lojën e tyre në qetësi dhe jo me këto zëra të ethshëm përreth. Nuk ndihmon ndonjë lojtar të ri, sidomos atë.

Kjo është ajo që po mundohemi të bëjmë, ne mundohemi që të qetësojmë gjithçka pasi ai duhet të përqendrohet në punën e tij dhe kjo është ajo për të cilën është këtu”, tha Hasenhutl.

Ai tregoi se në klub po bëhej maksimumi që lojtarit t’i krijoheshin kushte sa më të mira që të jepte maksimumin e tij.

“Unë mendoj se atij i pëlqen të jetë këtu dhe duhet të shohë se çfarë ka me këtë klub, pasi ne i dhamë atij një mundësi të madhe të tregojë veten. Nuk kemi nevojë që dikush të na thotë “faleminderit” për këtë, ai vetëm duhet të bëjë punë e tij dhe duhet të na ndihmojë për sa kohë që ekziston kjo marrëveshje.

broja

Marrëveshja është që ne të japim një platformë, ti jep çdo gjë që ke për këtë klub. Kjo është marrëveshja që kemi me këdo dhe ne jemi një klub më i suksesshëm kur ai bën një punë të mirë”, deklaroi trajneri i Sauthempton.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"